Zhvillimet në LDK, vjen reagimi nga Vetëvendosje: Ky është provimi i parë për Lumir Abdixhikun

Aktuale

Zhvillimet në LDK, vjen reagimi nga Vetëvendosje: Ky është provimi i parë për Lumir Abdixhikun

Nga: P.R Më: 14 mars 2021 Në ora: 14:35
Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së. Ai ka fituar garën ndaj Lufti Hazirit dhe Besian Mustafës.

E menjëherë pas zgjedhjes së Abdixhikut kryetar, ka reaguar edhe Liri Loshi, ish kandidat i Vetëvendosjes për deputet.

Ai thotë se provimi i parë për kryetarin e ri, do të jetë votimi i Vjosa Osmanit presidente.

“E para e punës që do të bëjë Zoti Abdixhiku është t’ia bëjë kuorumin dhe mbase edhe të rekomandoje votimin e Vjosa Osmanit për presidente. Ky është provimi i parë që unë pres ai ta kalojë me sukses. Fundja për këtë hap ai ka rekomandimin e SHBA-së zyrtare dhe mbi të gjitha ka votën plebishitare të elektoratit për Vjosa Osmanin”, shkruan Loshi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Lumir Abdixhiku është i vetmi person që edhe pse nuk ka pasur qëndrim të qartë rreth largimit arbitrar të Vjosa Osmani nga kryesia e LDK-së, të pakten ka abstenuar dhe nuk ka pranuar të ishte pjesë e qeverisë së Abdullah Hotit pas rrezimit të qeverisë Kurti 1.

Nuk është fer ta paragjykojmë vetëm pse ai vjen në LDK nga Reinvesti përmes bosit të tij, Isa Mustafës. Unë besoj se ai do ta udheheq ndryshe LDK-në. E para e punës që do të bëjë Zoti Abdixhiku është t’ia bëjë kuorumin dhe mbase edhe të rekomandoje votimin e Vjosa Osmanit për presidente. Ky është provimi i parë që unë pres ai ta kalojë me sukses. Fundja për këtë hap ai ka rekomandimin e SHBA-së zyrtare dhe mbi të gjitha ka votën plebishitare të elektoratit për Vjosa Osmanin.

LDK duhet të stabilizohet njëherë e kjo do të arrihet me reformim të gjithanshëm, në degë dhe nëndegë. Në këtë kontekst, duhet të përcaktohet përgjegjësia e atyre që kanë punuar keq dhe e kanë përgjysmuar partinë. Pastaj ajo mund të fillojë të ngritet. Gradualisht, jo vrullshëm!

Nuk është fer të pritet nga ky lidershipi i ri që në zgjedhjet e ardhshme lokale për shembull të shenojë ndonje rezultat të kënaqshëm. LDK-ja do të humb mbase edhe ato komuna ku tash ka pushtetin, jo për shkak të lidershipit të dobët, por për shkak se është kohë shumë e shkurtër dhe qytetari i Kosovës do t’ia japë votën prapë, madje në mënyrë edhe më masive Vetëvendosjes.

Sidoqoftë, nga sot për adhuruesit e LDK-së fillon ngjallja e shpresës për rikthimin e LDK-së. LDK ka pësuar humbje që nga vdekja e Ibrahim Rugovës dhe tani kemi një konfiguracion të ri të forcave politike në Kosovë, ku Albin Kurti është lider i pakontestueshëm dhe ku Vetëvendosje është konfirmuar si forca kryesore politike. Edhe sikur vërtet të ngjallej vetë Ibrahim Rugova, apo të rilindëte verzioni i djalit të ri të Ibrahim Rugovës, trendi i ngritjes së Vetëvendosjes nuk do të ndalej as nuk do të rrezikohej nga LDK-ja. E pra, është iluzore të mendohet se këtë trend do ta ndryshojë Lumir Abdixhiku, i cili pritet të ketë problme me dinamikat e brendshme në parti, siç është rezistenca e gardës së vjetër, e cila ende mbetet e fuqishme në LDK.

Ajo që unë e mendoj se do të ishte sukses për LDK-në është që në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo ta ketë një komunë të madhe dhe një komunë të vogël. Sepse, intimisht mendoj se LDK-ja do të jetë partia e vetme parlamentare që nuk do ta këtë asnjë komunë dhe nëse ndodh kjo atëherë LDK-ja do të jetë parti me ndikim më të vogël politik në Kosovë sesa AAK-ja e Ramush Haradinajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat