​Kurti: Agjencinë Kosovare të Akreditimit synojmë ta bëjmë tërësisht të pavarur

Aktuale

​Kurti: Agjencinë Kosovare të Akreditimit synojmë ta bëjmë tërësisht të pavarur

Më: 25 janar 2022 Në ora: 14:42
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe një herë ka fajësuar qeverisjet e kaluara për sistem arsimor të dobët. Ai ka deklaruar se ky sistem i trashëguar, është rezultat i një politike publike pa strategji dhe vizion. Ai është zotuar se Agjencia e Akreditimit tani e tutje do të jetë e pavarur dhe se prioritet mbetet kthimi i Kosovës në ENQA dhe EQUAR. Ndërkaq, AKA ka njoftuar se janë mbi 190 programe në proces të akreditimit.

Në prezantimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025, shefi i ekzekutivit u shpreh se ky institucion do të jetë etik dhe profesional.

Kurti: Ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore

“Si qeverisje e kemi trashëguar një sistem arsimor, i cili është rezultat i një politike publike e që në masë të madhe ka qenë elektorale e shumë pak ose aspak strategjike e vizionare. Një sistem ku interferimet politike që nga rekrutimet e stafit e deri te ushtrimi i funksioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit kanë qenë praktikë e stabilizuar. Këto interferime e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do të mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë tonë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale. Ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore. Tani e tutje kjo agjenci do të funksionoj mbi bazë të profesionalizmit dhe ekspertizës si dhe parimeve të barazisë, etikës dhe integritetit e të gjithëpërfshirjes”, ka deklaruar ai.

Për punën e këtij institucioni, Kurti shtoi se referencë do t’i ketë standardet evropiane dhe udhëzuesit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Më tej, ai u shpreh se ka shpërputhje të madhe mes nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimet që ofrohen.

Kurti: Presim që në afate optimale të kalojë Projektligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit

“Avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit është një nga aspektet që duhet fokusuar në vijim. Në këtë fushë është hartuar edhe projektligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, i cili presim që në afatet optimale të kalojë edhe në procedurat e parlamentit për tu finalizuar me miratim në Kuvendin e Kosovës. Në miratimin e këtij projektligji janë përfshirë të gjithë akterët relevant, ekspertë nga MAShTI, Agjencia e Akreditimit, përfaqësues të komunitetit akademik, donatorët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile”, ka shtuar ai.

Ai tha se prioritet mbetet rikthimi në ENQA dhe EQUAR, por për këtë u shpreh se ka ende disa punë për tu finalizuar ky proces.

Edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci deklaroi se prioritet i qeverisjes së tyre është mbështetja e Agjencisë së Akreditimit.

Nagavci: Prioritet i qeverisjes tonë është mbështetja për Agjencinë Kosovare të Akreditimit

“Ne e kemi vendosur si prioritet në programin tonë qeverisës gjithë mbështetjen për Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Gjë që për këtë periudhë sa jemi në qeverisje kemi realizuar pothuajse të gjitha ato që kemi planifikuar në këtë drejtim. Duke filluar që prej sigurimit të pavarësisë institucionale e funksionale të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Agjencisë Kosovare për Akreditimit... Kemi siguruar edhe objektin për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, një objekt publik me mbi 1000 m2 tek Pallati i Drejtësisë, i cili do të jetë në shfrytëzim të AKA-së me pajisje moderne të kohës dhe me këtë po plotësohet edhe njëri nga kriteret apo kërkesat për rikthim në ENQA dhe EQUAR”, ka thënë ajo.

Drejtori i Agjencisë për Akreditim, Naim Gashi ka thënë se vitin e kaluar për shkak të pandemisë, 239 programe kanë qenë në proces të akreditimit.

Gashi: Kemi 191 programe në proces të akreditimit

“Gjatë këtij viti kemi 191 programe në proces të akreditimit, numri është zvogëluar dukshëm për faktin se shumica janë vlerësuar vitin e ardhshëm. Gjatë këtij viti kemi aprovuar një sërë dokumentesh, pjesë dërmuese e të cilave ndërlidhen me cilësinë e arsimit të lartë. Këto njëkohësisht janë edhe kritere dhe rekomandime të cilat i ka bërë ENQA për kthimin tonë. Sa i përket ENQA-s duhet të theksoj se misioni ynë është që ne krahas rekomandimeve, ne dëshirojmë të zhvillojmë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Anna Carin Platon tha se që nga viti 2007, kanë investuar mbi 34 milionë euro në arsim, për këtë u zotua se ka plane për tu rritur investimet.

Platon: Arsimi cilësor është i rëndësishëm për Kosovën

“Mendoj se më shumë se në çdo vend tjetër arsimi cilësor është i rëndësishëm për Kosovën me këtë popullsi shumë të re dhe gjithashtu interesim kaq të madh për të vazhduar arsimin e lartë. Me rreth 130 mijë studentë, Kosova është pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së për kokë banori. Është e rëndësishme që për një numër kaq të madh të të diplomuarve të ketë njohje të diplomave të tyre, që ato diploma të lehtësojnë gjetjen e vendeve të punës, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj. Është shumë inkurajuese që qeveria aktuale e konsideron arsimin si prioritet të saj dhe shpresoj që ky angazhim të konkretizohet me fondeve më të mëdha për arsimin, legjislacion më të mirë, siç keni diskutuar edhe ju këtu më parë, dhe një fokus në rritje te cilësia”, u shpreh ajo.

Në shtator të vitit 2019, Agjencia Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat