Maskarallëku i deputetëve, që nuk do të harrohet!

Aktuale

Maskarallëku i deputetëve, që nuk do të harrohet!

Nga: Idriz Morina Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 19:20
Kuvendi i Kosoves gjatë një çasti, pauze

Duke kërkuar komprometimin e tjetrit, në fund rezultuan se nuk ishin të pastër as vet.

Si ndodhi kjo?!

Për disa vjet në opozitë duke luftuar për kauza kombëtare, opozitarizëm për Pakon Ahtisari, për bisedimet në Bruksel, për demarkacionin, kundër ndarjes së Kosovës etj. Këtyre kauzave duhej bashkuar edhe diçka më shumë. Ajo që në përgjithësi po i mungonte qeverisjes, përkatësisht shumicës së fytyrave në qeveri.

Pra, sipas gjykimit në publik dhe të vetë akterëve, i mungonte atributi i pastërtisë së figurave qeverisëse, dhe nga kjo vetë besimi.

Zhvillimi dramës

Edhe në Qeverinë Kurti 1, përpiqej që ky imazh, dhe ky atribut të ndërtohej, duke zgjedhur me kujdes figura të koalicionit, nga të dyja palët.

Zhvillimet dramatike i ndryshuan proceset, të cilave ju printe Hashim Thaçi, që mundohej me çdo kusht t’i kanalizonte në interes të tij. Duke e pasur të mbërthyer Isa Mustafën dhe i mbështetur edhe nga Agim Veliu, që papritmas u shfaq sikur të ishte një figurë e rëndësishme e LDK-së, e çuan vendin drejt krizës dhe arritën ta rrëzonin Qeverinë, e cila u prit me entuziazëm, si një qeveri shprese, që duke ia bashkuar kushtin e vënë më sipër të pastërtisë së figurave, mendohej se do të kishte përparim.

Këmbëngulja që me çdo kusht pushteti të përdorej për interesa personale - duke provuar që ta përdornin për qëllim para së gjithash që Thaçi të shpëtonte nga gjykata speciale, i cili po mundohej ta përshpejtonte procesin për arritjen e një marrëveshje me Serbinë - qoftë edhe me ndarjen e Kosovës.

Projekti u ndërpre, pasi qëllimi i Thaçit ishte kompromituar gjerësisht. Kështu që ishte vendosur që të mos lejohej të shkelte në SHBA, dhe në Vjenë u ndalua, duke iu bërë e qartë, se tashmë ndodhej përballë aktakuzës nga gjykata speciale.

Aktakuza iu bë publike me 24 qershor 2020, ndërsa ishte dorëzuar nga prokuroria me 24 prill, por ai nuk dha dorëheqje, deri në ditën e arrestimit të tij me 5 nëntor, duke shkuar drejt nga Presidenca në EULEX. U deshtë pra, që të kalonin disa muaj, qershor-nëntor, që ai përfundimisht t’i dorëzohej drejtësisë. Deri në atë kohë vazhdonte të qeveriste LDK-ja, me një koalicion minimal, me votën e siguruar me premtime dhe forcë, nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Në Amerikë tashmë ishin kryer zgjedhjet dhe administrata apo eksponentë të saj si Grenelli, që e mbështesnin Thaçin forcërisht, dhe me të edhe qeverinë Hoti, po perëndonte.

Ndryshimet atje, e kthyen gjendjen e mëparshme, porse opinioni ishte edhe më i revoltuar. Rënia e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve e kishte bërë të veten.

Koalicioni i mëparshëm, që në qendër kishte dy figurat Vjosa Osmanin dhe Albin Kurti, u rikthye për të garuar së bashku. Një vit më parë, rezultati zgjedhor ishte kulminant, por jo më i miri nga ndonjë parti i shënuar vetëm, por as si koalicion. Rugova me LDK-në, pa koalicion, në vitin 2000 përkundër kushteve të papërshtatshme për fushatë, ia kishte dalur zyrtarisht të fitonte 56%, ndërsa vet Rugova e pat deklaruar fitoren me 65 % të votave, dhe bile edhe me mundësinë që rezultati të ketë qenë më i mirë.

Skandali ‘deputeti’

Por, një vit pas zgjedhjeve, të parat, që u mbajtën me probleme minimale që nga pas lufta, kanë filluar të dalin vetë mungesa që duhen korrigjuar seriozisht, në atë se çfarë kanë ofruar partnerët.

Listat që dolën me abuzime dhe keqpërdorime të të dhënave nga deputetët e shumë legjislaturave, janë tregues i qartë, se dallueshmëria në ‘përmbajtje’ (në njerëz) e partive të mëdha është e vogël. Emëruesi i përbashkët i të gjithave ishte se në radhët e tyre kanë pasur deputet, që kanë abuzuar, duke ofruar të dhëna të gabueshme qëllimisht, ose që të dhënat e tyre (bazuar në letërnjoftime) nuk u korrigjuan me kohë (çështja e vendbanimit).

Edhe pse shumat nuk ishin të mëdha, duke qenë të përmuajshme, dhe për disa vite, një deputet rezultoi t’i kishte përfituar 25 mijë euro, të tjerë me mbi dhjetë mijë, dhe të tjerë më pak, varësisht se sa gjatë ishin deputet. Por, pat edhe jo pak raste që deputetë korrekt e të zot, që nuk kishin lejuar komprometimin e atillë.

Ky rast tregoi se sa thellë, e se sa ashpër e ka komprometuar shoqërinë shqiptare, klima 20 vjeçare e krimit dhe korrupsionit, determinues të së cilës ishin dhe janë akterët kryesor që sot janë në Hagë, dhe të tjerë të dyshuar.

Skandali ‘deputeti’ u zbulua, në kërkim të fajësimit të tjetrit me çdo kusht, për të treguar shëmbëllimin (personal apo të grupit), si dominues ndaj tjetrit.

Rasti tregoi edhe për keqmenaxhimin në VV dhe për kahen e gabuar të përqendrimit dhe përkushtimit në qeverisje.

Deputetët që shkelën ligjin, në këtë rast dhe ata që u zunë në flagrancë të shkeljes, duhet të japin llogari.

Pra, me deputetët ka rënë oferta apo është komprometuar, premtimi i tjetrit- me atributin e të pastërtit!

Qeveria duhet ta rritë nivelin e standardit të respektimit të të drejtave të njeriut

Është esenciale për demokracinë, por edhe për atë vet që ka ofruar kjo Qeveri, që t’i zbatojë dhe t’i respektojë vendimet që i ka marrë vetë ajo, veçmas në rastet që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të njeriut dhe të shkollimit!

Në këtë pikë Qeveria nuk ka opsion, ata që e pengojnë këtë, duan shkatërrimin e qeverisjes në Kosovë, kthim mbrapa, dhe madje edhe kontroll serb!

Qeveria dhe njerëzit e emëruar nga VV-ja, duhet të tregohen më mirëkuptues me administratën, në kuptimin e respektimit të ligjit dhe rregulloreve, që komunikimi i saj, duhet të respektojë kanalin zyrtar të komunikimit, jo të urdhërimit gojor apo arbitrar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat