APA: BE-ja konfirmon non-paperin për ndryshim kufijsh në Ballkan

Aktuale

APA: BE-ja konfirmon non-paperin për ndryshim kufijsh në Ballkan

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 22:44
Harta e Ballkanit, me ndryshime kufijsh, sipas non-paper-it slloven

Agjencia austriake e lajmeve APA ka marrë konfirmimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi ekzistencën e një dokumenti të lidhur me non-paperin slloven, i cili ka folur, mes tjerash, për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Megjithëkëtë, nga Këshilli i BE-së kanë thënë se ky dokument nuk është publikuar ngase do t’i rrezikonte marrëdhëniet ndërshtetërore, ka raportuar e përditshmja boshnjake “Oslobodjenje”.

APA-ja ka kërkuar nga KE-ja që t’i zbulojë të gjitha dokumentet që mund të ndërlidheshin me non-paperin e kontestuar slloven, por nga Këshilli i BE-së kanë thënë se kanë “identifikuar” vetëm një dokument të këtij lloji, i cili i përmbush “kriteret” e pretenduara.

Këtë porosi, KE-ja e ka postuar në uebfaqen e saj të enjten mbrëma, ka shkruar portali slloven “24ur”.

Pas rishikimit të rastit, nga KE-ja kanë vendosur që dokumentin ta mbajnë sekret, për shkak të rrezikimit të mundshëm të interesave publike, të cilat do të pasoni pas publikimit të mundshëm të tij.

Non-paperi slloven, i cili është publikuar nga mesi i muajit prill, pati trazuar rajonin, ndërkaq tema ka qenë në qendër të vëmendjes te të gjitha shtetet e prekura.

Zyrtarët në vendet e rajonin kanë mohuar njëri pas tjetrit ekzistencën e një lloji të tillë të dokumentit, ndonëse disa syresh, si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë konfirmuar ekzistencën e dokumentit të tillë.

Çfarë thuhej në planin për ndryshim kufijsh?

Pas raportimeve për “non-paperin” e kryeministrit slloven, Janez Jansha, drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohej për vizatim të ri kufijsh në Ballkan Perëndimor, mediumi slloven “necenzurirano.si” pati publikuar dokumentet në fjalë. Aty ishin tri pika kryesore për zgjidhjen për “Rrugën përpara për Ballkanin Perëndimor”.

Në pikën e parë është përfolur për situatën aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjën dhe Hercegovinën”.

Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.

Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë. “Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të “zgjidhjes”.

Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë. “Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po që se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë e Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnje e Hercegovinë, me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.

Te boshnjakët, do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për njerëzit që të zgjedhin mes BE-së dhe një të ardhmeje jashtë BE-së (sikur Turqia).

Për BE-në është propozuar që të lansojë implementimin e një programi të përgjithshëm ekonomik për stabilizim, infrastrukturë më të mirë dhe energji për rajonin.

Hapat që duhet ndjekur, sipas dokumentit të përfolur, janë në “procedurë të heshtur” me liderët e rajonit. Përmendet edhe bashkërendimi i qëndrimeve me liderët ndërkombëtarë.

Aty shtrohet nevoja për një program i përgjithshëm i komunikimit për të prezantuar planin në publik duke marrë parasysh qëndrimet në pjesë të caktuara të rajonit.

Nëse për planin pajtohen BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e liderëve rajonalë, plani duhet të iniciohet dhe formalizohet nga BE-ja, gjithnjë sipas dokumentit.

Pos këtij non-paperi, media në Kosovë pati publikuar një tjetër non-paper mbi krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas këtij non-paperi, Kisha Ortodokse Serbe parashihej të kishte “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, do të obligohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat