Skepticizëm për avancimin e Kosovës nën presidencën sllovene

Aktuale

Skepticizëm për avancimin e Kosovës nën presidencën sllovene

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 09:29
Ilustrim

Sllovenia pritet ta marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2021. Ani pse shtet mik i Kosovës, avancimi i agjendës së vendit në procesin e liberalizimit të vizave, njohjes së pesë shteteve të BE-së dhe dialogut, do të jetë vështirë i arritshëm nën udhëheqjen sllovene.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon shprehet e pasigurt se Sllovenia do të jetë lobuese për tërë rajonin, e veçanërisht për Kosovën në presidencën e saj të Këshillit të Evropës, që pritet ta merr më 1 korrik të këtij viti.

Von-Cramon: Nuk jam e sigurt nëse ata do të jenë lobues të vërtetë për rajonin, e veçanërisht për Kosovën

“Kemi pasur pritje dhe shpresa të mëdha, sepse ndani pjesë nga historia, nga e kaluara me Slloveninë. Kam menduar se Sllovenia do të ishte ndërmjetësues i mirë për rajonin. Kam shpresuar se Sllovenia do të bëjë presion për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kam shpresuar se ata do të bënin presion për rrugën e integrimit evropian për të gjitha vendet, por pas zhvillimeve të brendshme së fundmi në Slloveni, nuk jam e sigurt nëse ata do të jenë lobues të vërtetë për rajonin, nëse do të jetë në agjendën sllovene ajo çfarë është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Kosovën. Prandaj, jam pak skeptike apo të themi më shumë skeptike se optimiste se do të ketë rezultate pozitive, sepse kryeministri aktual Jansha, nuk është person i lehtë për t’u dakorduar, fatkeqësisht”, thotë ajo.

Skeptik është edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, i cili thotë se liberalizimi i vizave, por edhe arritja e marrëveshjes finale me Serbinë nuk është vetëm në dorën e Sllovenisë.

Hamiti: Kemi vende skeptike rreth liberalizimit të vizave, Sllovenia duhet ta kuptojë mirë Kosovën

“Nuk mund të them se mund të ndodhin, as liberalizimi, as marrëveshja (finale me Serbinë) në gjashtë mujorin e këtij viti. Ndoshta po të ishte në dorën e Sllovenisë edhe mund të ndodhte, por BE funksionon në mënyrën si funksionon. Ne kemi vende skeptike rreth liberalizimit të vizave, madje vende të fuqishme evropiane. Duhet bërë punë me ta dhe kjo është çështje politike, se e thonë edhe vet që Kosova ka përmbushur kriteret teknike. Tash Sllovenia është në një pozitë të mirë për ta kuptuar më mirë Kosovën, duke qenë pjesë e ish Jugosllavisë, kur kemi qenë bashkë. Por kjo nuk thotë diçka më shumë”, deklaron Hamiti.

Ndërsa, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha thotë se nuk pret ndonjë zhvillim të ndjeshëm për Kosovën nën presidencën sllovene.

Ai kërkon që të shfrytëzohet të paktën momentumi pozitiv për avancimin në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundim të ligjit.

Shasha: Nuk pres ndonjë zhvillim të ndjeshëm

“Sa përket Kosovës konkretisht, nuk pres ndonjë zhvillim të ndjeshëm, qoftë për liberalizim të vizave, qoftë për njohjen nga pesë vendet anëtare. Por Kosova duhet të shfrytëzoj këtë momentum pozitiv të presidencës sllovene që të bëjë progres në dy shtigje. Shtegu i parë është dialogu Kosovë-Serbi dhe shtegu i dytë është që të bëjë progres në kuadër të sundimit të ligjit. Nëse Kosova bënë progres gjatë këtyre dy shtigjeve, kjo do të hapte rrugë që Sllovenia të avokojë për një vendimmarrje për liberalizim të vizave, ose gjatë presidencës së saj, ose përgatitur terrenin për vitin 2022”, thotë Shasha.

Media ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria Kurti lidhur me pritjet e tyre për avancimin e rolit të Kosovës nën presidencën Sllovene, mirëpo të njëjtin nuk kanë qenë të qasshëm.

Momentalisht presidencën e Këshillit të Evropës e ka shteti i Portugalisë, derisa çështjet e zgjerimit dhe liberalizimit të vizave nuk i ka pasur në agjendë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat