​Dehari: Qytetarët na kanë ngarkuar me përgjegjësi, ta udhëheqim Kosovën me maturi dhe urti

Aktuale

​Dehari: Qytetarët na kanë ngarkuar me përgjegjësi, ta udhëheqim Kosovën me maturi dhe urti

Më: 22 mars 2021 Në ora: 11:21
Kuvendi i Kosovës

Në seancën për konstituimin e legjislaturës së tetë në Kuvend, e drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe i ndihmuar nga deputetja më re në moshë, Adelina Grainca, është thënë sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari nga VV, tha se që të gjithëve, pozitë dhe opozitë, qytetarët kanë ngarkuar deputetët me përgjegjësi ta udhëheqin Kosovën me maturi dhe urti të madhe.

Dehari theksoi se më 14 shkurt të këtij viti votueset dhe votuesit e Republikës së Kosovës me bindje të plotë dhe me çiltërsinë më të madhe ia kanë falur besimin t’i përmbushin me sukses pritjet për ta bërë Kosovën, atdheun tonë të shtrenjtë, shtet funksional e demokratik për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, gjinore, fetare e politike, ta ndiejnë veten të sigurt, të qetë, të barabartë dhe të lumtur.

Dehari: Më 14 shkurt jemi ngarkuar për përgjegjësi të shumta që të angazhohemi me përkushtim

“Më 14 shkurt të këtij viti votueset dhe votuesit e Kosovës me vullnetin e tyre të shprehur me votë të lirë, pozitë dhe opozitë na kanë ngarkuar për përgjegjësi të shumta që me pjekuri politike të krijojmë hapësirë të përshtatshme që të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë institucioneve të angazhohemi me përkushtim të madh për ta bërë Kosovën që ofron punësim, stabilitet, zhvillim, përparim, qetësi, mirëqenie ekonomike, paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të shëndosha në të gjitha fushat me fqinjët dhe me popujt e rajonit dhe botës”, tha Dehari.

Ai po ashtu shtoi se qytetarët nga të gjithë ne, pozitë dhe opozitë kërkojnë dhe na obligojnë t’i ruajmë vlerat e lirisë, të demokracisë për t’i forcuar marrëdhëniet me aleatët tanë tradicional me ShBA-të dhe BE-në për anëtarësim në NATO dhe në organizatat tjera ekonomike dhe kulturore e ndërkombëtare.

Në seancën konstituive është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur, në seancën konstituive të legjislaturës së tetë. Deputetët tashmë janë në një pauzë 20 minutëshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat