Vetëm katër ligje për katër muaj, puna e Kuvendit vlerësohet jo efikase

Aktuale

Vetëm katër ligje për katër muaj, puna e Kuvendit vlerësohet jo efikase

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 10:03
Kuvendi

Kuvendi i Kosovës është në prag të përfundimit të sesionit pranveror. Deputetët nga 6 gushti i javës së ardhshme do të shkojnë në pushim një mujor. Që nga konstituimi i legjislaturës së tetë, më 22 mars, të zgjedhurit e popullit kanë miratuar vetëm katër ligje, nga 26 sosh sa ishin në procedurë. Gjatë punës së tyre, deputetët u mblodhën plotë 20 herë në seanca plenare, pesë nga to debate parlamentare dhe dy interpelanca. E veçantë e këtij sesioni po konsiderohet edhe shkarkimi i katër bordeve publike të institucioneve të pavarura. Ndërkohë, mospërmbushjen e agjendës legjislative të Qeverisë, të paraparë për sesionin pranveror e kritikojnë nga opozita, ndërsa në partinë në pushtet e arsyetojnë atë.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se legjislatura e tetë në këtë sesion ka qenë më e dobët se ajo paraprake, ani pse ka pasur krizë politike dhe shëndetësore.

Ajo thotë se kjo dinamikë e ulët ka ardhur për shkak se Qeveria është vonuar për të dërguar agjendën legjislative në Kuvend.

Krahas miratimit të katër ligjeve, Haxhiu bënë të ditur se ndërmjet shqyrtimit të parë dhe të dytë janë edhe 22 projektligje, përfshirë edhe katër marrëveshjet ndërkombëtare që s’po gjejnë përkrahje në Kuvend.

Haxhiu: Sesioni pranveror s’ka qenë shumë efektiv

“Sesioni pranveror, gjegjësisht sesioni i parë i legjislaturës së tetë, nëse po flasim në aspekt të procesit ligjbërës nuk është se ka qenë shumë efektiv. Ndonëse kur e konsiderojmë me legjislaturën e kaluar dhe problemet që i ka pasur shumica paraletrare me numra kjo legjislaturë nuk e ka pasur këtë problem[...]Prej agjendës legjislative që qeveria e ka paraparë për këtë vit, që përbën 193 projektligje, prej këtyre vetëm 24 deri më tani janë proceduar në Kuvend. Kur llogarisim edhe dy nisma ligjore të deputetëve, nënkupton se deri tash në Kuvend janë proceduar 26 projektligje. Prej tyre janë të martuar vetëm katër deri tash që është fundi i sesionit. Krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020 është numër më i vogël. Në atë periudhë janë miratuar 10 projektligje, duke pas parasysh se vitin e kaluar kemi pas edhe krizë politike dhe shëndetësore”, thotë ajo.

Numrin e vogël të ligjeve të miratuar në Kuvend, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e konsideron si pafuqi politike të partisë në pushtet, ani pse ka mazhorancë të madhe parlamentare.

Ajo shprehet skeptike se agjenda legjislative do të përmbushet deri në fund të vitit, derisa thotë se pushteti më shumë po si kushton vëmendje shkarkimit të bordeve të institucioneve të pavarura, sesa miratimin e ligjeve.

Deliu-Kodra: Më shumë ka shkarkim të bordeve sesa miratim të ligjeve

“Çfarë kemi parë brenda katër muajve, ju e dini që as 15 përqind të agjendës legjislative të paraparë nga Qeveria Kurti nuk është përmbushur tash. E njëjta nuk presim të përmbushet as deri në fund të viti, për së afërmi. Kuvendi çka e ka karakterizuar kohëve të fundit është shkarkimet e institucioneve të pavarura, të bordeve, se sa është marrë me miratimin e ligjeve. Për herë të parë kemi një mazhorancë tepër të fuqishme, e fuqia e saj brenda parlamentit nuk është fuqi që e determinon kalimin e ligjeve”, thotë Deliu-Kodra.

Miratimin e vetëm të katër ligjeve e arsyeton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili e ndërlidh edhe me afatet ligjore të Kuvendit për të shqyrtuar Projektligjet.

Rrustemi: Në Kuvend ka afate të caktuara

“Në Kuvend ka afate të caktuara për të cilat në shqyrtim të rregullt duhet të respektohen dhe ne jemi për të shqyrtuar ato. E thash që Qeveria ka një intensitet më të madh sa i përket procedimit, por nuk shoh ndonjë vështirësi të shqyrtimit dhe miratimit të tyre, për shkak se kemi një mazhorancë stabile dhe një shumicë në Kuvend që të paktën për shkak të votave s’do të ketë ngecje. Afatet janë afate dhe duhet t’i respektojmë, por s’do të kemi situata kur ka munguar shumica për t’i votuar në kuvend. Tash çdo projektligj që ka ardhur në seancë ka marrë miratimin, qoftë në lexim të parë, qoftë në lexim të dytë. Por konsideroj se sesioni vjeshtor do të jetë periudha më e ngjeshur me shqyrtimin e projektligjeve që vijnë nga qeveria dhe janë të paraparë me planin legjislativ”, thotë ai.

Lidhur me akuzat për shkarkime të bordeve, Rrustemi thotë se operojnë në përputhje me zotimet në fushatë dhe planin qeverisës.

Rrustemi: Po operojmë në përputhje me orientimet programore

“Ne si mazhorancë po operojmë në gjitha drejtimet në përputhje në orientimet programore dhe zotimet që kemi dhënë para qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit[...]po përmbushin angazhimin tonë në drejtim të rikthimit të integritetit dhe funksionalitetit të performacës në Agjencitë, Këshillat dhe institucionet e pavarura që i ka themeluar Kuvendi dhe i raportojnë Kuvendit”, shton Rrustemi.

Ndër katër ligjet e miratuara, janë marrëveshja ndërkombëtare për IPA ndërmjet Kosovës dhe BE-së, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Kodin e Procedurës Penale, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete për heqjen e homologimit dhe rishikimi i buxhetit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen edhe të hënën e javës së ardhshme, për të debatuar për punën e qeverisë Kurti në 100 ditët e saj qeverisëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat