Ilir Ferati flet pas kandidimit për kryetar të Istogut, ky është premtimi i tij

Aktuale

Ilir Ferati flet pas kandidimit për kryetar të Istogut, ky është premtimi i tij

Nga: P.R Më: 23 korrik 2021 Në ora: 21:08
Ilir Ferati dhe Lumir Abdixhiku

Ish deputeti i LDK-së, Ilir Ferati, njeherit djalë i ish kryetari të Komunës së Istogut, Fadil Ferati, ka marr besimin e LDK-së që të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Istogut.

E menjëherë pas kësaj, Ferati ka treguar se si synon ta fitoj garën më 17 tetor.

“Planin për Istogun e ri do ta bëjmë bashkë, në takimet e shumta që do t'i mbajmë duke filluar qysh nga sot. Ekipi im do të reflektojë sinqeritet, përvojë e vizion, dije e përkushtim, guxim e urtësi, dhe do të ndërtohet në bazë të meritokracisë brenda LDK-së, por, duke hapur dyert – krahë më krahë – për të gjithë qytetarët dhe sidomos të rinjët tanë që duan dhe kanë aftësi të kontribojnë për qytetin tonë”, ka shkruar Ferati, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Sot, kam marrë përgjegjësinë dhe nderin më të madh të jetës sime – kandidaturën për Kryetar të Istogut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Falenderimi më duket fjalë aq e vogël për të shpjeguar ndjenjën që e kam në këtë moment ndaj të gjithë Juve që më përkrahët në këtë rrugëtim; për të shpjeguar mirënjohjen e thellë por edhe krenarinë e madhe për besimin që më keni dhënë. Qytetarë të Istogut, aktivistë e simpatizantë të LDK-së, nëndegë e degë e LDK-së në Istog, kryesi e kryetar i LDK-së: JU FALEMINDERIT!

LDK-ja, për ne Istogasit, gjithmonë ka qenë më shumë se një parti; LDK-ja, për ne, ka qenë dhe mbetet shtëpia jonë e vetme politike që u themelua nga biri më i madh i Istogut, Dr. Ibrahim Rugova, vizionari i madh i Kosovës – ati themelues i Republikës tonë.

Prandaj, ne Istogasit, vizionin e Rugovës për Kosovën shtet, të pavarur e sovran, të drejtë e të barabartë, të lirë e demokratik, e kemi për detyrim ta ruajmë, ta kultivojmë, e ta bartim nëpër breza si gjënë më të shenjtë e më të shtrenjtë që kemi.

Planin për Istogun e ri do ta bëjmë bashkë, në takimet e shumta që do t'i mbajmë duke filluar qysh nga sot. Ekipi im do të reflektojë sinqeritet, përvojë e vizion, dije e përkushtim, guxim e urtësi, dhe do të ndërtohet në bazë të meritokracisë brenda LDK-së, por, duke hapur dyert – krahë më krahë – për të gjithë qytetarët dhe sidomos të rinjët tanë që duan dhe kanë aftësi të kontribojnë për qytetin tonë.

Qëllimi ynë, vizioni ynë, është që ta rikthejmë Istogun në piedestalin e vet, siç kemi ditur e bërë dikur dhe siç i ka hije LDK-së dhe Istogut.

Kjo vlerë e dëshmuar do të jetë udhërrëfyesi i vizionit të ri të LDK-së për Istogun. E për ta arritur këtë qëllim, për të jetësuar këtë vizion, ne jemi të vendosur të bartim çdo barrë, të tejkalojmë çdo vështirësi, të mbështesim çdo të mirë e të kundërshtojmë çdo ligësi. Istogu sot ka nevojë për të gjithë ne, për edukimin, eksperiencën, bagazhin politik, energjitë e dijen, vullnetin e guximin tonë.

Prandaj, zotohem para Jush që ideali i qytetarëve dhe i LDK-së për Istogun do të vazhdojë përmes nesh, gjeneratës së re politike – bashkë, ndershëm dhe me shumë përkushtim!

Jam lindur dhe jam rritë në këtë qytet, bashkë me Ju e bashkë me LDK-në. Kemi festuar e qeshur bashkë, vështirësitë e dhimbjet i kemi ndarë bashkë. Shpeshherë sfidat kanë qenë të mëdha por ne kemi refuzuar të dorëzohemi – nuk jemi zmbrapsur, nuk jemi frikësuar, kemi luftuar bashkë për të mirën e qytetit tonë. Ju, të dashur qytetarë të Istogut, keni qenë gjithmonë aty për mua, për babain tim, për familjen time e tuajën – LDK-në!

Me përkrahjen e votën Tuaj kam arritë të kaloj nëpër të gjitha strukturat e LDK-së, nga Forumi Rinor e deri tek Kryesia Qendrore si dhe kam pasë nderin e privilegjin e rrallë që të jem deputet i Juaji në Kuvendin e Republikës.

Prandaj për mua, të kandidoj për Kryetar të Istogut nuk është thjeshtë nje garë elektorale. Ky është nderi e privilegji më i madh i jetës sime sepse do ta kem mundësinë që të përdori të gjithë kapacitetin tim njerëzor, profesional e politik për të punuar me nderë, me vullnet e guxim, me dije e përkushtim për qytetin dhe njerëzit që më dhanë jetë, më rritën, e më mbështetën fort e pakusht në çdo hap timin.

Unë jam një nga Ju dhe do jem këtu për Ju dhe me Ju, sot e përgjithmonë.

Sinqerisht,

Ilir F. Ferati

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat