Kërkohet përjashtimi i Ardian Kastratit nga UP-ja

Aktuale

Kërkohet përjashtimi i Ardian Kastratit nga UP-ja

Më: 5 prill 2021 Në ora: 07:21
Pamje nga protesta

(E plotësuar 13:35) - Përfaqësues të organizatave studentore protestuan sot para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kundër gjuhës së përdorur nga profesori i Fakultetit Filozofik dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Kastrati.

Kastrati, që postoi në rrjete sociale një satirë të Konicës, u akuzua se e kishte për të përshkruar fizikun e presidentes Osmani, edhe pse më pas ai e mohoi se një gjë e tillë ishte ndaj shefes së shtetit.

Përfaqësuesja e protestuesve, Liridona Sijarina, tha se deklarata e Kastratit ishte seksiste dhe fyese ndaj presidentes dhe se meriton të ndëshkohet. Ajo kërkoi që profesori i UP të përjashtohet nga stafi akademik.

Ajo u shpreh se ky rast nuk duhet të mbetet i izoluar dhe të tejkalohet duke u amnistuar si gabim.

Sijarina: Deklarata e Kastratit ishte seksiste dhe fyese

“Mbrëmë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe profesori universitar, Ardian Kastrati, bëri një deklaratë seksiste dhe fyese ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, znj,. Vjosa Osmani-Sadriu duke komentuar në mënyrë fyese dhe denigurese fizikun e saj. Kjo deklaratë asesi nuk është seksiste dhe një qasje e tillë nuk guxon asesi të lexohet si gabim i cili mund të amnistohet dhe të tejkalohet si një rast i izoluar por duhet lexuar si një mendësi e etabluar e cila është thellësisht patriarkale”, deklaroi ajo.

Sipas Sijarinës, gjuha e përdorur është gjuhë e urrejtjes e cila, sipas saj, është edhe një nga shkaktaret kryesore të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre.

Duke kundërshtuar deklaratën e Kastratit paraqiti edhe kërkesën kryesore atë të shkarkimit të profesorit universitar.

Sijarina: Rektori të iniciojë rast ndaj Kastratit

“Ne kërkojmë nga rektori i Universitetit të Prishtinës që menjëherë të iniciojë rast pranë Këshillit të Etikës lidhur me këtë deklaratë dhe të kërkojë përjashtimin e tij për shkelje të Kodit të etikës dhe promovim të gjuhës së urrejtjes. Rektori duhet menjëherë të themelojë një Komision Hetues i cili do të hetojë procesin e punësimit të Ardian Kastratit në stafin akademik”, tha Sijarina.

Po ashtu, protestuesit patën kërkesë edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të shkarkojë Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për të cilët thonë se po mbajnë peng Rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë institucion.

Sijarina: Të shkarkohet Këshilli Drejtues i UP

“Kërkojmë që ministrja e Arsimit të shkarkojë Këshillin Drejtues të UP për zvarritje të miratimit të rregullores për parandalimin dhe mbrojtje nga ngacmimet seksuale. Na jemi të vetëdijshëm që janë bërë tri vite që është iniciuar një rregullore dhe është draftuar një rregullore për parandalimin e ngacmimeve seksuale në UP por që tre vjet kemi zvarritje që po ndodhin brenda në UP dhe po rezultojnë që gratë dhe vajzat e reja të cilat studiojnë në UP të ballafaqohen me një situatë ku ato edhe ngacmohen edhe nuk kanë ku të raportojnë se nuk kanë një bazë ligjore që i mbron ato prej ngacmimeve”, u shpreh Sijarina.

Protestuesit i kanë vënë ultimatum Universitetit të Prishtinës që deri të premten kjo rregullore të miratohet ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues pa ndonjë ndryshim tjetër.

Sijarina: Rregullorja të miratohet deri të premten

“Këshilli duhet menjëherë të miratojë draft-rregulloren për parandalim nga ngacmimet seksuale ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues dhe kjo duhet të bëhet deri të premten. Na konsiderojmë që ndryshimet që tentohen të bëhen prej UP do ta dobësojnë, do ta ndërrojnë, këtë rregullore e cila në mënyrën si është dërguar nga grupi punues përbën një bazë ligjore e cila është mjaft e fuqishme për t'i mbrojtur dhe për të formuar siguri grave dhe vajzave dhe djemve e burrave që studiojnë brenda UP-së”, përfundoi Sijarina.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njoftoi se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar Kastrati dhe se distancohet nga deklarata individuale e profesorit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur. UP-ja njoftoi se, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi.

***

Para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është mbajtur protestë për shkarkimin e profesorit të këtij Universiteti, Ardian Kastrati. Protesta ka zgjatur pak e kjo ka ndodhur për shkak të situatës me pandeminë, kanë njoftuar organizatorët.

Në një prononcim para mediave, Liridona Sijarina, njëra prej aktivisteve që është marrë me këtë organizim tha se seksistët nuk duhet të paguhen me taksat e qytetarëve.

“Ardian Kastrati mbrëmë e ka komentu në mënyrë fyese dhe denigruese fizikun e saj (presidentes Osmani)…Kjo gjuhë shkakton gjuhë të urrejtjes, e kur kjo bëhet nga personat publikë e aqmë shumë profesorët duhet dënuar…”, tha ajo ndër të tjera.

Image

Tutje u kërkua përjashtimi i Ardian Kastratit nga stafi akademik i UP-së.

“Kërkohet përjashtimi i tij për shkejle të etikës…Rektori të themelojë një komison hetues që do ta hetojë punësimin e Ardian Kastratit në UP”.

“Kërkesa e dytë, ka të bëjë me fenomenin e ngacmimeve seksuale në UP, kërkojmë që të shkarkohet këshilli drjetues i UP-së për zvarritje te rregullores për parandalim të ngacmimeve seksuale”, u tha ndër të tjera.

Ndryshe, për deklaratën seksiste të Ardian Kastratit nuk është deklaruar akoma askush nga partia e tij PDK-ja e as vetë Kastratri, i cili më pas ka shlyer postimin.

***

“UP seksiste”, “Seksistat jashtë”, janë dy nga parullat që po i mbajnë në duar protestutesit të cilët po protestojnë para Rektoratit për shkarkimin e Ardian Kastratit – profesor universitar në Univeristetin e Prishtinës dhe deputet i PDK-së.

Protesta po përcillet me vëmendje të madhe nga mediat, ndërsa drejtuesit e saj akoma nuk janë prononcuar për media.

Ndërkohë, shkarkimi i Kastratit po kërkohet edhe me anë të dy peticione online. Tashmë të nënshkruara nga mijëra qytetarë.

Për gjuhën e tij nuk është deklaruar akoma askush nga PDK, gjithashtu as Ardian Kastrati nuk i është përgjigjur thirrjeve.

***

Aktivistë të shoqërisë civile  përmes një protestë të organizuar të hënën në oborrin e Rektoratit  të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar  përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja.

Ai sipas organizatorëve po akuzohet për gjuhë seksiste ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Kastrati të dielën kur edhe po zgjidhej presidentja Vjosa Osmani, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit Faik Konica, i cili është marrë si ofendim ndaj saj.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.

Më vonë Kastrati e ka fshirë postimin e më pas ka mohuar se ai i është kushtuar Osmanit apo kujtdo tjetër.

Postimi i Kastratit i cili është edhe deputet i PDK-së, ka ngjallur reagime të shumëta duke kundërshtuar atë.

Image

***

Në oborrin e rektoratit të UP’së sot pritet të protestohet duke u kërkuar përjashtimi i Ardian Kastratit, i cili në këtë universitet është profesor.

Një status në Facebook rreth një gruaje mbipeshë nga ana e deputetit dhe profesorit universitar Ardian Kastrati, ka ngjallur reagime të shumta.

Për këtë arsye është paralajmëruar edhe protestë sot për në ora 11:00.

“Pas një konsultimi të aktivistëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor. Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit”, shkroi Rron Gjinovci në Facebook, i cili udhëheq me ORCA, organizatë për rritjen e cilësisë në arsim.

Deputeti i PDK’së, Ardian Kastrati, ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës, në kohën sa po votohej Vjosa Osmani për presidente në Kuvend.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat