A do të na ndihmojë edhe Irlanda për liberalizim të vizave

Aktuale

A do të na ndihmojë edhe Irlanda për liberalizim të vizave

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 14:20
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje është takuar me ambasadorin jorezident të Irlandës në Kosovë, Ronan Gargan, dhe, përmes një komunikate për media, u bë e ditur se Kurti ka thënë se Irlanda mund të jetë zë i rëndësishëm në BE për avokimin në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në komunikatë për media, thuhet se kryeministri Kurti me ambasadorin jorezident të Irlandës, Gargan, kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja shteteve. Ndërsa pjesë e diskutimit ishte edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, dhe për këtë pikë Kurti tha se Republika e Irlandës mund të jetë zë i rëndësishëm në BE për avokimin në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

“U bisedua për rëndësinë e stabilitetit politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se Republika e Irlandës mund të jetë një zë i rëndësishëm në BE për avokimin në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.”, u tha në komunikatë për media.

Analisti politik, Fitim Salihu ka komentuar pikërisht këtë pikë, duke thënë se kjo tregon se Kurtit i mungojnë njohurit elementare se si funksionon Bashkimi Europian, dhe se bisedimet me Ambasadorin e Irlandës duhet të fokusohen në tema me bazë më realiste.

Salihu tha ky është lëshim edhe i ekpit që e rrethon Kryeministrin Kurti.

”Kryeministri Kurti jo vetëm që i mungojnë njohurit elementare se si funksionon Bashkimi Europian dhe i gjithë procesi i liberalizmit të vizave, por kjo tregon se edhe ekipin e kabinetit dhe këshilltarëve e ka joprofesional dhe të pa përgatitur pasiqë kjo është një informatë elementare që do të duhej ta dinte secili prej këshilltarëve të tij”, ka thënë ai.

”Unë e kuptoj që mund të gabojë dikush duke folur, por gabimet në të shkruar janë më të rënda sepse kanë mundësi të korrigjohen nga shumë duar të kabinetit të tij dhe kjo nuk është bërë dhe dëshmon që Kurti jo vetëm që është i painformuar por është i rrethuar nga një ekip amatorësh të kësaj fushe. Prandaj duhet të ketë një ekip të profesionistëve, dhe jo një ekip të servilëve që miratojnë çdo veprim të tij pa kontroll sepse këto gabime janë të rënda për të gjithë vendin”, tha Salihu.

Zona e Schengenit përbëhet nga 26 vende evropiane. 22 nga 27 anëtarët e BE-së janë anëtare të Zonës Schengen, ndërsa pjesë e saj janë edhe katër shtetet anëtaret e EFTA (European Free Trade Association), Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Irlanda nuk është pjesë e Shengenit. Marrëveshja, e quajtur sipas qyteti në të cilin është nënshkruar, ka hequr kontollet e pasaportave në mes vendeve anëtare të Zonës dhe ka futur politikën e përbashkët për vizat. Qytetarët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen, edhe pse Komisioni Evropian, që mat përmbushjen e kritereve, ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat