​Rivarrosen martirët e masakrës së Rezallës, Kurti paralajmëron Serbinë: Nuk do të ndalemi derisa ...

Aktuale

​Rivarrosen martirët e masakrës së Rezallës, Kurti paralajmëron Serbinë: Nuk do të ndalemi derisa ...

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 15:08
Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit

(E plotësuar 18:00) - Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vendosur lule mbi arkivolet e nëntë viktimave të masakrës së Rezallës që u gjetën në Serbi.

Kurti ka thënë se në vazhdimësi do të kërkojnë drejtësi për krimet çnjerëzore që Serbia i ka kryer ne Kosovë.

Sot, 22 vite e gjysmë, pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami. Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e sigurisë së Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë. Por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës.

Image

Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar, për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha më tej ai.

***

Eshtrat e zhvarrosur në Kizhevak të Serbisë që u përkasin shtatë personave të vrarë në Masakrën e Rezallës, dhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura disa vjet më parë në Rashkë, janë varrosur sot me nderime shtetërore në varrezat e martirëve në fshatin Rezallë të Drenicës. Aty, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka thënë familjarëve se nuk do të ndalen derisa të sjellin drejtësi për ta, duke shtuar se varret në Rezallë janë një prej dëshmive për gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë.

Më 5 prill të vitit 1999, ushtria e policia serbe vranë te gjithë burrat e fshatit Rezallë, masakër nga e cila shpëtuan të gjallë vetëm tre persona.

Shaban Deliu është banor i Rezallës i cili varrosi sot eshtrat e babait, të cilit i kishte hapur varrin shumë vite më parë, ndërsa për dy dekada nuk dinte asgjë për fatin e tij. Ai u shpreh se sot, pas gjetjes së trupit të të atit ndjehet më i lehtësuar.

Image

Deliu: Ndjehemi më të lehtësuar pas gjetjes së trupave

“Sot kur i kemi gjetur trupat në Kizhevak të Serbisë ndjehemi disi te lehtësuar sepse pas kaq shumë vitesh eshtrat e tyre do të pushojnë te qetë dhe do të kemi një varr për t’i kujtuar si u flijuan për liri. Ne nuk do te ndalemi, do të kërkojmë drejtësi, do të kërkojmë llogari për çdo masakër”, tha Deliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vazhdimësi do të kërkojnë drejtësi për krimet çnjerëzore që Serbia i ka kryer ne Kosovë.

Kurti: Jemi gjithmonë bashkë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë

“Të pushkatuar me pothuajse te gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999 nga forcat shtetërore të Serbisë u rrëmbyen e groposën në varreza masive në Kizhevak e Rudincë të Serbisë, por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive, këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kemi obligim që të bëjmë të gjithë sa mundemi e dimë që t’i premë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Të dashur familjarë jemi bashkë për të nderuar sot dëshmorët e martirët e për të mos lejuar harresën dhe mizoritë që ndodhen, jemi gjithmonë bashkë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë, nuk do të ndalemi derisa të sjellim drejtësi për ta”, deklaroi Kurti.

Ceremonia e varrimit është bërë nga Komuna e Skenderajt, kryetari i së cilës, Bekim Jashari tha se këto arkivole janë arkiva e cila argumenton se kush ishin kriminelët e luftës.

Jashari: Këto masakra janë arkiva që argumenton se kush ishin kriminelët

“Këto masakra, këto arkivole, dhe këto komplekse memoriale janë arkiva e cila argumenton vazhdimisht dhe në çdo kohë se kush ishin kriminelët dhe vrasësit në këtë luftë të pabarabartë dhe të imponuar. Ne ishim viktima, ne ishim në të drejtën tinë, në vendin tonë, në tokën tonë të shenjtë, fatkeqësisht edhe pse pas kaq vitesh shteti serb ende nuk ka dhënë përgjegjësi ndërkombëtare për gjenocidin e bërë ndaj popullit tonë. Akoma kriminelët e kësaj masakre dhe masakra të tjera anë e kënd Kosovës nuk kanë dalë para drejtësisë. Drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet njëherë e mirë me kriminelët e vërtetë, ata edhe sot e kësaj dite enden të lirë dhe pa u ndëshkuar për krimet e tyre. Kurse si për ironinë e fatit, në Gjykatën Speciale në Hagë padrejtësisht po mbahen e gjykohen ata të cilët i dolën në ballë kësaj barbarie, luftëtarët e lirisë. Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre”, ka thënë Jashari.

Për ish-pjesëtarët e UÇK-së që janë në Hagë, Jashari tha që presim të kthehen ballëhapur si fitimtarë.

Komuna e Skenderajt i ka ndarë mirënjohje Arsim Gërxhaliut për kontribut në çështjen e të pagjeturve.

Në atë që njihet si Masakra e Rezallës ushtria e policia serbe kishin ekzekutuar 98 shqiptarë, ndër të cilët kishte pleq e të rinj, banorë të Tezallës dhe të fshatrave përreth, ku 44 prej tyre pastaj i kanë zhdukur.

***

Në Rezallë të Skenderajt, të shtunën më 9 tetor u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.

Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.

Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skenderajt.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave civile shqiptare u kthyen në Kosovë më 30 shtator dhe ato iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Në ditën kur u kthyen mbetjet mortore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi nga Merdarja se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Image

***

Janë varrosur eshtrat e martirëve të masakrës së Rezallës të cilat u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari kanë organizuar ceremoninë e rivarrimit të martirëve të masakrës së Rezallës.

Kujtojmë se javën e kaluar përmes pikës kufitare në Merdarë janë sjellë eshtrat e shtatë trupave dhe mbetje mortore të dy të tjerëve për ribashkim, të shqiptarëve që u vranë në masakrën e Rezallës.

Mbetje mortore janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat