U akuzua për plagjiaturë, arsyetohet Dugolli

Aktuale

U akuzua për plagjiaturë, arsyetohet Dugolli

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 15:32
Bujar Dugolli

Profesori universitar, Bujar Dugolli i ka reaguar organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila përmes një konference për shtyp të mbajtur sot para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, e ka akuzuar atë dhe Ardian Kastratin për plagjiaturë. Ai ka thënë se “studentët dhe praktikantët e organizatës ORCA nuk duhet të bijnë pre e e-maileve anonime”.

Dugolli ka thënë se ORCA, e cila drejtohet nga Rron Gjinovci, e akuzon atë për një botim të para katër vitesh, të cilin e ka botuar në bashkëautorësi me profesorin Ardian Kastrati. Sipas tij, botimi artikulli është bërë sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara.

“Sot, përmes mediave jam njoftuar në lidhje me një aktivitet të organizatës ORCA, në të cilën është lajthitur edhe emri im. Bëhet fjalë për një artikull shkencor, i botuar para katër vitesh, në bashkautorësi me z. Ardian Kastrati, sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është revistë kredibile dhe e indeksuar ndërkombëtarësh në platformën me kredibile shkencore, Scopus”, ka shkruar Dugolli.

Profesori i Fakultetit Filozofik në UP i ka quajtur të pakuptimta deklaratat e ORCA-s, të cilat thotë se janë përpjekje për njëllosjen e tij. Dugolli thotë se artikulli në fjalë është pjesë e CV-së së tij, por nuk e ka përcaktuar thirrjen e tij akademike.

“Ky artikull, krahas dhjetëra artikujve të tjerë, është pjesë e CV-së time, poashtu edhe shumë libra të tjera, nuk ka qenë dhe nuk është përcaktuese për thirrjen time aktuale akademike, por është produkt i punës së vazhdueshme, tash e njëzetenjë vite në Universitetin e Prishtinës.
Bashkautorësia e punës profesionale dhe shkencore është vlerë, pasi afron pikëpamje të ndryshme rreth ideve teorike që trajtohen, por ato nuk mund të mbesin peng i pozicionimeve të ndryshme që ndërkohë mund të marrin njerëzit, ne jetën akademike e politike. Sulmet kundër Ardian Kastratit, i kuptoj pse ndodhin, por përpjekja për të më sulmuar dhe për të njollosur emrin tim, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, por do të punojmë për t’i sqaruar të gjitha”, ka shkruar Dugolli.

Reagimi i plotë i Dugollit:

Reagim ndaj Organizatës ORCA

Sot, përmes mediave jam njoftuar në lidhje me një aktivitet të organizatës ORCA, në të cilën është lajthitur edhe emri im. Bëhet fjalë për një artikull shkencor, i botuar para katër vitesh, në bashkautorësi me z. Ardian Kastrati, sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është revistë kredibile dhe e indeksuar ndërkombëtarësh në platformën me kredibile shkencore, Scopus.
Në kohën kur ky artikull ishte botuar, z. Kastrati ishte asistent në Fakultetin Filozofik dhe nuk ishte pjesë e politikës dhe as debateve politike që ndodhin sot, lidhur me raportet pozitë-opozitë. Ekzistojnë të gjitha korrespondencat me revistën që dëshmojnë se ne i kemi përfillë të gjitha kriteret profesionale dhe metodologjike dhe standardet e citimit, siç i aplikon revista në fjalë.
Artikulli i është nënshtruar rregullave të recensionit të fshehtë dhe është futur në sistemin e antiplagjiaturës, siç e aplikon revista në fjalë, prandaj miratimi i botimit është dhënë vetëm pasi janë plotësuar kriteret profesionale të kërkuara nga redaksia dhe recensentët ndërkombëtarë.
Punimi “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” trajton fenomene, koncepte dhe baza teorike të cilat gjerësisht praktikohen në punime shkencore dhe si të tilla ato lehtë gjinden edhe në punime të ngjashme që trajtojnë fenomenin e diplomacisë, gjatë historisë, prandaj studentët dhe praktikantët e organizatës ORCA dhe jo vetëm, nuk duhet të bijnë pre e e-maileve anonime, por duhet ta kuptojnë se termet dhe konceptet e tilla, që lidhen me diplomacinë, politikën e jashtme dhe përvojat diplomatike historike ndërkombëtare, do të jenë objekt i trajtimit të vazhdueshëm nga studiuesit e rinj, pa pasur mundësinë e kapërcimit të këtyre termave, koncepteve dhe bazave teorike.
Ky artikull, krahas dhjetëra artikujve të tjerë, është pjesë e CV-së time, poashtu edhe shumë libra të tjera, nuk ka qenë dhe nuk është përcaktuese për thirrjen time aktuale akademike, por është produkt i punës së vazhdueshme, tash e njëzetenjë vite në Universitetin e Prishtinës.
Bashkautorësia e punës profesionale dhe shkencore është vlerë, pasi afron pikëpamje të ndryshme rreth ideve teorike që trajtohen, por ato nuk mund të mbesin peng i pozicionimeve të ndryshme që ndërkohë mund të marrin njerëzit, ne jetën akademike e politike.
Sulmet kundër Ardian Kastratit, i kuptoj pse ndodhin, por përpjekja për të më sulmuar dhe për të njollosur emrin tim, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, por do të punojmë për t’i sqaruar të gjitha.
B.D.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat