Dy dëshmitarë në rastin e Salih Mustafës pritet të dëgjohen në janar 2022

Aktuale

Dy dëshmitarë në rastin e Salih Mustafës pritet të dëgjohen në janar 2022

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 07:39
Salih Mustafa

(E plotësuar 17:00) - Në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt pas kthimit nga pushimi i drekës, në seancën ku po gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa.

Seanca ka vazhduar me disa urdhra të lëshuar nga kryetarja e trupit gjykues dhe me propozimet e saj për orarin e dëgjimit të dëshmitarëve të tjerë për muajt e ardhshëm.

Mappie Veldt-Foglia ka bërë të ditur se trupi gjykues do të mund të dëgjojë vetëm një dëshmitarë në javë ka deklaruar se dëgjimi i dy dëshmitarëve do të mbetet për muajin janar.

Ajo ka thënë se nga zyra administrative janë njoftuar gjatë muajve në vijim nuk do të mund të zhvillohet sesioni i katërt i seancës dhe kjo vlen për çdo ditë. Andaj sipas saj, trupi gjykues për një javë do të mund të dëgjohet vetëm një dëshmitar, përjashtimisht nëse koha e pyetjeve e vlerësuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është më shumë se dy orë.

Foglia: Trupi gjykues do të mund të dëgjojë dëshminë e një dëshmitari në javë

“Trupi gjykues propozon të ndjek rendin e propozuar nga ZPS me përjashtim të dëshmitarëve 4391, 4390 dhe 4676. Propozimi i trupit gjykues, është propozim sepse duhet të shikojmë edhe disponibilitetin dhe arsye të tjera, është që të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit 4676 në periudhën 17-19 nëntor 2021 dhe dëshmia e dëshmitarëve 4391 dhe 4390 në periudhën 22 deri 26 nëntor. Arsyeja për këtë ndryshim të propozuar është sepse në javën e 22 nëntorit, trupi gjykues ka në dispozicion siç u është komunikuar palëve dhe mbrojtëses së viktimave, nuk kemi më shumë se tri ditë radhazi për të dëgjuar dëshmitarët”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Ajo ka thënë se dëshmitarët 4601 dhe 4484 pritet të dëgjohen në muajin janar 2022.

Foglia: Dy dëshmitarë pritet të dëgjohen në muajin janar të vitit të ardhshëm

“Për shkak të caktimit të orëve, të kohës pra, për seanca gjyqësore dëshmitari 4485 me shumë gjasë do të caktohet të dëshmojë në periudhën 13-15 dhjetor, dhe dëshmitarët 4601 dhe 4484 me shumë gjasë do të japin dëshminë në janar të vitit 2022. Nuk pres që të reagoni më vend tani por ky është propozimi ynë konkret lidhur me tre dëshmitarë”, ka thënë ajo.

Pjesa e fundit e seancës, e cila filloi me vonesë, u mbajt edhe më disa pjesë të mbyllura për publikun.

Në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar nga palët që kur të paraqesin materiale si prova, të tregojnë edhe nivelin e klasifikimit të materialit në fjalë, për çka edhe ka lëshuar një urdhër për ZPS-në.

Foglia: ZPS të informojë trupin gjykues rreth materialeve që mund të klasifikohen si publike

“ZPS të informojë trupin gjykues jo më vonë se dita e premte 12 nëntor 2021, se cilat materiale të përfshira në parashtrimin e protokolluar 201 përfshirë edhe materialet e përmendura nga i akuzuari në intervistën e tij me ZPS-në mund të klasifikohen si publike nëse ka dhe nëse do të konsiderohen si të pranuara. Gjithashtu ZPS-ja të bëjë të ditur jo më vonë se datat 15 tetor 2021, se cilat materiale të përfshira në parashtrime të protokolluara 128 mund të klasifikohen si publike nëse ka dhe konsiderohen si të pranuara”, ka thënë Foglia.

Dëshmitari i katërt i mbrojtur i ZPS-së, i cili ka dëshmuar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndër të tjera ka thënë se nga dy persona me maska është dërguar në një objekt mbajtjeje në Zllashë ku sipas tij, ka marrë trajtim çnjerëzor.

Megjithatë, pjesa më e madhe e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun. Salih Mustafa ka marrë pjesë në këtë seancë me prezencë fizike.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Në gjykimin e Mustafës hapet debat për shfaqjen e fotografive gjatë seancave

Është duke u zhvilluar seanca gjyqësorë ndaj Salih Mustafës në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Me këtë rast ka dëshmuar për herë të parë dëshmitari i katërt me radhë në drejtim të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Deri më tani ndaj Mustafës kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Përgjatë pak minutave ku u transmetua seanca gjyqësore e sotme dëshmitari theksoi se ishte mbajtur në një ahur në Zllashë.

Madje ai tha se njerëzit të cilët i kishte parë kishin uniforma të UÇK-së, pra ku i shihej edhe flamuri.

Po si zakonisht uniformat e UÇK-së shenjën e flamurit s’ka pas diçka tjetër. S’kisha kurrfarë ndjenje që me dit a diçka…Po nga jashtë isha poshtë, ishte dy katëshe e poshtë ishte një dere e vjetër, u hap dera e hym brenda. S’ishte edhe i vogël po as jo shumë i madh…Aty ishte ku mbaheshin kafshët.
E kishte një dritare të vogël. Pra ishte dera dhe dritarja.Aty kanë qenë edhe katër persona tjerë, i kom ngjeh
”, tha dëshmitari.

I njëjti është pyetur nëse ky vend ruhej me roje nga jashtë?

Ai me këtë rast theksoi se nuk i kishte parë.

Nuk e kam parë… s’kom pa që ka pas roje. Po kur ma kanë pru bukën mendoj se ai ka qenë roje, paradite na kanë pru edhe ushqim sa kemi dashtë edhe ushqimi ka qenë i mjaftueshëm. Qat ushqim qe e kanë hëngër ata vetë na kanë pru dhe neve brenda. Kom qëndru prej 4 deri më 18-19… më duket se ka qenë 19 prill.Kushtet ishin çnjerëzore kur hyn brenda aty trajtohet krahasohet me kafshët jo si njeri”, deklaroi ai.

Tutje dëshmitari tha se nuk di si mund të përshkruajë kur njeriu papritmas dërgohet në një vend që se ka pas as ëndërr atë.

Ndryshe në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës për krime lufte, avokati i këtij të fundit, Julius Von Bone ka thënë se publikimi i fotografive që u paraqiten dëshmitarëve gjatë gjykimit mund të ndikojë në dëshmitarët e ardhshëm.

Sipas avokatit Von Bone, të gjithë në Kosovë dhe dëshmitarët që do të paraqiten në sallë mund të shohin fotografitë në fjalë dhe një gjë e tillë mund të ndikojë në dëshminë e tyre.

“Thjeshtë e ngrita si çështje këtë për personat përkatës, nuk mendoj se është gjë e mirë që fotografitë që përdoren për të identifikuar nga ana e disa dëshmitarëve në një moment të caktuar janë të publikuar në televizor gazeta e kështu me radhë, sepse personat mund të ndikohen prej kësaj, mund t’i kërkojmë këto fotografi t’i shikojnë dhe nëse nuk ka fotografi tjera që ju tregohen dhe nëse dikush jep dëshmi në gjykim dhe këto janë dokumentet që i tregohen dëshmitarit ka mundësi t’i ketë parë më përpara”, ka thënë ai. Avokati Von Bone ka shtuar se nëse dëshmitarët i kanë parë më përpara këto fotografi, ka mundësi të jenë të përgatitur për dëshminë në një mënyrë të caktuar.

***

Po vazhdon seanca në Hagë ndaj Salih Mustafës, ku fillimisht avokati mbrojtës diskutoi rreth shfaqjes së disa fotografive gjatë seancave të kaluara aty, të cilat i janë treguar dëshmitarëve pjesëmarrës.

Sipas avokatit, Julius Von Boné, gjykata duhet të tregojë kujdes gjatë shfaqjes së imazheve në seancë, për shkak se tha që mediat në Kosovë i ndjekin këto seanca me interesim jashtëzakonisht të madh dhe se nuk do që kjo punë të ndikojë te dëshmitarët.

“Të jemi të ndërgjegjshëm që këto foto janë publikuar në lajme dhe media të Kosovës, sepse ky proces gjyqësor atje ndiqet drejtpërdrejt dhe me një  interes jashtëzakonisht të madh. Kjo punë mund të ndikojë te personat që janë duke dëshmuar ose që mund të dëshmojnë. Te mos ketë një gjykim në media në Kosovë, se unë e mbroj klientin tim dhe s’dua ta kemi një ndikim të parregullt”.

Mbrojtësi i Salih Mustafës po ashtu shtoi se është në të keqen e prokurorisë nëse dëshmitarët do të influencohen apo jo, para që kjo është në dorën e tyre.

Ndërkaq gjykatësja e kësaj seance u shpreh se është një nga prioritetet e kësaj gjykate që të informojnë popullin e Kosovës për atë se çfarë po ndodhë në këtë sallë.

Pas kësaj, në sallë u ftua dëshmitari me numër 3594, i cili filloi të merret në pyetje në seancë të mbyllur, për shkak se siç tha prokurori, janë disa pyetje personale që mund të rrezikojnë identifikimin e tij.

***

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

 

Sot vazhdon gjykimi i Salih Mustafës në Hagë

Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Cali”.

Procesi gjyqësor ndaj Mustafës do të vazhdojë nga ora 09:30 dhe do të zgjasë deri në orën 16.00.

Ndryshe më 5 tetor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i tretë në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në seancën e javës së kaluar, dëshmitari gjatë deklarimit të tij, ka thënë se pasojat e asaj që i ka përjetuar gjatë luftës, vazhdon t’i ketë edhe sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat