“Presioni ndaj Kurtit do të bëhet i tmerrshëm, pas zgjedhjeve në Serbi”/ Krasniqi tregon “rrezikun” që po përdoret kundër Kosovës

Aktuale

“Presioni ndaj Kurtit do të bëhet i tmerrshëm, pas zgjedhjeve në Serbi”/ Krasniqi tregon “rrezikun” që po përdoret kundër Kosovës

Nga: M.L. Më: 15 shtator 2021 Në ora: 17:13
Milazim Krasniqi, Albin Kurti

Publicisti Milazim Krasniqi konsideron se kryeministri Albin Kurti është në pozitë kundërthënëse, pasi ka proklamuar se do të punojë për bashkim kombëtar, ndërsa tash i është imponuar të mbyllet në llogoren e shtetit të pa-përmbyllur të Kosovës.

“Idetë e tij irredentiste kanë qenë anakronike me kohën, jorealiste. Por, ai i ka manipuluar me shkathtësi masat me ato ide. Tash kur është në pushtet, i ka modifikuar ato ide, ironikisht duke thënë se e ka kuptuar që Kushtetuta e Kosovës nuk e lejuaka bashkimin kombëtar”, shkruan Krasniqi në facebook.

Por, sipas tij, Kurti është në pozitë të vështirë, sepse mosbesimi i faktorëve ndërkombëtarë ndaj tij është i madh, në çështjen e bashkimit kombëtar. Sipas tij, presioni ndaj Kurtit do të bëhet akoma më i madh pas zgjedhjeve në Serbi.

“Ka rrezik që ata ende llogarisin se Kurti ka qëllime të fshehta, lidhur me bashkimin kombëtar. Ose këtë “rrezik” e instrumentalizojnë kundër Kosovës. Për atë shkak edhe e mbajnë Kurtin nën presion, ndërsa Vuçiqit i kanë lënë hapësirë veprimi të madhe. Llogaris që presioni ndaj Kurtit do të bëhet i tmerrshëm, pas zgjedhjeve në Serbi, kur realisht pritet të rifillojnë negociatat”, shprehet ai.

Ndërkaq sa u përket raporteve Rama-Kurti, lidhur me ”Open Balkan”, Krasniqi mendon se pozita e Ramës është agresive dhe e padrejtë.

“Përtej këtij konteksti, si duket është fjala edhe për dy persona me prirje të forta narcisoide, gjë që konfliktin e bën edhe më të dëmshëm”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat