​MMPHI i quan shpifje akuzat e PDK-së për keqpërdorim, paralajmëron padi

Aktuale

​MMPHI i quan shpifje akuzat e PDK-së për keqpërdorim, paralajmëron padi

Më: 18 prill 2022 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) i ka quajtur sot shpifje akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës për keqpërdorim të miliona eurove duke thënë se për një gjë të tillë do të ngrenë padi në organet e drejtësisë.

PDK ka akuzuar sot Qeverinë Kurti për korrupsion, duke thënë se Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur mbi 9 milionë euro për 42 kontrata njëburimore. Përkitazi me këtë paralajmëruan kallëzime penale për secilin person të përfshirë, ndërkohë ftuan edhe Prokurorinë e Shtetit të fillojë hetimet.

Në përgjigjen e saj, MMPHI thotë se reagimet e partisë më të madhe opozitare kanë të bëjnë me atë se po “iu pengon qeverisja e drejtë”.

“Kjo mënyrë e qeverisjes së drejtë, si duket po ju pengon shumë atyre që nuk lanë asnjë “të zezë” pa e bërë. Asnjë shkelje të ligjit nuk e kemi bërë, e nuk e kemi asnjë aferë korruptive e për më shumë kujdesemi në maksimum për paranë publike. Është vetëm një kontratë e negociuar e lidhur nga MMPHI-ja, për projektin e "Zgjatjes së pistës së aeroportit Adem Jashari", projekt ky i ndërprerë për shkak të pandemisë. Sot pista e aeroportit është e zgjatur, janë instaluar mjete navigimi që aeroportin tonë e bëjnë më të sigurtin në Ballkan”, thuhet në reagim.

Sipas MMPHI-së, të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, “me gabime të mëdha, duke lënë gjithmonë hapësirën për penallti”, ku “ministria obligohet të paguajë dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer”.

“Në mënyrë që t’i përfundojmë këto kontrata kemi nënshkruar aneks kontratat për punë shtesë, të gjitha sipas legjislacionit në fuqi. Natyrisht që për të gjitha këto shpifje ne do të ngremë padi në organet e drejtësisë”, përfundon reagimi i MMPHI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat