Bytyçi: Kurti dhe Osmani të japin dorëheqje e të mos e pranojnë lojën që po tentohet në Kosovë

Aktuale

Bytyçi: Kurti dhe Osmani të japin dorëheqje e të mos e pranojnë lojën që po tentohet në Kosovë

Nga: A.Zh Më: 19 qershor 2021 Në ora: 16:27
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duhet të pranojnë dorëheqjet dhe të mos pranojnë formimin e Asociacionit dhe Extra-territorialitetin e kishave e manastireve serbe.

Ai ka thënë se Kurti dhe Osmani duhet t’i drejtohen përsëri vullnetit të qytetarëve, duke mos e vazhduar misionin pro Serbisë të paraardhësve të tyre Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, përcjell Bota sot.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë votuar Kurtin dhe Osmanin për ta ndryshuar historinë e shkuar dhe për ta bërë një Kosovë ndryshe nga Thaçi dhe Mustafa.

Njohësi i çështjeve politike, ka thënë se Asociacioni dhe extra-territorialitetin e çojnë Kosovën në zhbërje shtetërore.

Reagimi i plotë i Bytyçit në Facebook:

Po shoh se si analistët dhe politikanët pro-serbë ose naivë e servilë i rekomandojnë qeverisë së zotit Kurti të pranojë Asosacionin dhe Extra-territorialitetin e kishave e manastireve serbe me arsyetimin se “Kjo qeveri qenka qeveri e vazhdimësisë së qeverisjes së Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës“!

“Historia, thuhet, nuk fillon me Albin Kurtin”! Por, qytetarët e Kosovës kanë votuar zotin Kurti dhe zonjën Osmani për ta ndryshuar historinë e shkuar. Për ta forcuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës! Për të mos gabuar si paraardhësit e tyre! Për të mos qenë shërbëtorë të Beogradit si ata! Për të mos qenë vasalë të projekteve dhe politikave serbe! Për të ndërtuar një Kosovë ndryshe! Për të bërë drejtësi brenda Kosovës dhe në raport me Serbinë! Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar! Pra, për të qenë ndryshe nga Hashimi e Isa!

Atëherë, pse u dashka me vazhdu servilizmin e paraardhësve në dëm të interesave të Kosovës?! Pse duhet që në emër të vazhdimësisë të pranohet defunksionaizimi i shtetit, i cili me asosacionin e extra-territorialitetin e çon Kosovën në zhbërje shtetërore?! Pra në ndarjen e saj! Pse duhet që kjo qeveri ta pranojë politikën e Hashimit e Isës për ta sjellë Serbinë në Kosove përmes kompetencave ekzekutive për Asosacionin dhe formave të tjera që ajo dëshiron?!

Kushdo që bie në këtë lojë, ndoshta edhe pa dashur, bëhet pjesë e orkestrës dhe korit serb me dirigjent Aleksandar Vuçiq. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të pranojnë dorëheqjet e t’i drejtohen përsëri vullnetit të qytetarëve dhe nuk duhet të vazhdojnë misionin pro Serbisë të paraardhësve të tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat