​22 vjet liri, Kosova ende pa ditë të çlirimit

Aktuale

​22 vjet liri, Kosova ende pa ditë të çlirimit

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 09:59
Frashër Demaj

Kanë kaluar 22 vjet nga përfundimi i luftës e 13 vjet nga pavarësia, e Kosova vazhdon të mos ketë ditë të çlirimit.

Ligji për festa zyrtare, 12 qershorin e njeh si ditë memorial, madje nuk e njeh si ditë të çlirimit, por si ditë të paqes.

Historiani Frashër Demaj thotë se kalendarit të festave zyrtare duhet t’i shtohet edhe kjo ditë, e cila siç thotë ai, i hapi Kosovës një perspektivë të re, lirinë e vendit dhe mundësinë për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës në paqe.

Demaj: 12 qershori duhet të jetë festë zyrtare e çlirimit të Kosovës

“Duke qenë se 12 qershori është data kur janë futur trupat e NATO-s, kur trupat e UÇK-së kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, kanë lëvizur nga qytetet dhe fshatrat, mendoj që duhet të jetë festë zyrtare e çlirimit të Kosovës. Dhe, përtej kësaj logjike, mendoj që duhet të jetë edhe festë e shtetit të Kosovës dhe të jetë ditë pushimi. Sepse, duhet t’i kemi parasysh disa fakte, janë disa ditë dhe data të shënuara që duhet të shënohen, por të mos pushohet, pra të jenë ditë pune. Dhe, janë disa data të rëndësishme që lidhen ngushtësisht me zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë, të cilat përtej logjikës të shënimit si datë, duhet të jenë ditë të veçanta dhe të shpallen festa shoqërore”, thotë ai.

Ai thotë se Kosova ka mundësi që t’i heqë disa festa të shënuara, e që pushohet, por që nuk janë të rëndësishme aq fort për popullin dhe shtetin e Kosovës, dhe të zëvendësohen me datat që janë të rëndësishme në kalendarin e zhvillimeve historike dhe politike.

Historiani Demaj flet për rrjedhën e vitit 1999 dhe ngjarjet më të rëndësishme që kulmuan me çlirimin e Kosovës.

Demaj: Marrëveshja e Kumanovës dhe ardhja graduale të nesërmen e trupave të NATO-s, provokonte një konflikt

“Duhet të përmendim 24 marsin, fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe caqeve të ashtuquajturës RFJ që përbëhej nga Serbia e Mali i Zi. Pas 72 ditësh Serbia u detyrua të kapitullonte, si rezultat i kapitullimit u nënshkrua një marrëveshje mes trupave të NATO-s dhe trupave serbe, më 9 qershor të vitit 1999, që në histori ka mbetur si Marrëveshja e Kumanovës. Pastaj, pas datës 9, trupat serbe ende gjenden në Kosovë. Më datën 11, vijnë ‘befasisht’ nga Bosnja e Hercegovina, trupat ruse dhe pozicionohen në Aeroportin e Sllatinës, që praktikisht futja e trupave ruse, Marrëveshja e Kumanovës dhe ardhja graduale të nesërmen e trupave të NATO-s, provokonte një konflikt me përmasa ndërkombëtare për shkak se Rusia me futjen e trupave të saj, po provokonte forcën kryesore ushtarake botërore, siç është NATO-ja. Andaj, ishte shumë e rrezikshme kjo”, thotë ai.

Në këtë intervistë, Demaj flet edhe për ambiciet dashakeqe të Serbisë karshi Kosovës, e të cilat nuk janë ndalur as sot, 22 vjet pas çlirimit.

Ai thotë se Serbia në fokusin e saj politik gjithmonë ka pasur tri qëllime kryesore: që të mos lejojë shkëputjen e Kosovës, që mos të lejojë Kosovën që të funksionojë si shtet normal dhe i treti, ideja që në emër të ruajtjes së monumenteve kulturore të mund të realizojë disa nga qëllimet e saj.

Këtu, Demaj ndalet tek ceremonia fetare e organizuar të enjten nga Kisha Ortodokse serbe, liturgji e cila thotë se ka për qëllim që të shërbejë si karrem për të destabilizuar Kosovën.

Ai apelon institucionet e Kosovës, opozitën por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët që të mos bien në grackën e provokimeve dashakeqe të Serbisë.

Demaj: Serbia po pretendon që t’i paraqesë shqiptarët si fundamentalistë islamikë

“Serbisë i intereson me e provokua situatën në Kosovë... Përballë kësaj situate duhet që të ketë përgjigje me mend. Unë jam shumë i bindur që institucionet e Kosovës, por edhe shoqëria kosovare do të dijë kësaj radhe që t’i jap përgjigje këtij provokimi. Mbi këtë provokim, Serbia pretendon që t’i paraqesë shqiptarët si fundamentalistë islamikë në botën e qytetëruar, posaçërisht në botën e krishterë, që në fakt kjo paraqitje përveç që është një propagandë, s’ka asnjë të vërtetë. Sepse ata që e njohin racën shqiptare e dinë që më tolerant se shqiptarët në kuptimin fetar, pothuajse nuk është asnjë popull në botë”, thotë ai.

Kosova sipas Ligjit për festat zyrtare ka 11 festa zyrtare. Ato janë, viti i ri, 1 dhe 2 janari, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, dita e parë, Bajrami i Vogël, dita e parë, Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor, Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar, Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve dhe Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat