Kosovë, studim për gjuhën e urrejtjes në media

Aktuale

Kosovë, studim për gjuhën e urrejtjes në media

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 19:52
Studim per mediat ne Kosove

Një studim i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim, vë në pah se gjuha e urrejtjes ndaj komuniteteve të margjinalizuara zë një hapësirë të konsiderueshme në lajmet e mediave në Kosovë.

Në studimin e kryer gjatë periudhave janar – qershor të vitit 2019 dhe të vitit 2020, janë analizuar 2 mijë e 512 materiale tekstuale dhe 201 materiale audiovizive në dhjetë media elektronike të Kosovës, prej të cilave shtatë me frekuencë kombëtare dhe tri lokale.

“Në materialet tekstuale pra të portaleve të cilat janë analizuar nga 2 mijë 512 artikuj të analizuar, 453 kanë gjuhë problematike dhe nga 453 artikuj 314 kanë gjuhë të urrejtjes. Ndërsa nga materialet audio-vizive apo emisionet e analizuara emisione me gjuhë problematike kanë qenë 12 ndërsa me gjuhë të urrejtjes kanë qenë 8”, tha autori i studimit, Valon Junuzi.

Image
Valon Junuzi

 

Në hulumtim është analizuar gjuha e urrejtjes ndaj komuniteti serb, komunitetit LGBTIQ, komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas dhe imigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme.

“Komunitetet rom, Ashkali dhe Egjiptas paraqiten si të pakujdesshëm, të prapambetur dhe të prirë drejt dhunës në familje. Komuniteti serb dhe imigrantët paraqiten si të dhunshëm ndaj të cilëve duhet pasur frikë ndërsa komuniteti LGBTIQ prezantohet si devijues, të papërshtatshëm për të qenë shqiptar dhe shpërndahen thirrje homofobike që nxisin urrejtjen dhe vrasjen e tyre”, tha Valon Junuzi.

Sipas hulumtimit, raportimet për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas bien të gjitha në kronikën e zezë ndërsa mediat elektronike dhe ato vizuale nuk dallojnë sa i përket përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve të margjinalizuara.

“Pjesa dërrmuese e lajmeve apo artikujve të cilët ne i kemi klasifiku si artikuj me gjuhë problematike dhe gjuhë të urrejtjes vijnë te lajmet ditore ku dominojnë krimet e luftës, raportimet për kriminelët e ndryshëm serb që kanë kryer krime në Kosovë po vërehet një përgjithësim i këtyre krimeve nuk ka distancim të gazetarit apo redaktuesit të lajmit dhe kufizim të përgjithësisë së krimeve të luftës por vazhdimisht përmendët se serbët kanë kryer krime në Kosovë dhe nuk përmendët specifika e personit i cili ka kryer krime në Kosovë."

Në raport thuhet se ligjërimi mediatik për komunitetin serb ndërlidhet posaçërisht me kirmet e luftës dhe pengesat që Serbia i bën shtetit të Kosovës përmes popullatës serbe që jeton në Kosovë. Raportimet priren të theksojnë rivalitetin apo armiqësinë mes shqiptarëve dhe serbëve. Për komunitetin LGBTIQ ligjërimi mediatik paraqitet stigmatizues ku të qenit homoseksual përdoret si ofendim për tjetrin. Ndërsa për imigrantët mediat shkruajnë varësisht nga lëvizjet e tyre në Ballkan apo hapësirat shqiptare.

Kushtrim Kaloshi drejtor i organizatës Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim tha se është e shpeshtë kur gjuha që përdoret në media është nxitëse dhe e papërshtatshme.

“Nuk kemi informacione se çfarë ka ndodh kundër atyre mediave që keqpërdorin mediumin, abuzojnë dhe keqtrajtojnë njerëzit indirekt dhe keqinformojnë publikun për situata të ngjashme ose edhe kategoritë të veçanta të shoqërisë. Ky mos kontroll i mediave dhe mosndëshkim i mediave shpesh sjellë situatën që gabimet përsëritën dhe njerëzit janë viktimë, e viktimë dhe gjithmonë pa e marr mbrojtjen e merituar nga institucionet publike”, tha zoti Kaloshi.

Raporti bën thirrje që të përditësohet Kodi i Etikës në mënyrë që të sanksionohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes, të bëhen të parashikueshme sanksionet ndaj mediave shkelëse të rregullave profesionale të raportimit dhe të krijohen mekanizma mbikëqyrës për respektimin e këtyre rregullave. Po ashtu raporti kërkon që të përdoren filtrat redaktorial ndaj fjalimeve dhe thirrjeve që nxisin urrejtje ndaj komuniteteve të caktuara, të censurohen referimet pezhorative për minoritetet në Kosovë dhe që media të distancohet nga lajmi i cili përmban thirrje për dhunë apo diskriminim të një grupi të caktuar shoqëror./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat