VOA: Kosova me numër rekord të të prekurve nga koronavirusi në 24 orë

Aktuale

VOA: Kosova me numër rekord të të prekurve nga koronavirusi në 24 orë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Në Kosovë autoritetet thanë se 12 persona humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit. Po gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar 975 raste të reja të të prekurve, që është numri më i lartë që nga fillimi i vitit.

Këto të dhëna, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasuan mbi 5 mijë testime.

Rastet e fundit e çuan në 91 mijë e 405 numrin e përgjithshëm të të prekurve dhe në 1 mijë e 884 numrin e atyre që human jetën nga pasojat e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas institutit, janë shpallur të shëruar 893 veta duke e çuar në 75 mijë e 647 numrin e përgjithshëm të të shëruarve, ndërsa 13 mijë e 874 mbetet numri i rasteve aktive.

Muaji që sapo e lamë pas ishte periudha me numrin më të lartë të të prekurve. Gjatë marsit janë konfirmuar 21 mijë e 200 veta të prekur nga koronavirusi, ndërsa 273 veta kanë humbur jetën.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të enjten se situata me pandeminë është shqetësuese dhe nuk përjashtoi mundësinë e masave shtesë për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

Gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, të dy zyrtarët thanë se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.

Ambasadori amerikan tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me qeverinë e Kosovë në betejën kundër COVID-19, duke bërë thirrje për respektim të masave parandaluese dhe vaksinim.

Kosova është vendi i fundit në rajon që filloi vaksinimin e qytetarëve. Në fillim të javës ajo nisi vaksinimin në shkallë të gjerë kundër COVID-19 pas marrjes së dozave të para të vaksinës AstraZeneca nga programi Covax. Ajo mori të dielën 24 mijë dozat e para të vaksinave në kuadër të këtij programi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Deri në muajin maj pritet të arrijnë edhe 76 mijë doza të vaksinave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat