​IKD: Vetingu mos të bëhet pa ndryshime kushtetuese

Aktuale

​IKD: Vetingu mos të bëhet pa ndryshime kushtetuese

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 12:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po konsideron se 100 ditëshi i Qeverisë Kurti II jo gjithherë ka reflektuar në vlerat e proklamuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Në një konferencë për medie, IKD ka listuar disa nga mangësitë e ekzekutivit në këta tre muaj, të cilët sipas tyre janë agjenda legjislative joreale, shkarkimet duke mos respektuar ligjet dhe Kushtetutën, si dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.

Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala tha se nga 192 projektligje të parapara në agjendën legjislative vetëm 25 janë nisma të reja ligjore dhe përkundër aspiratave të mëdha deri tani është miratuar vetëm një ligj nga mazhoranca e Qeverisë Kurti.

Shala: Agjenda legjislative është jo reale

“Është një agjendë joreale e cila mund të arrihet deri në fund të këtij viti. Nëse e shohim se si është planifikuar gjatë muajve të zbatohet kjo agjendë legjislative është thënë se deri ën fund të qershorit do të miratohen 31 ligje dhe deri më tani kemi vetëm një ligj të miratuar dhe një ligj i cili është miratuar në shqyrtim të parë. Nëse e analizojmë edhe përmbajtjen e kësaj agjende legjislative, nga 192 ligje disa janë nga agjenda e reformave evropiane, disa që janë bartur nga vitet e kaluara dhe disa janë plotësim-ndryshime. Nga gjetjet rezulton se në programin qeverisës janë vetëm 25 nisma të reja ligjore nga e gjithë agjenda legjislative”, tha Shala.

Ani pse e konsideroi pozitive vullnetin për ta bërë vetingun në drejtësi, Shala tha se në draftin aktual nuk janë pasqyruar drejtë problemet e drejtësisë.

Gjithashtu, u kërkua që vetingu mos të bëhet pa ndryshime kushtetuese.

Shala: Në draftin aktual të Vetingut nuk janë pasqyruar drejtë problemet e sistemit të drejtësisë

“Në draftin aktual, ndonëse nuk është përfundimtar i vetingut nuk janë pasqyruar drejtë ato problemet reale që përfaqësohet sistemi i drejtësisë. Për këtë arsye IKD i rekomandon qeverisë që të ketë kujdes në draftimin e këtij koncept dokumenti dhe të sigurohet që vetingu mos të bëhet pa ndryshime kushtetuese”, shtoi ai.

Ndërsa, Yll Zeka tha se në disa raste të shkarkimit të zyrtarëve të lartë publik nga Qeveria, nuk është respektuar Kushtetuta, ligji dhe procedura.

Zeka: Shkarkimet jo çdo herë janë përcjellë me respektimin e Kushtetutës dhe procedurave

“Shkarkimet jo çdo herë janë përcjellë me respektimin e Kushtetutës dhe procedurave. Jo në çdo rast janë përcjellë me respektimin e procedurave dhe bëjmë apel që edhe nëse do të ketë shkarkime të ardhshme të vlerësohen individualisht dhe të respektohet ligji, Kushtetuta dhe procedurat e tjera ligjore me qëllim që të kemi një siguri juridike”, tha ai.

Të vetmin aspekt pozitiv në këto 100 ditë qeverisje, IKD e vlerësoi zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat