Jusuf Thaçi i reagon Adelina Graincës

Aktuale

Jusuf Thaçi i reagon Adelina Graincës

Nga: D.RR Më: 5 prill 2021 Në ora: 19:15
Jusuf Thaçi

Ish zëvendësministri i arsimit, Jusuf Thaçi në një postim në Facebook ka thënë se kalimi i një deputeti nga një grup parlamentar në tjetrin është tjetërsim i vullnetit të qytetarëve.

Ai mendon se deputeti që nuk pajtohet me partië e tij dhe që pretendon se është parimor, do të duhej të dorëzonte mandatin te partia që ka fituar mandatin e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Ndërrimi i grupit parlamentar nga deputeti është tjetërsim i vullnetit të qytetarëve

Mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës fitohet vetëm përmes votës së qytetarëve. Kandidatët për deputetë garojnë në kuadër të një partie politike, me emër, ideologji, qëndrime, pikëpamje, ide e projekte të caktuara, si dhe e cila ka mospërputhje, mospajtime e kundërshti me subjektet tjera politike. Kur votohet, qytetarët votojnë për partinë dhe kandidatët për deputetë të asaj partie duke i pasur parasysh këto elemente të sipër-përmendura. Bazuar në vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, secila parti politike i merr mandatet e deputetëve të fituara nga vota e qytetarëve.

Prandaj, cilido deputet që e ndërron grupin parlamentar dhe pretendon se është parimor, dinjitoz e me integritet, ai duhet që ta dorëzojë mandatin e deputetit, në mënyrë që ai mandat t'i kthehet partisë/grupit parlamentar që e ka fituar atë mandat nga qytetarët. Në të kundërtën, kalimi i deputetit në një grup tjetër parlamentar është qartësisht tjetërsim i vullnetit të qytetarëve, rrjedhimisht vjedhje e një mandati të deputetit nga partia që mbetet pa një mandat të deputetit, të cilin e ka fituar nga qytetarët.

Në rastin më të mirë, nëse vërtet një deputet ka mospajtime parimore me grupin e vet parlamentar, do të mund të justifikohej largimi nga grupi i vet parlamentar dhe qëndrimi si deputet i pavarur, por assesi nuk mund të justifikohet kalimi në një grup tjetër parlamentar.

P.S:

Të njëjtin qëndrim publik e kam mbajtur edhe në rastet tjera të kalimit të deputetëve nga një grup parlamentar në tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat