Kusari-Lila thotë se PDK po tenton të krijojë kauzë të rreme

Aktuale

Kusari-Lila thotë se PDK po tenton të krijojë kauzë të rreme

Më: 6 maj 2021 Në ora: 14:45
Mimoza Kusari-Lila

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i ka quajtur kauza të rreme deklaratat e PDK-së, ndaj ministres Donika Gërvalla për UÇK-në dhe Gjykatën Speciale.

Ajo përmes një konference për medie, pas incidentit të sotëm në seancën plenare, tha se britmat, sharjet dhe fyerjet nga deputetët e PDK-së nuk kishte dëgjuar asnjëherë në Kuvend.

Kusari-Lila: Të krijohet një kauzë e rreme është e papranueshme

“Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi edhe kush e votoi dhe instaloi Gjykatën Speciale. Si sot perceptohet dhe deklarohen po të njëjtit është për keqardhje. Historia nuk është aq e largët për t’iu kthyer gjitha deklarimeve të krerëve dhe përfaqësuesve të PDK-së tek ata që ishin në kundërshti me Gjykatën Speciale. Sot të krijohet një kauzë e rreme nga po e njëjta parti ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe deputetëve është e papranueshme dhe duhet në çdo situatë të ardhme të ndërmerren masa, qofshin ato disiplinore, por edhe këto reflektime të jenë pjesë e rregullores së re të Kuvendit. Kuvendi ka qenë arenë e drama edhe më të mëhershme, ka pasur raste kur deputetët e pozitës në koalicion që kanë qenë LDK-PDK kanë ofenduar, fyerjen dhe kanë akuzuar krerë të PDK-së për vrasje, por kanë vazhduar bashkëqeverisjen. Por kësaj radhe, tendenca që qeverisë me iu vesh gjitha mëkatet që këta në një kohë i kanë bërë dhe i kanë instaluar vetë është e papranueshme”, tha ajo.

Derisa dha versionin e saj për incidentin në Kuvend, Kusari-Lila veçoi, siç tha fyerjet e deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Kusari-Lila: Sharjet e Memli Krasniqit janë diçka e padëgjuar për mua në Kuvendin e Kosovës

“Me keqardhje po them se nuk mund t’i them fjalët që Memli Krasniqi i ka drejtuar në drejtim të deputetëve. Nuk ma lejon as kultura, por nuk besoj as që janë fjalë që duhet të thuhen publikisht. Memli Krasniqi ka treguar sot se absolutisht nuk e ka as nivelin minimal të mirësjelljes, veçanti ndaj grave deputete të LVV-së dhe ministres Gërvalla. Britmat e tij, sharjet dhe fyerjet nga vendi ku ishte janë diçka e padëgjuar për mua në Kuvendin e Kosovës... në dalje deputetët e PDK-së i intensifikuan thirrjet sharjet dhe kërcënimet ndaj ministres Gërvalla dhe zotëri Peci është ngritur në këmbë për të ndalë dhe komunikuar se nuk mund të silleni në këtë mënyrë me një grua”, tha ajo.

Lidhur me kritikat që iu adresuan nënkryetares së Kuvendit Saranda Bogujevci për kryesimin e seancës, Kusari-Lila tha se udhëheqja e Kuvendit nga gratë po del të jetë standard i papranueshëm për disa deputetë.

Kusari-Lila: Vënia në thumb e grave udhëheqëse, standard i papranueshëm për disa deputetë

“Ofendimet dhe cinizmat që i bëhen udhëheqësve në veçanti të seancës nuk janë për herë të parë. Ka ndodhur të njëjtën edhe legjislaturën e kaluar me zonjën Nagavci, ku vazhdimësi adresoheshin fjalë nga karrigen siç ka ndodhur edhe sot me deputetët të LDK-së dhe PDK-së nga ulëset. Vënien në thumb të grave udhëheqëse në krye të Kuvendit duket se po del të jetë standard i papranueshëm për disa deputetë aty”, tha ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat