Mësoni gjithçka çfarë ndodhi në Samitin e Sllovenisë

Aktuale

Mësoni gjithçka çfarë ndodhi në Samitin e Sllovenisë

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 00:56
Samiti i Sllovenisë

Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët në samitin që u mbajt në Brdo të Sllovenisë.

Në deklaratën e përbashkët BE-Ballkani Perëndimor përmendet edhe procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën 6 të kësaj deklarate thuhet se “Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd- Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja Palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen e cila ka marrë pjesë në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi se vendet e Ballkanit i takojnë familjes evropiane.

Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera”, ka thënë Von der Leyen.

Gjithashtu, pas samitit Von der Leyen tha se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës e Serbisë për targat është një mesazh i rëndësishëm për rajonin.

Marrëveshja e lehtësuar nga BE-ja ishte mesazh i shkëlqyeshëm edhe për rajonin, se është e mundshme që kur të uleni në tavolinën e negociatave, me dëshirën për të gjetur zgjidhje edhe në situata të vështira dhe mund të gjinden zgjidhje e të vazhdojmë përpara. Nëse i shohim deklaratat sot është mesazh i qartë se jemi të zotuar për zgjerim”, theksoi ajo.

Kurse, komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në samitin në Slloveni ka thënë se janë të përkushtuar për integrim dhe anëtarësim të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Varhelyi foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa tha që do të nis një proces i tillë.

Ne duhet të të marrim përgjegjësitë dhe vendimin që na dërgon në këtë, që nënkupton nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e negociatave me Serbinë, përshpejtimin e punës tonë me Bosnjë dhe Hercegovinën që të jetë vend kandidat, dhe nisjen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Varhelyi.

Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur me tone kritike në samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, për shkak të mos heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se pavarësisht se BE ka deklaruar publikisht se Kosova ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave, një gjë e tillë ende nuk po ndodh.

Por, çfarë ndodh me ekzistencën e 2 milionë qytetarëve nga Kosova ende të mbyllur brenda vendit të tyre pas disa vitesh që vendi arriti pajtueshmërinë e plotë për liberalizimin e vizave. A nuk është surreale që ata të mund të udhëtojnë lirshëm jashtë vendit të tyre nën një regjim brutal të hequr me ndihmën e bombave të SHBA dhe BE dhe tani çlirimtarët e tyre i mbajnë të kyçur? Nga rruga BE -ja i ka dhënë liberalizimin e vizave 52 milionë njerëzve jashtë Bashkimit të ardhshëm dhe jo vetëm më parë, por edhe pasi vetë BE deklaroi publikisht se Kosova përmbushi të gjitha kriteret teknike dhe madje edhe kriteret krejtësisht ad hoc të zgjidhjes së kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Rama.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin Brdo të Sllovenisë ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, ka thënë se është diskutuar për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave.

Në Twitter, Kurti ka shkruar se Kosova mbështet të gjitha marrëveshjet të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin me kancelaren Angela Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar ai.

Ndërsa Vuçiq deklaroi se Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

Ka perspektivë për zgjerim, por është e qartë se jo të gjithë anëtarët (e BE-së) kanë të njëjtin oreks”, tha Vuçiq për gazetarët pas samitit në Bërdo mes BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
 Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”, tha ai.

Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Samitin Brdo ka takuar kryeministrin Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Twitter, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë më shumë drejt marrëveshjes përfundimtare.

Diskutuam marrëveshjen e javës së kaluar në mes të Beogradit dhe Prishtinës me Albin Kurtin – si hap i rëndësishëm që duhet implementuar.Thërras të dyja palët që ta intensifikojnë punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e dialogut nga BE”.

Po ashtu, presidenti i Francës, Emmanuel Macron në përfundim të samitit të Brdo foli për një situatë komplekse në Ballkan.

Macron iu referua problemeve mes Kosovës dhe Serbisë por dhe përplasjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Patëm një diskutim shumë të mirë sot për Ballkanin dhe perspektivën e integrimit. Situata sot paraqitet shumë e komplikuar mes shumë vendeve të Evropës. Situata mes Serbisë dhe Kosovës, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duket shumë kompleks. Kemi kaluar disa momente me drejtuesit e vendeve dhe kancelaren. Gjithashtu sot kemi diskutuar për situatën mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, siç e dini. Duhet të përparojmë mbi këtë temë por qëllimi ynë është të mundemi t’u ri-japim një perspektivë Ballkanit që janë të gjithë në Evropë”, u shpreh presidenti francez. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat