​Qytetarët: Rasim Thaçi-Cima është i pavdekshëm

Aktuale

​Qytetarët: Rasim Thaçi-Cima është i pavdekshëm

Më: 27 mars 2021 Në ora: 16:15
Rasim Thaçi-Cima

Aktori Rasim Thaçi-Cima ndërroi jetë dje në moshën 71 vjeçare, si pasojë e virusit Covid-19. Ai ishte dhe mbetet në kujtimet e qytetarëve të Kosovës si një artist i madh dhe i pavdekshëm.

Qytetarët kujtojnë kohën e paraluftës dhe atë pas luftës kur Cima u largonte mërzinë dhe i bënte të qeshnin.

Jakup Bekteshi thotë se e ka jetuar me Cimën dhe skeçet e tij. Ai thotë se Cima nuk ishte vetëm një artist i mirë por edhe njeri i mirë.

Cima, Leci, Qumili janë të pavdekshëm për Bekteshin, pasi që këta të tre kanë i larguar mërzinë dhe e kanë bërë të qeshin.

Bekteshi: Cima i pavdekshëm

"Unë e kujtoj aktorin e madh, Rasim Thaçin i cili ka qenë e kemi qu jetën me të dhe skeçet e tij e me krejt, edhe si futbollist, e njoh mirë Rasim Thaçin dhe ka qenë edhe njeri, edhe artist i mirë, edhe Leci edhe Qumili këta para lufte neve mos me i pas këta tre që na e kanë largu mërzinë edhe mallin e krejt këta kanë qenë, janë të pavdekshëm", tha ai.

Agim Pirevci thotë se humori të ndjerit ishte humor natyral, i cili e kishte bërë shumë të qeshte. Cima ishte një artist që ka dhënë shumë për humorin shqiptar, dhe vdekja e tij është një humbje e madhe.

Pirevci: Rasimi ka qenë një humorist natyral

"Rasimi ka qenë një humorist natyral ka pasur një humor natyral, shumë na ka bërë që të disponohemi të qeshemi dhe vdekja e tij na ka ardhur shumë keq... Ka qenë një artist me të vërtetë që ka dhënë mjaft për humorin shqiptar në përgjithësi, humbja e tij është një humbje e madhe", tha ai.

Azem Grajqevci tha se Cima nuk do të harrohet asnjëherë, pasi janë rritur me të dhe përmes çdo shfaqje që e ka dhënë, kanë qesh me zemër.

Grajqevci: Cima nuk do të harrohet kurrë

"Unë për Cimen shprehi ngushëllime nga zemra, drejtën me thënë na u ka dhimbur të gjithëve, mirëpo ai nuk do të harrohet, se kemi pasur vetëm të mira nga ai, d.m.th çdo shfaqje që e ka dhënë ne kemi qesh me zemër, na ka hekë atë mërzia, ato ngarkesa që kemi pasur kështu që siç tha edhe kryeministri jemi rritë me të, jemi rrit me skeçet e tij", tha ai.

Kurse, Fetush Morina, një qytetarë tjetër tha se është nip i të ndjerit, i cili tha se humori i tij është i pazëvendësueshëm.

Morina: Cima bënte humor të mirë e të pastër

"Humor sikur të tyre nuk di si me pas më të mirë, kanë qenë njerëz të kulturuar, kanë pas humor te mire, kane pasur humor të pastër", tha ai.

Përndryshe, sot pas homazheve është bërë varrimi i artistit Rasim Thaçi në fshatin tij të lindjes, Llapushnik të Drenasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat