​Vendimi qeveritar për të liruar shtatzënat, problem zëvendësimi i shpejtë i mësimdhënësve

Aktuale

​Vendimi qeveritar për të liruar shtatzënat, problem zëvendësimi i shpejtë i mësimdhënësve

Më: 20 prill 2021 Në ora: 11:59
Foto ilustrim

Në kuadër të masave të reja anti-COVID, në Kosovë është marrë vendim edhe për lirimin nga puna të grave shtatzëna. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga kryetarët e komunave dhe drejtorët e arsimit, meqë sipas tyre do të jetë e pamundur me mësimdhënëset shtatzëna. Për të njëjtat po thuhet se vështirë mund të zëvendësohen meqë mungon buxheti dhe se procesi i rekrutimit zgjat më shumë se 40 ditë.

Me masat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi dje, të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress se janë ngritur shqetësime nga disa kryetarë të komunave por edhe drejtorëve të arsimit për mbajtjen e mësimit online.

Ibrahimi: Kuadro të tilla për momentin është e pamundur të zëvendësohen

“Është ngritur gjithashtu shqetësim që kuadrot e tilla për momentin është pothuajse e pamundur të zëvendësohen, sepse mungon buxheti. Mirëpo, është vërejtur që edhe mësimdhënësit që kanë zëvendësuar gjatë kohës se pandemisë, nuk janë kompensuar ende. Ekzistojnë disa probleme sa i përket marrjes së një vendimi të tillë. Në konsultim me drejtorët komunalë të arsimit, drejtorët kanë treguar që nuk është bërë një analizë e mirëfilltë”, tregon Ibrahimi.

Për këtë Ibrahimi shton se ka munguar një analizë e mirëfilltë sa i përket marrjes së vendimit.

Ibrahimi: Procesi i rekrutimit zgjatë 42 ditë

“Propozimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në këtë çështje është që së pari është dashur të bëhet një analizë sa i përket situatës në terren. Të merren shifrat se sa mësimdhënës janë shtatzëna, pastaj të rekrutohet stafi i ri në mënyrë që të kemi kthimin e mirëfilltë në bankat shkollore. Sepse, vendimi i fundit është që mësimi duhet të zhvillohet në banka shkollore. Problemi më i madh dhe shqetësimi më i madh i drejtorëve komunalë është që nxënësit e klasës së parë dhe të dytë të cilët kanë filluar të marrin hapat e parë sa i përket mësimnxënies, procesi i rekrutimit nëse fillohet tash për një mësimdhënës, ai proces zgjatë 42 ditë”, shton ai.

Në pikën e shtatë të masave të reja thuhet se të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia”.

Gjatë ditës së djeshme kanë hyrë në fuqi masat e reja, ku përpos zhvillimit të mësimit me prani fizike, janë hapur edhe qendrat tregtare dhe gastronomia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat