Gjithçka që duhet të dini për reagimet ndaj skandalit të Prokurorisë dhe AKI-së

Aktuale

Gjithçka që duhet të dini për reagimet ndaj skandalit të Prokurorisë dhe AKI-së

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 08:26
Sylë Hoxha dhe ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi

Zbulimi i skandalit më të madh të përfshirjes së AKI-së dhe Prokurorisë, ka tronditur Kosovën të premten. Kryeprokurori i Shtetit ftoi një mbledhje urgjente. Prokuroria nisi hetimet për aferën e publikuar.

Ministrja e Drejtësisë bëri thirrje për mbajtje para përgjegjësisë penale të njërit prej protagonistëve të aferës. Skandali u cilësua si “krim shtetëror” dhe “megaskandal” nga juristët.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi mblodhi të premten në mesditë krerët e Prokurorit të Shtetit dhe përgjegjësit e pretenduar të një skandali të madh në të cilën u përfshi prokuroria, AKI-ja dhe organe të tjera të sistemit juridik.

Skandali hodhi dritë mbi veprime që rrezikojnë sigurinë juridike në Kosovë. U publikua të premten, disa orë para mbledhjes së jashtëzakonshme të krerëve të prokurorisë.

Ky hulumtim zbuloi sesi ish-prokurori special, Sylë Hoxha dhe ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi kanë prodhuar dëshmitarë fiktivë për të dhënë dëshmi të pambështetura në një proces gjyqësor. Viktima do të ishin të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit”.

Hoxha, në një marrëveshje gojore në janar të vitit 2018 me Gashin, kanë përfshirë dy agjentë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në këtë skandal.

Ish-prokurori, tash në pension, dhe ish-kryespiuni i Kosovës ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Me ato identitete ishin prezantuar në gjykatë si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë. Në janar të vitit 2018, ata kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në gjykatë.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për të akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Prokuroria nis hetimet

Prokurori i Shtetit paralajmëroi hetimin e skandalit të ish-prokurorit Hoxha dhe ish-shefit të AKI-së Gashi, të dyshuar për “rekrutimin” e dy agjentëve të AKI-së për dhënien e dëshmive të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj Ramabajës dhe të tjerëve.

Në një deklaratë për media të premten në mbrëmje, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit tha se do të ketë reagime ligjore ndaj skandalit të publikuar.

“Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, tha KPK-ja.

Organi kryesor i akuzës tha se nuk do të lejojë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial.

Hoxha mohon përfshirjen, Gashi fshihet prapa skandalit

Driton Gashi është fshehur prapa skandalit.

Tri ditë pas publikimit të hulumtimit që implikon atë në prodhimin e dy dëshmitarëve fiktivë për të dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë, ish-shefi i AKI-së ka heshtur.

Por, njeriu që dyshohet të ketë bashkëpunuar me të, ish-prokurori Sylë Hoxha, ka mohuar të ketë gisht në skandal.

Në një intervistë Hoxha tha se “këto punë nuk bëhen nën kërcënimin e askujt”. Tha se ka kryer procedurën e përcaktuar si prokuror, sikurse në çdo lëndë tjetër.

“Kurrëfarë marrëveshje nuk kemi bo me askënd e kam zhvilluar proicedurën, janë shkresat e lëndës, janë procesverbalet dhe vendimet. Këto punë nuk bëhen me marrëveshje as nuk bëhen nën kërcënimin e askujt”, deklaroi ai.

Ministrja ndërhyn në punën e prokurorisë, kërkon mbajtjen e Hoxhës para përgjegjësisë penale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që të ftohet para përgjegjësisë penale ish-prokurori special, Sylë Hoxha, në një reagim pasditen e së premtes.

Haxhiu, ndërhyu në punën e prokurorisë. Duke iu referuar zbulimit të skandalit, ajo tha se është koha që ish-prokurori special të mbajë përgjegjësi penale për veprimet e tij.

“Pas skandalit të Sylë Hoxhës kundrejt Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, le ta kujtojmë edhe faktin që Sylë Hoxha ishte prokuror edhe në rastin e Astrit Deharit. Është koha që ky person të thirret para përgjegjësisë penale”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, zëvendësi i saj, Blerim Sallahu i cilësoi “kriminalë” prokurorët e shtetit.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, tha Sallahu në një reagim në Facebook.

Në një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së zëvendësministrit, Këshilli Prokurorial i Kosovës kërcënoi qeverinë me ndërprerje të bashkëpunimit në rast se nuk distancohet nga komentet e Sallahut.

Sadri Ramabaja reagon ndaj “krimit shtetëror” – juristët e cilësojnë “megaskandal”

Sadri Ramabaja, ndaj të cilit dëshmuan rrejshëm në gjykatë dy agjentë të AKI-së, ka thënë se “po fillon zbërthimi i krimit shtetëror” pas publikimit të skandalit të premten.

Rambaja tha se regjisori real i skandalit “është në krye të Republikës”.

“Në fjalën time të mbrojtjes pata potencuar se rasti ndaj meje është tërësisht i montuar dhe se regjisori real është në krye të Republikës. Fatkeqësisht, ai dhe krerët e SHIK-ut, tok me lakejt e tyre me emrat Sylë Hoxha, Driton Gashi, për 20 vite e kishin mbajtur Republikën peng”, tha Ramabaja.

Ndërkaq, zbulimi u cilësua si afera më e madhe e nxjerrë në pah në Kosovën e pasluftës nga juristi, Arianit Koci.

“Gjyqësinë, sigurinë dhe inteligjencën e kam fah. Kam shumë informacione. Prandaj, nëse ky lajm është i vërtetë – e deri tash nuk ka reaguar askush zyrtarisht – lirisht mund të them që Vehbi Kajtazi me portalin Paparaci, e ka zbuluar skandallin më të madh në Kosovën e pasluftës”, u shpreh Koci.

Koci vijoi se “thjesht, si duket, nuk ka fare siguri juridike për qytetarin e Kosovës”.

Redaktori në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli tha se do “të ishte krim shtetëror”.

Robelli tha se vërtetësia e hulumtimit do të nënkuptonte se brenda AKI-së “ka zyrtarë potencialisht kriminalë që çojnë në burg qytetarë me dëshmi të rrejshme”.

“Nëse është e vërtetë që dy punëtorë të AKI-së kanë dhënë dëshmi të rrejshme në një proces gjyqësor, kjo duhet të shkaktojë një termet politik dhe gjyqësor në Kosovë”, tha Robelli. “Ky do të ishte Krim shtetëror”.

Media, publikoi të shtunën serinë e dytë të shkrimit hulumtues mbi skandalin e Prokurorisë dhe AKI-së.

Shkrimi u mbështet në dëshmitë e dy dëshmitarëve fiktivë të koduar A2, A3 në gjykatë dhe raportit që ata si agjentë të AKI-së i kishin dërguar Kryeprokurorit të Shtetit.

Transkriptet e deklaratave të tyre në gjykatë, tregojnë se dëshmitë e pjesëtarëve të Agjencisë së Kosovës për inteligjencë në rastin e “Syrit të Popullit” tejkalojnë shumëfish raportin zyrtar që Agjencia i kishte dorëzuar kryeprokurorit të Shtetit.

Këto dëshmi e konfirmojnë se dy dëshmitarët e prezantuar, njëri cigareshitës e tjetri i papunë, janë autor të raportit që i ishte dorëzuar kryeprokurorit, Lumezi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat