Zbulohet çka i premtoi Vjosa Osmani, Valdete Dakës që të dorëhiqet

Aktuale

Zbulohet çka i premtoi Vjosa Osmani, Valdete Dakës që të dorëhiqet

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 13:14
Valdete Daka, Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu i ka kërkuar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, që të ofrojë dorëheqje nga pozita e saj dhe në këmbim do t'i ofrojë asaj mirënjohje publike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një burim i afërt me çështjen. Por, sipas këtij burimi, Daka e ka refuzuar dorëheqjen.

“Presidentja Osmani, në këmbim të dorëheqjes, kryetares së KQZ-së, Daka, i ofroi mirënjohje publikisht për punën e saj. Kryetarja e KQZ-së e refuzoi duke i thënë se e ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë burimi për REL-in.

Kryetarja Daka dhe zyra e saj nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen lidhur me këtë çështje.

As zyra e Presidentes Osmani nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar informacionin.

Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e udhëheq Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.

***

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës, të dorëhiqet nga pozita e saj në këtë institucion, në këmbim të mirënjohjes.

Këtë kërkesë Osmani ia ka bërë Dakës në takimin e mbajtur sot në Presidencë.

Burimet bëjnë të ditur se Kërkesa e Osmanit ishte që Daka të dorëhiqet nga posti i saj në krye të KQZ-së, e në këmbim të kësaj do të merrte një mirënjohje nga Presidentja.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Daka e ka refuzuar kërkesën e Osmanit, duke deklaruar se detyrën e saj e ka kryer në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është 5-vjeçar.

Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat