Dialogu në Bruksel, flet Bislimi: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq

Aktuale

Dialogu në Bruksel, flet Bislimi: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 13:27
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislmi. Fotografi nga arkivi.

(E plotësuar 14:17) - Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.

"Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione", tha Bislimi.

Ai po ashtu tregoi se janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë, t'iu dorëzohen familjeve. Ai tha se mbetjet mortore të shtatë personave janë identifikuar nga autoritetet në Beograd dhe mbetjet e dy personave të idenfikuar gjenden në morgun e Prishtinës.

"Është e rëndësishme që të këmbejmë mbetjet mortore në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit", tha Bislimi.

Sipas tij, takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim, që sipas Bislimit, do të justifikonte mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.

Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.

Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për tragat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Delegacioni i Serbisë, ndërkaq, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve. Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar po insiston që të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare ka thënë nuk dëshiron që të takohet me të.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimet e këtij raundi bisedimesh në Bruksel janë të rëndësishme për organizimin e një takimi në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Kurti-Vuçiq pritet të ndodhë në fund të shtatorit.

Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në Bruksel nis takimi trepalësh në kuadër të dialogut teknik Kosovë-Serbi

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Besnik Bislimi ai serb i drejtuar nga Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisën bisedimet trepalëshe në Bruksel në kuadër të dialogut teknik.

Bisedimeve të sotme trepalëshe i kishin paraprirë takimet dypalëshe të djeshme, fillimisht midis përfaqësuesit të Kosovës dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe më pas me delegacionin nga Serbia.

Zëdhënësi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Peter Stano, tha të hënën se ”në këto bisedime teknike do të diskutohet për çështjet e hapura aktualisht dhe hapat e ardhshëm në dialog”.

Nga qeveria e Kosovës kanë thënë se temë e këtyre takimeve do të jetë edhe çështja e të zhdukurve.

Takimi i nivelit teknik shihet si paraprijës i atij të nivelit të lartë që pritet të ndodhë diku në fillim të vjeshtës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të fundit më 19 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat