Kryetari i Apelit Hasan Shala akuzon kryesuesin e KGJK-së: Jeni pengesë në punën e Gjykatës së Apelit

Aktuale

Kryetari i Apelit Hasan Shala akuzon kryesuesin e KGJK-së: Jeni pengesë në punën e Gjykatës së Apelit

Më: 12 maj 2021 Në ora: 13:24
Foto nga takimi virtual

Kritika të ashpra ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe kryesuesit të KGJK-së, Skender Çoçaj, ka pasur kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala në mbledhjen që është duke u mbajtur të mërkurën, e ku është paraparë të raportojnë kryetarët e gjykatave.

Kritikat e Shalës kishin të bënin me mënyrën e menaxhimit të punës nga ana e KGJK-së, përkatësisht me mos rekrutimin e gjyqtarëve për Divizionin Civil në Apel.

Siç tha Shala, përkundër se problemi kryesor në Gjykatën e Apelit është ngarkesa e madhe me lëndë në Divizionin Civil, KGJK kishte shpallur konkurs për gjyqtarë në Departamentin Special, i cili Departament, Shala tha se nuk ka nevojë për gjyqtarë për shkak të numrit të vogël të lëndëve që ka ky departament.

“Çfarë planifikimi bëni ju. Unë mo landë nuk kom as në Departament të Krimeve të Rënda as në Departament Special. Raportet shihet që nuk i lexoni. Është dashtë ma herët me planifiku dhe me bo analizë që me qita gjyqtarë, cilat kanë me qenë rezultatet”, tha Shala.

Shala tha se nevojitet që KGJK të intervenojë në këtë aspekt dhe të shpallë sa më shpejt konkursin për gjyqtarë të rinj, përkatësisht të shpallet konkurs për 10 gjyqtarë për Divizionin Civil.

“Jemi në mungesë të 10 gjyqtarëve, le të mbetet në ndërgjegjen e juaj, mbi 1000 lëndë janë ardh në Civile veç në mars, nuk e di çfarë pengese keni me shpallë konkurs. Në Departamentin Special keni reaguar edhe pse s`kanë lëndë, janë gjashtë gjyqtarë dhe as ka gjysmë lënde për gjyqtarë nuk është në muaj”, tha Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për ma shumë, Shala tha se për Departamentin Special është shpallur edhe konkurs i brendshëm për staf mbështetës për bashkëpunëtorë profesional dhe zyrtar ligjorë, për çka sipas tij, sërish nevoja për këtë staf mbështetës është në Divizion Civil e jo në Departament Special.

“Turpi më i madh është kur shpallni konkurs për bashkëpunëtor profesional dhe zyrtar ligjor për Departamentin Special, pra duhet m’i marr nga Civilja edhe mi dërgu anej, është për keqardhje qysh po veproni”, tha Shala.

Për shkak të numrit të madh të lëndëve, Shala tha se bie pastaj edhe cilësia e punës së gjyqtarëve pasi sipas tij, kur gjyqtarët kryejnë vazhdimisht punë mbi normën e tyre, atëherë edhe arsyetimet  e vendimeve mund të jenë të mangëta.

Shala ka akuzuar kryesuesin e KGJK-së, se nuk ka plotësuar vendet e lira për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, duke shtuar se kryesuesi Çoçaj është bërë pengesë në punën e Gjykatës së Apelit.

“Gjyqtarët janë pensionuar. Pse s’osht shpallë konkursi me i zëvendësu ata. Çka ka nevojë me u verifiku gjashtë muaj një gjyqtar. Unë po tu drejtohem ty, se je kryesues, nuk po ju drejtohem të tjerëve. Definitivisht ju jeni bërë pengesë në punën e Gjykatës së Apelit” ka përfunduar Shala.

Në anën tjetër, kryesuesi Çoçaj ka mohuar këto akuza, duke thënë se kanë bërë planifikimin e përgjithshëm dhe janë munduar të intervenojnë por shtoi se nuk dëshiron të hyjë në debat.

“Debat debat, për atë punë jemi mbledhë na” ka qenë kundërpërgjigja e Shalës.

Lidhur me konkursin për gjyqtar special, kryesuesi tha se ka ardhur për shkak të angazhimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për këtë arsye tha se janë rekrutuar gjyqtarët edhe në shkallë të parë edhe në Apel.

Ndërsa sa i përket stafit mbështetës, kryesuesi tha se ai staf nuk do jetë vetëm për Departamentin Special por do te jetë staf i Gjykatës së Apelit.

“Plani është që të sigurohet numër i nevojshëm i gjyqtarëve edhe për në Apel”, tha kryesuesi.

Po ashtu, Shala tha se edhe në gjendjen e krijuar nga pandemia nuk ka pasur intervenim nga ana e KGJK-së, pasi siç tha, vet ai është detyruar të shkojë në Ministri të Shëndetësisë për të siguruar maska dhe dezinfektues.

Por, edhe këto akuza u mohuan nga kryesuesi i cili tha se nuk është e vërtetë që KGJK nuk i ka furnizuar me pajisje anti-covid gjykatat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat