Gjykimi i Salih Mustafës vazhdon nesër me pyetjet e avokatit

Aktuale

Gjykimi i Salih Mustafës vazhdon nesër me pyetjet e avokatit

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 10:46
Salih Mustafa paraqitet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka nisur gjykimi ndaj tij. Hagë, 15 shtator 2021

(E plotësuar 17:40) -  Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk e mban mend ditën kur thotë se është marrë nga disa persona që i janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, por ka deklaruar se është liruar me datë 18 që sipas tij ishte dita kur kishte nisur ofensiva në Zllashë.

Pjesa e tretë e seancës së sotme ku është mbajtur gjykimi në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është zhvilluar me pyetjet nga ana e avokatit të Mustafës.

Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes rreth ditës kur ai pretendon se është marrë nga disa persona, dhe për qëndrimin në Zllashë.

Dëshmitari: Nga mbajtja në Zllashë na kanë liruar ditën e ofensivës por unë nuk e kam parë atë.

Mustafa nuk ndjehet mirë, kërkon të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit

(E plotësuar 13:50) - Pas pushimit të drekës trupi gjykues do të njoftojë për vendimin që ka marrë lidhur me kërkesën e të akuzuarit Salih Mustafa, për mos qëndrimin e tij në sallën e gjyqit derisa dëgjohen dëshmitarët.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po kërkon që mos të jetë fizikisht i pranishëm në seancë gjatë gjykimit të tij.

Këtë kërkesë e ka përsëritur sot përmes avokatit të tij Julius Von Bone, i cili ka theksuar vështirësitë dhe stresin me të cilin po përballet Mustafa.

Von Bone: Salih Mustafa nuk dëshiron të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit

Pyetja që kam është kjo, siç thash sot në mëngjes, e filluam me këtë situatën lidhur me zotin Mustafa, ai preferon të kthehet në qendrën e paraburgimit duke pasur parasysh vështirësinë dhe stresin për shkak të shumë faktorëve, e diskutuam sot paradite, por njësoj si dje, dje gjatë pashmit të drekës e paraqita këtë kërkesë, preferoj ta përmend tani këtë çështje dhe jo gjatë pushimit të drekës që të evitojmë çdo vonesë për fillim të seancës dhe po ju pyes a është e mundur apo jo pavarësisht nga fakti që nuk ka një vendim procedural për atë që diskutuam sot paradite në përgjithësi, kjo është diçka që u kërkua jo vetëm për seancën sot pas drekës ku është e qartë që zoti Mustafa të mund të kthehet në qendrën e paraburgimit”, ka thënë avokati I Mustafës.

Nga gjykatësja është thënë se një vendim të tillë do ta bëjnë të ditur pas pushimit të drekës.

Gjykimi i Mustafës do të vazhdojë sot me pyetjet e avokatit të tij për dëshmitarin e parë në këtë proces, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë duke mos iu bërë i ditur identiteti.

Në anën tjetër, vet Mustafa në fillim të seancës e ka kërkuar fjalën ku ka thënë se kohët e fundit po përballet me stres por me të nisur të numërojë faktorët për këtë gjendje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

***

Ka vazhduar seanca ndaj ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, ku dëshmitari i parë në këtë proces para gjyqit ka thënë se ka pësuar lëndime nga rrahjet dhe siç ka thënë ai që nga ajo kohë nuk mund të punojë asgjë teksa ka kërkuar edhe dëmshpërblim nga Gjykata Speciale.

Dëshmitari thotë se nga rrahjet lëndime ka marrë në dorë, kokë, gisht e dhëmbë.

Dorën e kam të thyer në tri vende që më kanë rrahur. Pastaj, nuk e kam ditë por ka ndodhë që një ditë i kam pirë 10 ilaçe të kokës dhe kam shkuar tek mjeku ka konstatuar se duhet të bëhem operacion për shkak të rrahjes. Gishtin e mesit të dorës së djathtë e kam të thyer, dhëmbët e thyer. Krejt trupin të llomitur”, është shprehur dëshmitari, identiteti i të cilit mbetet sekret.

Më tej, ai thotë se të gjithë dhëmbët i ka të thyer, pas rrahjeve që sipas tij ka marrë me shqelma e boksa teksa thotë se edhe nofullën e ka pasur të lënduar për një kohë.

***

Në Gjykatën Speciale ka vazhduar gjykimi i Salih Mustafës nën dyshimet për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme është duke dëshmuar dëshmitari i parë i mbrojtur i Speciales, i cili i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari është pyetur nga Prokurori për njësitin “Skifterat” dhe nëse ka dijeni për ta, për të cilët dëshmitari ka thënë se ka dëgjuar më vonë por jo gjatë kohës sa pretendon se është mbajtur në Zllash.

Transkripti i pyetjeve të Prokurorit dhe përgjigjeve nga dëshmitari i mbrojtur:

Prokurori: Dje na the se ke parë një person që kishte shenja djegie në trup dhe i kishte durët e lidhura. Pyetja ime është kjo: Përveç këtij personi të lidhur dhe teje, a ka pasur persona të tjerë si ju?

Dëshmitari: Jo

Prokurori: Mendohu pak për momentin që e përshkrove dje, e kam fjalën për momentin që deklarove se i akuzuari më ka rrahur. Dje ke thënë se pas përfundimit të rrahjes, dy persona u urdhëruan të më dërgonin përsëri në dhomë. E mban mend këtë që e ke thënë dje?

Dëshmitari: Kam thënë se dy persona më kanë marrë pas rrahjes dhe më kanë dërguar përsëri në dhomë

Prokurori: Pasi që ke thënë se nuk i njihje, unë po të pyes a e di kush i urdhëroi këta persona

Dëshmitari: Ai që më ka rrahur

Prokurori: Do të them një fjalë dhe të kërkoj ndjesë se si do ta shqiptoj në gjuhën shqipe. Fjala “skifterat”, çfarë do të thotë për ju?

Dëshmitari: Nuk e di

Prokurori: A ka ndonjë lidhje fjala “skifter” me të akuzuarin?

Dëshmitari: Ata që kanë qenë aty kanë qenë “skifterat”

Prokurori: Por ti personalisht çfarë ke ditur për skifterat?

Dëshmitari: Në atë kohë nuk e kam ditur, por më vonë e kam kuptuar kush janë

Prokurori: Deklarove se “ata aty kanë qenë skifterat”, për kë e kë fjalën?

Dëshmitari: Thash se nuk e kam ditur kush janë “skifterat”, më vonë e kam kuptuar

Prokurori: Ti the se ata ishin “skifterat”, a e ke fjalën për personat në Zllashë që të kanë mbajtur ty?

Dëshmitari: Po

Prokurori: Këta “skifterat”, a ishin ndonjë njësit?

Dëshmitari: Nuk e di çka kanë qenë

Prokurori: Tani do të tregoj një fotografi. Sekretare të lutem tregoja edhe publikut këtë fotografi. Tregojani edhe dëshmitarit këtë fotografi. (I shfaqet fotografia dëshmitarit). Çfarë ju kujton kjo fotografi?

Dëshmitari: Po ma merr mendja se është vendi ku më kanë keqtrajtu

Prokurori: Është vendi në Zllashë ku je mbajtur? A po e thua këtë? Në cilën shtëpi saktësisht mendon se jeni mbajtur? A i thua dot gjykatës në cilën prej këtyre ndërtesave jeni mbajtur?

Dëshmitari: Qikjo dy-katëshja është, por unë jam mbajtur në bodrum ndërsa ata kanë qenë lartë

Prokurori: A po thua se në këtë ndërtesën më të lartë jeni mbajtur në bodrum? Dje na ke thënë se aty ku keni qëndruar, keni dëgjuar britma nga kati lartë? A mund t’i thuani gjykatës nëse kjo është ndërtesa ku i keni dëgjuar këto britma nga lartë?

Dëshmitari: S’kom mujt me pa kurgjo, po me siguri është qajo lart.

***

“Kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm”, ka deklaruar kështu i akuzuari nga Specialja, Salih Mustafa në seancën e sotme ku po zhvillohet gjykimi i tij në Hagë.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa po flet para trupit gjykues sot në Dhomat e Specializuara në Hagë por seanca po vijon e mbyllur për publikun.

Salih Mustafa dje ka lëshuar sallën e gjyqit për çka mbrojtja e tij ka deklaruar se i njëjti nuk dëshiron të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tij.

Por trupi gjykues e ka kërkuar prezencën e tij sot në sallë dhe menjëherë pas fillimit të seancës Mustafa ka kërkuar të flas dhe ka deklaruar se kohët e fundit po përballet me stres.

Mustafa: Kohët e fundit më është shkaktuar një stres si pasojë e disa faktorëve

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi. Pas 12 muajsh në paraburgim...”, ka thënë Mustafa dhe seanca ka vijuar e mbyllur pastaj.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat