Shkarkohet komandanti i Policisë në Gjakovë

Aktuale

Shkarkohet komandanti i Policisë në Gjakovë

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 17:32
Kristë Gjoka

Ditën e sotme është shkarkuar komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjoka.

Kështu kanë bërë të ditur burime të mediave.

Gjokës dhe disa të tjerëve sot u janë shkëputur përfundimisht kontratat e punës.

Kujtojmë se: Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 nëntor 2020, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarëve policorë, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, duke i ngarkuar ata me veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”.

Ndërsa, zyrtarin përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, Shaban Limanaj, Prokuroria në Gjilan po e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarët tjerë policorë po akuzohen në lidhje me keqtrajtimin e një të dyshuarit në qendrën e ndalimit në Gjakovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kristë Gjokaj po akuzohet se duke qenë në pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë, më 14 nëntor 2018, rreth orës 2:15, në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë, në korridorin e katit përdhese, ka keqtrajtuar tani të dëmtuarin Muhamer Arifi nga Prishtina, në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, sipas rasteve në Polici 2018-EA-1248 dhe 2018-HRGJ-60, i pandehuri i afrohet të dëmtuarit, i cili ishte i ulur në karrige dhe e godet me grusht dore në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, ndërsa të pandehurin e  largon nga i dëmtuari zyrtari policor, Gjokë Gjidoda.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj po akuzohen se gjatë detyrës së tyre zyrtare si zyrtarë policor, në vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Arifi, në atë mënyrë që derisa i njëjti ishte  i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale sipas rasteve në Polici 2018-EA-1248 dhe 2018-HRGJ-60, të pandehurit me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale sipas dy rasteve të përmendura, ashtu që fillimisht aty rreth orës 02:08, i pandehuri Milot Ukaj të dëmtuarit ia lëshon në sy dritën e baterisë dhe më pas i afrohet dhe fillon ta godasë me duar dhe këmbë, nga të cilat goditje i dëmtuari rrëzohet në dysheme.

Sipas aktakuzës, më pas ndërhynë zyrtari policor Ibër Elezaj dhe e largon të pandehurin nga i dëmtuari, por që ky i pandehur përsëri rreth orës 02:32, sërish vjen tek i dëmtuari dhe të dëmtuarin i cili ishte me pranga e kap për fyti dhe e godet në mënyrë të vazhdueshme disa herë, përsëri e largon nga i dëmtuari zyrtari policor Ibër Elezaj, por që prapë rreth orës 02:33, i pandehuri e sulmon në të njëjtin vend të dëmtuarin, i cili nga sulmi mbetet i shtrirë në tokë me fytyrë kah dyshemeja, ndërkaq rreth orës 02:36, tek i dëmtuari vjen i pandehuri Bekim Preqi dhe i njëjti bashkë me Milot Ukaj përsëri e godasin me grushte dore të dëmtuarin, i akuzuari Preqi të dëmtuarin e godet edhe në këmbën e djathtë disa herë në trup, ndërkaq rreth orës 04:24 tek i dëmtuari përsëri vijnë të pandehurit Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, dhe me këtë rast i pandehuri Milot e kap për fyti të dëmtuarin e pastaj së bashku me Gëzimin dhe Agronin e godasin me grushte dore dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i dyshuari Milot e godet me shqelm të dëmtuarin edhe në organin gjenital, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore, për çka dërgohet më vonë për ndihmë mjekësore.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Shaban Limanaj, duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit policor në Gjakovë, me datë dhe vendin e përshkruar si më lartë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që aty rreth orës 04:24 u ka mundësuar të pandehurve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi, i ndaluar dhe i prangosur për shkak të dy veprave penale, ku të njëjtit më pas e keqtrajtojnë duke e sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Për këtë, sipas aktakuzës, po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 parag.1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat