Pozhari: Shtyrja e zgjedhjeve do ta dëmtonte më së shumti këtë parti

Aktuale

Pozhari: Shtyrja e zgjedhjeve do ta dëmtonte më së shumti këtë parti

Nga: A.Zh Më: 11 shtator 2021 Në ora: 20:02
Xhevdet Pozhari

Analisti i çështjeve politike Xhevdet Pozhari, ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve lokale, do ta dëmtonte më së shumti Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo pasi sipas tij, duke qeverisur vetëm në Prizren, shtyrja e zgjedhjeve do t’ua zgjaste mandatin e kryetarëve të partive kundërshtare të VV-së, përcjell Bota sot.

Pozhari ka thënë se udhëheqësit partiakë duhet të vlerësojnë nëse në këto rrethana kur “virusi po shkakton kërdinë, e kanë më të rëndësishme shëndetin apo pushtetin”.

Reagimi i tij në Facebook:

Personalisht, jetën e njerëzve e kam më të rëndësishme sesa fitoren e cilitdo kandidat. Komunat dikush i humb, dikush i rikthen, por njeriu nuk kthehet më. Secili nga ne thuajse kemi plagë të hapura nga ky virus. Mbase nuk ka njeri që nuk ka humbur një të afërt, një të njohur, një mik...

Varianti i ri Delta po del të jetë shumë më vdekjeprurës dhe që përhapet shumë më shpejt. Në këto rrethana, cilido mund të ketë mendime të ndryshme nëse duhet ose jo të mbahen zgjedhjet. Por, nëse analizojmë pak më me gjakftohtësi, pa vrullin e tifozërisë partiake, atëherë lehtësisht mund të konstatojmë se në gjitha komunat ku garojnë partitë politike, secila prej i tyre i kanë mesatarisht kah 900 kandidatë (pretendent për kryetar komune dhe asambleist). Këta 900 nëse i shumëzon me 5 - aq sa parti kryesore kemi, del se janë 4.500 njerëz që shpërndajnë virus çdo sekondë në fushatë me tubime dhe takime.

Aktualisht, Vetëvendosja qeverisë vetëm një komunë - Prizrenin. Shtyrja e zgjedhjeve do ta dëmtonte më së shumti këtë parti sepse do ta zgjaste mandatin e kryetarëve të partive të tjera! Por, prapë janë udhëheqësit partiakë ata që vlerësojnë nëse në këto rrethana kur virusi shkakton kërdinë, e kanë më të rëndësishme shëndetin apo pushtetin.

Mos harroni - rreth 5.000 pretendentë nga të gjitha partitë ftojnë tubime!

Kujtojmë që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka ftuar partitë politike në takim për të hënën, ku pritet të diskutohet lidhur me rekomandimin e IKSHPK-së, për shtyrjen e zgjedhjeve./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat