Deputeti i PDK-së: Ka ndërhyrje prej Kryeministrisë që të vazhdohet vetëm me donacione, jo kontrata për vaksina

Aktuale

Deputeti i PDK-së: Ka ndërhyrje prej Kryeministrisë që të vazhdohet vetëm me donacione, jo kontrata për vaksina

Më: 12 maj 2021 Në ora: 00:09
PDK

Për procesin e blerjes së vaksinave për COVID-19 është duke ndërhyrë dikush nga Zyra e Kryeministrit, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Derisa ka treguar për përvojën e tij, ku kishte ofruar një kontratë për vaksina pranë Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit, një kompani i kishte ofruar blerje të dozave, Haxhiu ka thënë se dikush i nivelit qendror ka ndërhyrë për të mos lejuar blerjen.

Sipas tij, po kërkohet që doza të vaksinave të merren vetëm përmes donacioneve.

“Janë duke arritur vetëm donacione, por jo kontrata, ministri ka thënë shumë shpejt por është shumë e ngadalshme për qytetarët që po humbin jetën. Pas takimit kur ua kam përcjellë korrespodencën për ofertën, kam marrë një falënderim prej ministrisë. Duket që këtu ka pasur ndonjë, sipas disa aludimeve të disa prej zyrtarëve që duan ta ruajnë konfidencialitetin, duket se ka pasur ndërhyrje prej lartë, prej kryeministrit apo zyrës së tij që të vazhdohet në këtë mënyrë, me këtë proces përmes donacioneve dhe të mos kemi kontratë”, ka thënë ai.

Sipas Haxhiut, ndërhyrje ka pasur edhe në procesin e sigurimit të vaksinave që kishte tentuar ta arrinte ish-ministri Armend Zemaj.

Deputeti i PDK-së ka thënë se procesi i blerjes së sasive të mëdha të vaksinave është stopuar me tendencën që të vazhdohet vetëm me donacione.

“Është stopuar, aktualisht nuk po shohim. Aludimi i zyrtarëve të MSH-së është që prej nivelit qendror, zyrës së kryeministrit është duke u shikuar si mundësi që ne të vazhdojmë me këtë proces vetëm përmes donacioneve, ndonëse kemi buxhet të ndarë për vaksina”, ka thënë ai.

“Po, ka një ndërhyrje prej lartë dhe është prolonguar oferta, parakontrata që ka qenë e përgatitur nga ish-ministri Zemaj. Ka një lloj kërkese qe të shkohet vetëm në këtë formë, të mos shpenzojmë buxhet. Kjo është jo vetëm serioze, por shumë shqetësuese të presim ta bëjmë vaksinimin përmes donacioneve, se si të furnizon COVAX-i apo sa t’i jep BE-ja, është shqetësuese. Qytetarët tanë po shkojnë të vaksinohen në Serbi”, ka përfunduar Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat