Lama: Nëse kandidati nuk ka komisionerë në vendet e duhura, s’mund të kapen manipulimet

Aktuale

Lama: Nëse kandidati nuk ka komisionerë në vendet e duhura, s’mund të kapen manipulimet

Më: 10 mars 2021 Në ora: 22:47
Alma Lama

Kandidatja e LDK-së për deputete, Alma Lama, kërkoi që procesi i numërimit të votave të jetë më transparent dhe më i kontrolluar.

Ajo u shpreh se personalisht ka dyshime që në një shkollë i janë vjedhur votat, por që zërin e ka ngritur që nga dita e parë dhe se më pas janë shtuar zërat.

“Kam kërkuar publikisht rinumërim të votave se do të ishte mirë që të kemi një proces të besueshëm dhe transparent, pra që të rinumëroheshin edhe në qendrën kryesore në Prishtinë në mënyrë më të monitoruar”.

“Ka pasur proces të duhur të votimit nga ana e qytetarëve, mirëpo sa ky vullnet është implementuar ashtu si duhet në procesin e menaxhimit nga ana e KQZ-së?. Unë e kam ngritur zërin që nga dita e parë dhe më pas janë shtuar zërat. Personalisht kam dyshime që në një shkollë të caktuar votat e mia nuk janë”.

“Ajo çka kam parë është se nëse një kandidat nuk i ka komisionerët e tij në vendet e duhura që të kapin manipulimet, është shumë e vështirë që ai të zbulojë manipulimet. Ky problem mund të përmirësohet me anë të një rinumërimi të vëzhguar në një mënyrë shumë më të rreptë”.

“Për mua është thelbësore që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, i lire dhe i barabartë. KQZ-në nuk e shoh si kriminale, po që ka ngelur me metodat e vjetra të punës që nga viti 2010, nuk ka përmirësim, nuk ka ecur me teknologjinë për ta futur qoftë dhe për numërimin, monitorimin e vëzhgimin e votave. Pse të mos bëhet numërimi para kamerave?”.

“Vjedhjet më të denoncuara të votave janë të vitit 2010. Unë personalisht në vitin 2007 kam hyrë në QNR dhe kam bërë një hulumtim, ku kam parë që nuk ka kurrfarë siguri në numërim të votave. Ishte një dhomë e ndarë ku hidheshin votat në sistem dhe aty nuk lejoheshin vëzhguesit. Aty ku numëroheshin votat komisionerët ishin nja dy metra larg dhe nuk shihnin se çfarë po bëhej. Kuptova që nuk ka siguri ky proces që në 2007-ën”.

“Tani ka dyshime brenda subjekteve politike. Ndoshta votat nuk duhet të numërohen në vendvotim”.

“Në rast se konstatohet se ata komisionerë bëjnë manipulime, atyre s’duhet t’u jepet mundësia që të jenë pjesë e proceseve të tjera zgjedhore dhe me ta të merret sistemi i drejtësisë”, deklaroi Lama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat