Sindikata e Policisë së Kosovës nis paditë për mosplotësim të kërkesave të tyre

Aktuale

Sindikata e Policisë së Kosovës nis paditë për mosplotësim të kërkesave të tyre

Më: 1 prill 2021 Në ora: 10:57
Foto ilustrim

Zyrtarët e Policisë së Kosovës po kërkojnë pagën jubilare, atë të 13-të dhe shujtën ditore. Të tri këto kërkesa ata thonë se u janë premtuar nga qeveria kaluar, e mbi të gjitha i kanë të garantuara me ligj, por që të njëjtat nuk i kanë gëzuar kurrë. Ndërsa shprehën të diskriminuar, me qindra prej tyre kanë nisur paditë ndaj qeverisë. Nga këto padi, Sindikata e Policisë së Kosovës deklaron se do të tërhiqen vetëm atëherë kur do të plotësohen kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli thotë se nga ish-kryeministri Avdullah Hoti iu kishte premtuar gjatë vitit të kaluar se në dhjetor do të kenë një shtesë në muajin 12-të. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndaj thekson se padia në gjykatë bazohet me ligjin në fuqi.

“Tani kanë filluar policia që të bëjnë ankesat, apo paditë në gjyq në regjione të ndryshme. Kjo padi ka filluar që dy muaj, me kërkesën e punonjësve të PK-së, ne si sindikatë jemi detyruar që të bisedojmë me disa avokatë dhe kanë marrë përsipër dy avokatë që të marrin ankesën për rrogën e 13, për shujtën dhe për rrogën jubilare. Në bisedime jemi të përditshme me avokatin dhe PK është në vazhdimësi të këtyre kërkesave. Ende ne nuk kemi takim me ministrin Sveçla”, thotë ai.

Ai tregon se a janë gjasat që ata të tërhiqen nga këto padi.

“Nëse zotohet ministri dhe kryeministri që rroga e 13 dhe shujta do të hyjnë në fuqi, ne mund të tërhiqemi nga padia. Sepse, ish-kryeministri Hoti kemi pasur premtim që nga 1 janari, shujta të hyjë në fuqi. Nuk ka fare”, shton ai.

Ai njofton se ka pasur pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët paditë e tyre i kanë dorëzuar para dy muajve. Tasholli tregon se gjatë ditës së djeshme kanë bërë kërkesë për takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Mirëpo nga kjo javë, veç tani kemi me qindra kërkesa që kanë bërë për padinë në gjykatë për këto tri pika”, njofton ai.

Kreu i Sindikatës së Policëve të Kosovës thekson se tash e sa vjet po kërkojnë sigurime shëndetësore, përkundër që janë premtuar, asnjëherë nuk është realizuar një gjë e tillë. Mes tjerash, flet edhe për pakënaqësitë që kanë për pensione.

“Duke parë rrezikshmërinë e policisë, e cila punon ditë-natë pa u ndalur, e cila ka vështirësi të jashtëzakonshme në punë. Edhe detyrohet të punojë deri në moshën 65 vjeçare dhe polici i Kosovës në moshën 65 vjeçare del në pension me 90 euro. Si një amvise apo bujk që merr ndihmë sociale. Nuk kemi hasur në mirëkuptim asnjëherë”, shton ai.

Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të fillojnë reformat në Policinë e Kosovës, në mënyrë që oficerët policorë të dalin në pension në kohë ta parakohshme në moshën 55-vjeçare. Ku sipas tij për të mundësuar këtë do të bëhet rekrutimi i 2 mijë policëve të rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat