I emocionuar dhe me lëvdata për kolegët – fjalimi i fundit i Kryeprokurorit Lumezi

Aktuale

I emocionuar dhe me lëvdata për kolegët – fjalimi i fundit i Kryeprokurorit Lumezi

Më: 21 prill 2022 Në ora: 15:50
Aleksandër Lumezi

Aleksandër Lumezi, është emocionuar gjatë fjalimit të tij të fundit si Kryeprokuror i Shtetit, pozitë të cilën e ushtroi për shtatë vite.

Në fjalimin përmbyllës të mandatit të tij, para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lumezi ka shprehur lëvdata dhe falënderime për kolegët e tij në sistemin prokurorial. Ka folur për sfidat e tij në krye të Prokurorisë së Shtetit, si dhe për sukseset.

Lumezi ka përmendur faktin se gjatë mandatit të tij shtatë vjeçar si Kryeprokuror i Shtetit ka pasur shumë sfida por tha se ndjehet mirë që Sistemi Prokurorial ka avancuar dukshëm në raport me vitet e kaluara.

“Para vetës kam pasur sfida të mëdha, sfida reale mirëpo duke ju falënderuar komunitetit të prokurorëve të shtetit, vlerësimit të tyre, bashkëpunimit të tyre, sinqeritetit kam arritur deri diku që të zhvillojmë dhe të bëjmë lëvizje të caktuara brenda sistemit, sot jemi një institucion shumë ma kredibil se para disa viteve. Ju jeni faktikisht një mburojë e sistemit një mburojë e prokurorëve, kryeprokurorëve dhe keni qenë një organ kolegjial që më keni përkrahur”, tha Lumezi.

Lumezi tha se gjatë mandatit të tij shpesh herë është përballur me shumë kritika të cilat sipas tij disa kanë qenë të mira por që disa kanë qenë për qëllim të dëmtimit të integritetit të tij personal.

“Ju e dini që gjatë kësaj rruge kam pasur sfida të ndryshme, shpesh herë kanë qenë qëllim këqija me qëllim që të dëmtohet edhe integriteti im personal dhe i sistemit në përgjithësi dhe duke ju falënderuar juve që faktikisht edhe keni qenë edhe matës edhe vlerësues të punës sime dhe integritetit tim jam shumë falënderues, besojë që edhe në të ardhmen do të jem këtu në kuadër të sistemit prokurorial brenda mundësive të mija të jap kontributin që edhe më shumë të avancohet ky sistem”, deklaroi Lumezi.

Ish-Kryeprokurori përmendi edhe kritikat të cilat kanë ardhur nga shoqëria civile, për të cilat tha se kanë ndihmuar në përmirësimin e punës së Sistemit Prokurorial.

Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit dhe zëvendësues të përkohshëm të Aleksandër Lumezi.

Këtë detyrë, Kelmendi do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat