Thellohet skandali në MD, kompania fitoi të drejtën për kontratë pa qenë e regjistruar si biznes

Aktuale

Thellohet skandali në MD, kompania fitoi të drejtën për kontratë pa qenë e regjistruar si biznes

Më: 23 prill 2021 Në ora: 16:29
Blerim Sallahu

Zëvendës ministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, tha se dy hektarë e dymbëdhjetë ari e shtatëmbëdhjetë metra katrorë, pronë të Ministrisë së Drejtësisë, i janë dhënë pa bazë ligjore, një kompanie private që paraprakisht ka fituar të drejtën për të lidhur kontratë duke mos qenë as të regjistruar si biznes. 

Sipas tij akterët e MD-së që kanë nënshkruar këtë kontratë përmes së cilës kanë dhënë 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë, janë bazuar në nenin: 6 par. 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-92 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

Kjo thekson se "Komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme të komunës, për këto afate: "Dhënia në shfrytëzim afatshkurtër e pronës së paluajtshme të komunës që nënkupton periudhën nga një (1) vit e deri në pesëmbëdhjetë (15) vite;  dhe nenit 12 i cili pecakton se "të hyrat financiare të komunës që realizohen nga dhënia në shfrytëzim e pronës, konsiderohen para publike dhe i nënshtrohen legjislacionit për menaxhimin e financave publike dhe financat e pushtetit lokal. 

"Pra, i është dhënë prona e institucionit qëndror, personit juridiko-privat, duke u bazuar në një ligj që në asnjë rrethanë nuk rregullon çështjen e tillë. Thënë ndryshe, prona publike e institucioneve qëndrore ndalohet të ju jepet në shfrytëzim personave juridiko-privat", tha Sallahu.

Sipas zv.ministrit të Drejtësisë, këto gjetje janë konstatuar edhe në raportin e auditorit të brendshëm. 

Ai shtoi se kjo nuk mund të lejohet e as të tolerohet. Ky është orkestrim financiar. Kjo është kurdisje ekonomike dhe përfitim financiar i kundërligjshëm në shfrytëzim të kundërligjshëm të pronës publike dhe në dëm të interesit të përgjithshëm publik. 

"Do të ketë kthim të dinjitetit dhe besimit në institucione", tha zv.ministri Blerim Sallahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat