Zonja Ursula, goditni edhe aleatët e krimeve të luftës! / Ne nuk duam asnjë pëllëmbë toke ta lëmë në duart e Serbisë

Aktuale

Zonja Ursula, goditni edhe aleatët e krimeve të luftës! / Ne nuk duam asnjë pëllëmbë toke ta lëmë në duart e Serbisë

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 1 prill 2022 Në ora: 19:36
Krimineli i luftës në Ukrainë Putini e dekoron kriminelin e luftës në Kosovë, Vuçiqin

Shqiptarët me koshiencën dhe gatishmëri maksimale iu bashkuan aleancës perëndimore për ta goditur Rusinë, me ç‘të mundnin, me shpresë se ne do jemi aleat besnik për njëri-tjetrin.

Por, ende pa pushuar armët në Rusi, ju iu hodhët qeverisë sonë, se pse ne nuk po lejojmë veprime antikushtetuese, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, që ata të mbushin ngado sheshet tona me fotografi dhe premtime të bashkëpjesëmarrësve dhe të frymëzuesve të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve-gjenocidit, dhe tani edhe të Rusisë në Ukrainë. Bile edhe t’i dëgjonim, të vinin këtu dhe të na thoshin se Kosova nuk është shtet, se ajo është e tyre. Një trillim pakrahasimisht i madh me atë rus për Ukrainën. Ata kanë bashkëjetuar për qindra e qindra vjet, ne kemi qenë thjesht të okupuar në tokën tonë autoktone.

Ne kemi qenë pjesëmarrës në luftën e parë botërore (jo të shekullit të 20-të), 3274 vjet më parë, në aleancë me Perëndimin kundër Egjiptit, si dardan në Betejën e Kadeshit! Ne atje nënshkruam traktatin e parë të paqes në botë, të mbijetuar!

Ne luftojmë dhe vdesim për aleatët, miqtë tanë

Ne vërtetë nuk kemi armatim, sa ta mundim Rusinë, por deri tani se pamë askë nga aleatët tanë, që të futet në luftë me rusët në Ukrainë, as me uniforma jo. Pra, në një mënyrë në këtë pikë jemi të barabartë. Nga ju kanë shkuar vullnetarë, por nuk kanë munguar as nga ana jonë.

Ne po, mbajtëm anën e Ukrainës, ndërsa serbët që nuk i vunë sanksione Rusisë, dhe nuk e dënuan pushtimin rus, dërguan shumë vullnetarë të luftojnë përkrah armatës së dytë në botë, për të vrarë dhe kryer gjenocid ndaj një populli paqedashës!

Të premten, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kina mund ta humb reputacionin e saj, nëse e ndihmon Rusinë në shmangien e sanksioneve Perëndimore (Swift, dhe në zgjidhje të tjera për të shmangur izolimin nga Perëndimi).

Kjo është e saktë dhe ne e përkrahim maksimalisht, si shtete shqiptare, Kosovë dhe Shqipëri, pa e llogaritur se si mund të na dalin hesapet neve.

Besa – Kodi për rendit të ri botëror

Ne luftojmë dhe vdesim për aleatët, miqtë tanë. Këtë e kemi të koduar në gjenetikën tonë, nëpërmjet Kanunit, dokumentit oral, më të vjetër që ka mbijetuar që nga kohët primordiale - mbase edhe më i lashtë se Beteja e Kadeshit, i përshtatur edhe me elemente të kohës së vonë.

Besa-Kanuni, ky kodi i cili i kishte shpëtuar hebrenjtë të paprekur në Kosovë e Shqipëri, e kishte ndikuar kryeministrin kanadez Harper (2012), që të bënte thirrje gjatë mandatit të tij, që Besa shqiptare të shndërrohet në një lloj kodi botëror, që sipas modelit shqiptar të njihej Premtimi i dhënë, një rregull në Kanada, por edhe në botë. “Besa do të thotë fjalë për fjalë, të mbash premtimin që ke dhënë, të mbash fjalën. Zonja dhe zotërinj, ne duhet ta mbajmë këtë premtim. Kjo është kultura e nderit, të cilën ne duhet ta mbrojmë dhe ta përforcojmë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në forumet ndërkombëtare kudo në botë”, Harper (2012).

Por, juve zonja Presidente po ju mungon ky kodi jonë. Ne shpresonim dhe ende besojmë se duke u radhitur me juve, në luftën kundër Rusisë, si shpërblim nuk do të na hipni në qafë Serbinë për të bërë zgjidhje antikushtetuese, as për zgjedhje, as për çdo pretendim për ndonjë marrëveshje që nënkupton që ne të bëjmë kompromise.

Kushtetutën që ne e kemi, është më shumë e juaja se sa e jona, dhe hiq asgjë nuk përmban nga kanuni jonë i munguar. Ju gjithmonë na keni kërkuar dhe vazhdoni të na kërkoni mbi të gjitha, rend dhe ligj! Këtë e nënkupton zbatimi i plotë i Kushtetutës!

Ndalesa, dhe lejesa, ka më shumë se sa që ne do të mund t’i mendonim, por as vrasjet politike etj., dhe as korrupsionin nuk e ndaloi, por i përshkallëzoi. Pra, shtetit dhe shteteve i duhet diçka më shumë se një letër. Por, ne edhe këtë e pranuam si një ‘dhuratë’ nga miqtë tanë, duke shpresuar edhe atëherë, se ju keni përvetësuar diçka nga kodi jonë, Besa!

Kompromise, shtypje dhe shtytje

Por, pavarësisht që na kërkuat shumë, tepër shumë kompromise në Vjenë në emër të arritjes së Pavarësisë, ju pas dy vitesh, ia hapët rrugën Serbisë, për të kërkuar lëshime të tjera nga ne! Decentralizimi i bërë me aq bujë nga ju, tani po kërkohet të kthehet në ‘Asociacion’, dhe atë Serbia e mendon si një ‘Kuvend’, ku mund ta ngre flamurin serb, dhe në një natë sovjetike, ta shpallë veriun e pavarur nga Kosova!

Ndoshta ju e keni kuptuar më shumë teorikisht ideologjinë sovjetike, panrusizmin dhe pansllavizmin, por ne e kemi përjetuar më shumë se kushdo, qe së paku dy shekuj në mënyrë sistematike, ditë për ditë dhe vit për vit, kur na ndoqën neve shqiptarëve një komunitet i qëndrueshëm në Beograd (pashallëk), dhe më tej drejt Kosovës së sotme, Sanxhakun e Nishit e më tej, nga Kongresi i Berlinit (1878) na dëbuat, për të ardhur në Konferencën e Londrës (1912-1913) në kufijtë që kemi afërsisht sot në veri të Kosovës, por duke munguar edhe shumë territore të tjera.

Ne ishim ukrainasit e shekullit të 19-të! Ne ishim ukrainasit e shekullit të 20-të, dhe që të gjitha herët, Rusia ishte aty për ta ndihmuar dëbimin tonë, vrasjen tonë masive, gjenocidet, e kulturocidit dhe çdo program shfarosës për ne nga Serbia, përpunohej në Moskë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat