4 hapat për uljen e tensioneve në veri të Republikës së Kosovës

Aktuale

4 hapat për uljen e tensioneve në veri të Republikës së Kosovës

Nga: G.B Më: 24 shtator 2021 Në ora: 15:37
Jarinje

Ehat Miftaraj nga IKD ka treguar 4 hapat për uljen e tensioneve në veri të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kryeministri Kurti duhet të takohet me komandantin e KFOR-it dhe t’i kërkojë që ky i fundit ta marrë përsipër ruajtjen e sigurisë në Jarinje, pastaj Njësia Speciale të kthehet në Prishtinë, përcjell Bota sot.

Më pas, sipas Miftarajt duhet të zbatohet marrëveshja për targat, në pajtim me vendimin e Qeverisë dhe KFOR të sigurohet që të gjitha rrugët të jenë të hapura, sidomos për serbët, që janë viktima të politikave të Vuçiqit.

Postimi i plotë:

Hapat për uljen e tensioneve në veri të Republikës së Kosovës:

1. Kryeministri Kurti takon komandantin e KFOR-it dhe i kërkon që në pajtim me marrëveshjen Kosovë-NATO, KFOR të marrë përsipër ruajtjen e sigurisë në afërsi të pikës kufitare në Jarinje. KFOR të ketë prezencë të shtuar në pikat kufitare dhe të kujdeset për sigurinë e doganierëve dhe policëve të rregullt në veri të Republikës.

2. Trupat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të kthehen në Prishtinë, pasi e kanë përfunduar me sukses misionin që iu është kërkuar.

3. Marrëveshja për targat vazhdon të zbatohet, në pajtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

4. KFOR po ashtu të sigurohet që të gjitha rrugët në veriun e Republikës të jenë të hapura për qytetarët, me theks të veçantë serbët, të cilët janë viktimat kryesore të politikave ditore të Presidentit Vuçiq dhe grupeve kriminale në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat