Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, vjen reagimi zyrtar nga LDK-ja: Pushteti po kërkon rrugën më të rëndë

Aktuale

Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, vjen reagimi zyrtar nga LDK-ja: Pushteti po kërkon rrugën më të rëndë

Nga: A.Zh Më: 2 prill 2021 Në ora: 17:45
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës, e konsideron të ngutshëm dhe shantazues vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

LDK-ja, përmes një komunikate për media, ka thënë se ky Ligj nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm dhe pa dakordim paraprak mes partive politike, përcjell Bota sot.

LDK konsideron se pushteti, në vend të stabilitetit politik të domosdoshëm, po kërkon rrugën më të rëndë të vendit.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.

LDK vlerëson lart konributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar.

Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa një diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit.

Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit; sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm. Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat