Rama i LDK-së, Hamza i PDK-së dhe Hyseni i LVV-së dhanë më së shumti premtime

Aktuale

Rama i LDK-së, Hamza i PDK-së dhe Hyseni i LVV-së dhanë më së shumti premtime

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 11:47
Bekim Salihu

(E plotësuar 12:17) - Shërbimet publike, arsimi dhe kultura mbeten tri fushat me premtimet më të mëdha të dhëna nga 27 kryetarët e komunave për mandatin qeverisës 2021-2025.

Derisa kryetarët e komunave dhanë 1819 premtime, numrin më të madh të tyre për mandatin e qeverisës 2021-2025 ka dhënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me 206 premtime. Pasuar nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza me 123 premtime. Në vendin e tretë është kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni me 109 premtime.

Kurse, me numër më të vogël të premtimeve prej të gjithë kryetarëve aktualë të komunave është kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, me 19 premtime.

Image
Grafika nga Instituti GAP

Kështu ka thënë Bekim Salihu analist politikash në Institutin GAP në një konferencë për media.

Salihu theksoi se përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë përgjegjës kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna.

Salihu: Tri fushat kryesore me më së shumti premtime

“Nga 27 kryetar komunash, Instituti GAP, për mandatin 2021-2025 ka evidentuar 1 mijë e 819 premtime të dhëna para qytetarëve. Numri më i madh I premtimeve të dhëna I takon fushës së shërbimeve publike me gjithsej 380 premtime, pastaj vije fusha e arsimit me 275 premtime. Dhe në këtë mandat, fusha e kulturës ka më shumë premtime se sa fusha e infrastrukturës. Në fushën e kulturës janë dhënë 201 premtime, ndërkaq në atë të infrastrukturës janë dhënë 198 premtime. Në fushën e ekonomisë kemi dhëna nga ana e kryetarëve të komunave 175 premtime konkrete. Për dallim nga mandati 2017-2021, në mandatin 2021-2025 fusha e shëndetësisë ka zënë hapësirë të rëndësishme tek premtimet kandidatëve për kryetar. Në mandatin e kaluar kanë qenë 51 premtime në fushën e shëndetësisë, ndërkaq kësaj here numri i premtimeve është 134 nga gjithsej 27 kryetar komunave. Fusha ku më së paku janë dhënë premtime është fusha e urbanizimit”, theksoi Salihu.

Sa i përket numrit të madh të premtimeve nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Salihu theksoi se premtime të dhëna nga Rama, janë të vështira për t’u realizuar, por siç theksoi ai janë të matshme.

Salihu: Disa premtime të dhëna nga kryetari Rama të vështira për t’u realizuar, por të matshme

“Numrin më të madh të premtimeve kryetari aktual i Prishtinës, 206 premtime. Një pesë të madhe të këtyre shërbimeve e ka në fushën e shërbimeve publike dhe në atë të infrastrukturës, çka flet që këto dy fusha janë të vështira për t’u punuar dhe për t’u përmbushur. Mirëpo, natyrisht premtimet që janë dhënë janë të matshme dhe ne do të bëjmë monitorim dhe vlerësim nëse të njëjtat po përmbushën ose jo në afatin katër vjeçar në formë periodike”, theksoi ai.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Salihu tutje ka thënë se ky institut ka evidentuar dy raste kur kryetarët kanë ndryshuar programin elektoral me atë që kanë paraqitur pas përfundimit të zgjedhjeve.

Salihu: Dy raste kur kryetarët kanë ndryshuar programin elektoral me atë pas zgjedhjeve

“Vlen të ceket fakti që për dallim nga herët e kaluara, Instituti GAP kësaj here ka evidentuar dy raste kur kryetarët e komunave e kanë ndryshuar programin elektoral, atë që e kanë prezantuar gjatë zgjedhjeve dhe atë që e kanë paraqitur pas përfundimit të tyre… (10’37) Ne jemi duke u konsultuar akoma çështjet teknike në lidhje me këto probleme he nuk kishim dashur që të përmendim emra përkatës. Por me saktësi e themi që në dy raste, GAP, ka evidentuar përpjekjen e dy kryetarëve të komunave për të ndryshuar programin elektoral me qëllim që ta zvogëlojnë numrin e premtimeve që kanë dhënë para qytetarëve”, tha ai.

Salihu duke krahasuar periudhën paraprake, theksoi se në mandatin 2017-2021 kanë qenë 913 premtime nga kryetarët e komunave dhe janë përmbushur 51 për qind e tyre.

Instituti GAP: Kryetarët e komunave dhanë 1819 premtime për mandatin qeverisës, prin Përparim Rama

Numrin më të madh të premtimeve për mandatin qeverisës 2021-2025, e ka dhënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me gjithsej 206 premtime, i pasuar nga Bedri Hamza i Mitrovicës së jugut, me 123 premtime. Kështu ka thënë Bekim Salihu nga Instituti GAP në prezantimin e premtimeve që kryetarët e komunave kanë dhënë në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2021.

Duke qenë se në komunat me shumicë serbe nuk është zhvilluar fushatë aktive, në 27 komunat tjera të Kosovës Instituti GAP ka evidentuar dhe konfirmuar 1,819 premtime të dhëna, në krahasim me 913 premtime në mandatin e kaluar. Numrin më të madh të premtimeve e ka dhënë kryetari i Prishtinës, me gjithsej 206 premtime, pastaj ai i Mitrovicës me 123 premtime, i treti radhitet kryetari i Gjilanit me 109 premtime, i Shtimes me 107 premtime dhe kryetari i Kaçanikut me 94 premtime. Numri më i vogël i premtimeve është dhënë nga kryetari i Vitisë me gjithsej 19 premtime, pastaj ai i Deçanit me 20 premtime dhe i Pejës me 25 premtime.

Shikuar sipas fushave, numri më i madh i premtimeve është dhënë në fushën e shërbimeve publike me gjithsej 381 premtime dhe në fushën e arsimit me 270 premtime. Për dallim nga mandatet e kaluara, këtë mandat, më shumë premtime janë dhënë në fushën e kulturës se sa në atë të infrastrukturës. Në fushën e kulturës janë evidentuar 200 premtime, ndërsa në atë të infrastrukturës një më pak. Në fushën e ekonomisë janë dhënë 175 premtime. Edhe në fushën e shëndetësisë në këtë mandat janë dhënë më shumë premtime, gjithsej 134. Poashtu, në fushën e bujqësisë janë dhënë gjithsej 157 premtimet. Fusha ku më së paku është dhënë premtime është ajo e urbanizmit me 41 premtime.

Në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë/e komunash kanë garuar 165 kandidatë, 158 prej tyre kanë qenë kandidatë të propozuar nga subjektet politike, ndërsa pjesa tjetër kanë garuar nga iniciativa qytetare ose si kandidatë të pavarur. Nga 165 kandidatë, vetëm 11 kanë qenë gra, prej të cilave vetëm dy kanë arritur të bëhen kryetare nga gjithsej 38 kryetarë të zgjedhur.

Për nga shtrirja aktuale politike e komunave, numër të barabartë të komunave, përkatësisht nga tetë komuna kanë fituar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pesë komuna ka fituar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), katër komuna Lëvizja Vetëvendosje, dhjetë komuna Lista Serbe, një komunë Iniciativa Qytetare për Obiliqin, një komunë Nisma Socialdemokrate dhe një komunë udhëhiqet nga komuniteti turk i Kosovës.

Ndryshimi i pushtetit, nga një parti në partinë tjetër, ka ndodhur në 12 komuna (Prishtinë, Shtime, Gjilan, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Hani i Elezit, Vushtrri, Dragash, Junik, Mamushë dhe Skenderaj), ndërsa, në 11 komuna të tjera kemi ndryshim të kryetarit të komunës, ndonëse partia mbetet e njejta me mandatin e kaluar. Kjo do të thotë se 15 kryetarë komunash kanë siguruar vazhdimin e mandatit për periudhën 2021-2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat