Specialja lejon vizitat e të afërmve te ish-krerët e UÇK-së

Aktuale

Specialja lejon vizitat e të afërmve te ish-krerët e UÇK-së

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 14:13
Selia e Gjykatës Speciale

Që nga 15 korriku, të afërmit e ngushtë të të akuzuarve, mund t’i vizitojnë familjarët e tyre që po mbahen në paraburgim në Hagë, thuhet në një rregullore të re të Dhomave të Specializuara.

Në Rregulloren e Paraburgimit, në të afërm të ngushtë përfshihen: bashkëshortja/bashkëshorti, partnerja/partneri, prindërit, fëmijë, nipi/mbesa, vëllai, motra (ku përfshihen edhe vëllezër e motra vetëm prej nënës ose babait dhe vëllezër e motra të gjetura), gjyshërit, dhëndri dhe nusja.

Sipas këtij përkufizimi, të gjithë të lartëpërmendurit, do të lejohen të ndajnë kohë me të afërmit e tyre në paraburgimin e Dhomave të Specializuara, madje pa u vëzhguar nga stafi i Scheveningen, institucionit ndërkombëtar në të cilin po mbahen ish-krerët e UÇK-së.

Kujdes të veçantë Specialja u ka kushtuar organizimit të vizitave prej familjes në bazë të një procedure të thjeshtuar.

Takimet personale ndërmjet të paraburgosurit dhe bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve të të paraburgosurve realizohen në një vend të përshtatshëm brenda objektit të paraburgimit ku lejohet kontakt fizik. Ambienti është jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.

Shefi i paraburgimit mund të vendosë kufizime për vizitat dhe komunikimet, përfshirë edhe kufizime kohore, duke u bazuar në planin ditor të punës të objektit të paraburgimit dhe disponueshmërinë e personelit. Orari i vizitave mund të ndryshojë në rast se të paraburgosurit apo vizitorit nuk i përshtatet, thuhet në këtë rregullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat