​Heronjtë që po luftojnë prej një viti me pandeminë

Aktuale

​Heronjtë që po luftojnë prej një viti me pandeminë

Më: 13 mars 2021 Në ora: 09:57
Foto ilustruese

Më 13 mars 2020 u shënuan dy rastet e para me virusin SARS-COV-2. Kosova, ashtu siç kishin vepruar shumë shtete, shkoi drejt mbylljes totale. Jeta u paralizua dhe për disa muaj qytetarët shkuan në pushim të detyruar.

Megjithatë, jo për të gjithë qëndrimi në shtëpi ishte një zgjedhje. Rreth dy muaj para shfaqjes së rasteve të para, në laboratorët e IKSHPK-së analizoheshin mostrat e dyshuara, ndërsa Klinika Infektive kishte kaluar në gatishmëri. FSK dhe Policia e Kosovës gjithashtu iu përgjigjën çdo kërkese për të ndihmuar në luftën ndaj COVID, njëjtë sikurse vazhdoi pa ndalur puna e Doganës së Kosovës dhe e zjarrfikësve.

Zana Kaçaniku Deva, specialiste e Mikrobiologjisë në IKSHPK, tregon të gjithë procedurën që ndjekin për zbulimin e koronavirusit, procedurë të cilën tashmë e bëjnë për më shumë se 430 ditë e për mbi 348 mijë mostra të dyshuara të testuara deri më sot.

Kaçaniku-Deva: Hapat që ndiqen për mostrat

“Në këtë pjesë e kemi dhomën ku vijnë mostrat, do të thotë prej terrenit, qoftë prej qyteteve tjera, të Prishtinës, qoftë prej klinikave, Klinikës Infektive, Pulmologjike, prej Qendrës së Mjekësisë Sportive. Të gjitha këto mostra së pari vijnë në këtë vend për t'u renditur, për t'u etiketuar. Hapi i ardhshëm është ekstrahimi i materialit gjenetik nga mostra, e cila bëhet në hapësirat e destinuara vetëm për këtë qëllim. Përndryshe këto dhoma njihen si ‘dhomat e ndyra’ apo ‘të ndotura’ sepse këtu është rreziku më i madh i infektimit me koronavirus. Pasi të vendoset mostra krijohet ai plani i punës se si do të renditen mostrat në ato pllakat për testim”, tregon ajo.

Doktorët në Klinikën Infektive ishin të parët që u ballafaquan me të prekurit me COVID-19. Heroizmi i tyre ishte i padiskutuar. Puna e tyre nuk kishte orar. Ata u detyruan të largohen nga familjarët e tyre në mënyrë që t’i mbrojnë nga kjo sëmundje. Ditët e vështira larg më të dashurve i përshkruan më mirë doktoresha infektologe Lendita Ajazaj-Berisha.

Ajazaj-Berisha: Jemi distancuar nga familja

“Ne kemi familje, kemi fëmijë, kemi prindër, gjithmonë është dashur të kemi kujdes edhe për anëtarët e familjes. Disa nga punëtorët shëndetësorë, ata që kanë pasur mundësi, fëmijët i kanë dërguar të prindërit apo të familja e gjerë, mirëpo ka pasur të tillë që kanë qëndruar në shtëpi me fëmijët dhe familjen. Pjesën më të madhe, qoftë gjatë vikendeve apo festave më është dashur të rri në klinikë, fëmijët i kam pasur të prindërit dhe atje kanë qëndruar gjatë gjithë kohës dhe normal gjatë vizitës që u kam bërë fëmijëve dhe prindërve është dashur gjatë gjithë kohës të mbaj distancën së paku dy metra larg dhe duke i shfrytëzuar masat mbrojtëse si maska e doreza”, u shpreh ajo.

Ushtarët e Kosovës ishin ndër të parët që u treguan të gatshëm për çfarëdo ndihme. Transportimi i atyre që vinin nga jashtë vendit drejt Qendrës së Karantinës që ishte shndërruar Qendra e Studentëve ishte vetëm një prej angazhimeve të tyre të shumta. Tetar Arben Ibishi kujton ditët kur shërbenin ditë e natë.

Ibishi: Kemi pasur angazhim ditë e natë

“Plot angazhim, jo ditë por ditë dhe natë, kemi shërbyer ditën dhe natën, kur kanë pasur qytetarët nevojë ne kemi shkuar sipas urdhëresave të zinxhirit komandues, jemi afruar të ta dhe i kemi bartur ku kanë pas nevojë ata. Ka pasur qytetarë të ndryshëm, ka pasur të mllefosur për situatën, ka pasur të trembur, por me sjelljen që e kemi bërë ndaj tyre, gjithmonë kemi kaluar mirë dhe nuk kemi pasur ndonjë problem”, kujton tetar Ibishi.

Njëjtë sikurse specialistët e IKSHPK-së, mjekët në spitale dhe ushtarët, në krye të detyrës ishin edhe zyrtarët policorë. Mimoza Hasani thotë se ata kaluan në orar 12 orësh, pa pasur kohë as të kishin frikë për vete, por të kujdeseshin për qytetarët dhe rregullat që ishin vendosur nga institucionet.

Hasani: Kemi qenë 12 orë në punë

“E kemi pasur rutinë, 12 orë punë, nuk kemi pas shumë kohë me u marrë me frikën ose frika e vetme për ne ka qenë mos po e bartim virusin në familje, mirëpo edhe kjo ka kaluar sepse i jemi përmbajtur nga fillimi udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës. Puna jonë ka qenë patrullimi nëpër rrugë të ndryshme të regjionit të Prishtinës të cilat i kemi të caktuara për regjionin e Prishtinës, pastaj kur ka qenë koha e ndalesës dhe karantinave të qyteteve, zakonisht ne kemi mbuluar qytetin e Prishtinës, kemi kontrolluar hyrjet e daljet, oraret, krejt çka na është kërkuar”, tregon Hasani.

Sikurse të gjitha institucionet e tjera, edhe Dogana e Kosovës kishte reduktuar stafin e saj, por jo edhe punën. Zinxhiri furnizues i mallrave nuk guxonte të haste në asnjë pengesë. Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit për planifikim strategjik në Doganën e Kosovës, tregon për punën e tyre në pandemi.

Mehmetaj: Furnizimi me mallra nuk është ndalur

“Dogana me një staf të vogël të reduktuar, me staf esencial ka arritur të përmbushë detyrat dhe obligimet e saja. Ndoshta këtu është mirë të potencohet edhe një fakt me shumë rëndësi që gjatë kohës së pandemisë sipas iniciativës së BE-së, sekretariatit të transportit të CEFTA-së është krijuar një korridor i gjelbër ku zinxhiri furnizues sidomos për Ballkanin Perëndimor ka qenë jetik, për shkak se furnizimi me mallra në asnjë mënyrë, në asnjë moment nuk është ndal. Ne si institucion, po edhe si shtet kemi marrë lëvdata edhe prej Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera për përkushtimin dhe angazhimin që kemi treguar”, tha Mehmetaj.

Nuk ishin të pakta rastet kur në ndihmë u thirrën edhe zjarrfikësit. Edhe pse natyra e punës së tyre është të ballafaqohen me zjarret, sidomos në një kohë kur ishte thatësirë, ata kaluan në gatishmëri 24 orëshe pë një tjetër luftë, atë ndaj COVID. Komandant i Brigadës të Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, tregon për ditët e para pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Zeka: Në fillim të pandemisë kemi pasur problem me zjarre fushore

“Kur ka filluar pandemia ka qenë thatësirë dhe kemi pas më shumë probleme me zjarre fushore, malore pasi njerëzit kanë filluar t’i pastrojnë pronat e tyre dhe nuk kanë pas mundësi t’i menaxhojnë. Por me fillimin e reshjeve atmosferike kemi pas më shumë aksidente, hapje të ashensorëve, eliminime të rreziqeve, sikur fasadat prej erërave e kështu me radhë. Kemi shërbyer ashtu siç është kërkuar nga ne, në fillim kemi punuar me orar të zakonshëm pas 15 dite është kërkuar që të punojmë me orar të zgjatur. Pra për shkak të situatës kemi punuar nga 12 orë në 24 orë”, tha Zeka.

Kosova tashmë bashkëjeton për një vit me pandeminë dhe respekti për ata që nuk po kursejnë asgjë në luftën me pandeminë mbetet i madh, njëjtë sikurse do të kujtohen të gjithë ata që nuk ia dolën dot me pandeminë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat