Dëshmia tronditëse për vrasjet politike, të “X” / Pse Kadri Veseli nuk e mbrojti Agim Zogajn?!

Aktuale

Dëshmia tronditëse për vrasjet politike, të “X” / Pse Kadri Veseli nuk e mbrojti Agim Zogajn?!

Nga: Idriz Morina Më: 31 maj 2022 Në ora: 12:01
kadri Veseli gjatë procesit gjyqësor në Hagë, nga nëntori i vitit 2020

Dëshmitari X, i ndjeri Agim Zogaj, përveç se për akuzat e njohura ndaj Fatmir Limajt, të cilat kanë marrë një epilog gjyqësor në favor të këtij të fundit, sigurisht nga lehtësimi që u krijua pas vdekjes së ‘X”, ai ka lënë informacione apo indikacione, që e komprometojnë Kadri Veselin, ish kreun e SHIK-ut, i cili nga vitit 1998 ishte shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së.

Kryesisht dëshmitë e Zogajt, kishin të bënin me ngjarjet që kishin ndodhur në Kleçkë, ku kishte një qendër ndalimi, të cilën në kohën më të madhe, ishte i ngarkuar ai ta mbikëqyrte.

Është interesant, se si një njeri pa shkollë, por që çmohej për luftën e tij, guximin e treguar ndaj pushtuesve serbë, kishte mbajtur një ditar, mjaft interesant.

Përveç kryepersonazhit të tij Fatmir Limajt, emri i të cilit del në vazhdimësi, kuptohet se për shkak që vepronte në zonën ku Fatmir Limaj ishte komandues, dhe “X” një vartës i tij.

Rrëfimet apo dëshmitë e tij, tregojnë në aspektin psikologjik, se edhe ai për shumë kohë ishte treguar obedient, që pavarësisht se në ndërgjegjen e tij e ndiente se nuk duhej t’i bindej Limajt, përkatësisht disa urdhrave të tij, veçanërisht kur ishin në pyetje jetët njerëzore, ai i qe nënshtruar.

Por, pavarësisht këtyre rasteve, ditari i tij, në aspektin psikologjik, duket një luftë e pandërprerë e brendshme kundër autoritetit të Fatmir Limajt, dhe të cilin ai nuk e thyente dot. Por, pavarësisht kësaj, ai arrinte t’i aktivizonte mekanizmat mbrojtës, jo vetëm nga rreziku që mund t’i kanosje jetës së tij, por edhe nga fakti se nuk pranonte që të vriste shqiptar, jo pa një gjykim, pavarësisht akuzave, dhe veçmas kur ai duhej t’i mbante në burg njerëz, që kishin luftuar, si Blerim Kuqin nga Suhareka, të cilin sipas tij, e kishte shpëtuar gjykatësi Sokol Dobruna. Dëshmitari “X” vë në pah, që tek Fatmir Limaj, asokohe dominonte autoritarizmi. Por, nisur nga ajo përvojë, dhe ajo e pas luftës, kur sipas tij, ishte nxitur një grup për ta vrarë Fetah Rudin, aktivistin e LDK-së, ai edhe vetë ndihej i cenuar dhe rrezikuar nga Limaj, por që procesi gjyqësor në Kosovë, i ka vlerësuar ndryshe.

Image
Veprimtari i LDK-së Fetah Rudi, pas atentatit

Kadri Veseli, nuk e ndihmoi Dëshmitarin X

Një nga emrat e njohur të botës së krimit, që përmend “Dëshmitari X”, është edhe ai i Kadri Veselit, ish kreut të SHIK-ut.

Sipas një raporti të Zogajt, që mbante datën 6 maj 1999, të publikuar nga Indoks, që përfshinte një rreth dy muaj e gjysmë veprime të tij, 20 shkurt 1999 – 06 maj 1999, përmendte me emra të burgosur, datën e pranimit dhe të lirimit të atyre që kishin shpëtuar, e njëri nga ata ishte Blerim Kuçi – politikan pas luftës, në LDK, e pastaj në AAK, si dhe biznesmen.

“Kur më gjeti (Fatmir Limaj) unë ia tregova letrën e Sokol Dobrunës dhe i thash se nuk e kam ditur që Sokoli do ta lironte Kuçin sepse urdhri thoshte se ai thjeshtë donte ta merrte në pyetje. Kadri Veseli dhe Adem Grabovci ishin të pranishëm dhe u munduan ta qetësojnë Fatmirin se nuk ishte faji im dhe se nuk ishte e drejtë të më vriste. Pastaj Fatmiri u tërbua me Sokol Dobrunën, ndërsa mua më la të qetë”, shkruan në ditarin e “X”.

Një i arrestuar S. K. ishte mbajtur nga 3 marsi deri më 21 mars 1999, derisa M. M. nga 21 marsi deri më 2 prill 1999. “Lirinë e kishte fituar me vendim të Kadri Veselit nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, siç shkruante Zogaj në ditar.

Sipas gjykatës speciale Kadri Veseli ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe i Shtabit të Përgjithshëm. Ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm gjatë gjithë vitit 1998 dhe në 1999. Në qershor 1998, Kadri VESELI ishte anëtar i Drejtorisë Politike dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Në fund të marsit 1999, pas krijimit të QPK-së, Kadri VESELI ishte shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (‘SHIK’) dhe ministër i Shërbimit Informativ në QPK.

Viti 2013 e gjeti Kadri VESELIN në postin e zëvendëskryetarit të PDK-së. Në vitin 2014, ai u bë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në vitin 2016, me zgjedhjen e Hashim THAÇIT si President i Kosovës, Kadri VESELI u bë udhëheqësi i PDK-së.

Së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI, Jakup KRASNIQI dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë, ndër të cilët edhe ata që nuk i mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në. “Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Image
Fatmir Limaj gjatë procesit gjyqësor në Kosovë

Akuzat e gjykatës speciale

Sipas pikës 39 të aktakuzës në Gjykatën Speciale, Kadri Veseli dhe grupi akuzohen se lëshuan urdhra vet apo së bashku për eliminimin e kundërshtarëve.

“39. Anëtarë dhe instrumente të NKP-së, ndër të cilët Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup KRASNIQI, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, lëshuan direktiva, udhëzime dhe urdhra lidhur me kundërshtarët. Ky fokus tek kundërshtarët pasqyrohej gjithashtu edhe në disa nga rregulloret e brendshme, trajnimet, dokumentet e politikave dhe broshurat informuese të miratuara ose të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nivele të tjera të komandës së UÇK-së/QPK-së”.

Po ashtu aktakuza i ngarkon që të katërtit: Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN se ishin “personalisht pjesëmarrës në trajtimin e kundërshtarëve në terren, ndër të tjera edhe përmes pjesëmarrjes së tyre në frikësimin, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe mbajtjen të ndaluar të kundërshtarëve, si në rastet që diskutohen në vijim”.

Ndërsa, duke përshkruar veprimtarinë e Kadri Veselit, shkruan gjerësisht në pikën 49, se ai gjatë ushtrimit të funksioneve të përshkruara (në paragrafin 5 të aktakuzës), “kontribuoi në mënyrë të qenësishme në arritjen e qëllimit të përbashkët, që përfshinte kryerjen e krimeve të paraqitura në aktakuzë, përmes një ose më shumë prej mënyrave në vijim:

a. formulimit dhe/ose pjesëmarrjes në hartimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen dhe zbatimin e planeve, politikave dhe praktikave për realizimin e qëllimit të përbashkët, ndër të tjera edhe në formën e komunikatave, deklaratave publike, rregulloreve të brendshme, strukturave dhe mekanizmave për mbledhjen dhe raportimin e informatave;

b. pjesëmarrjes, lehtësimit, lejimit, dhe inkurajimit dhe/ose ndryshe ndihmimit të krimeve për realizimin e qëllimit të përbashkët;

c. mosmarrjes së masave të mjaftueshme për parandalimin dhe hetimin e krimeve dhe/ose ndëshkimin ose disiplinimin e kryesve;

d. përhapjes dhe/ose lehtësimit të përhapjes së informacionit që synonte avancimin e qëllimit të përbashkët, shkaktimin e frikës, mosbesimit dhe urrejtjes ndaj kundërshtarëve, ndër të tjera edhe përmes komunikatave, deklaratave publike dhe mjeteve të tjera;

e. emërimit, ngritjes në detyrë dhe/ose miratimit të emërimit dhe ngritjes në detyrë të anëtarëve dhe instrumenteve të NKP-së, përfshirë edhe të personave për të cilët pretendohej se ishin përfshirë në krime të rënda në të shkuarën;

f. sigurimit, organizimit dhe/ose lehtësimit të mbështetjes politike, logjistike, ushtarake dhe/ose financiare, duke përfshirë edhe për anëtarë dhe instrumente të NKP-së që kryenin krime për realizimin e qëllimit të përbashkët; dhe

g. bashkërendimit dhe mbajtjes së lidhjeve midis anëtarëve dhe instrumenteve të NKP-së për realizimin e qëllimit të përbashkët.

Image
Pamje nga arrestimet nga gjykata speciale

Dëshmi të tjera të “X”

Dëshmitari “X” Zogaj, rrëfen edhe se si e kishte njoftuar Kadri Veselin, duke iu ankuar për njëlloj përndjekje që po i bëhej sipas tij nga Fatmir Limaj.

“3 tentimvrasje dhe një e montuar me kamion nga ‘Topilla Komerc’ në fshatin Belincë. Jo 100 për qind po 200 për qind i di që njerëzit që ma përgatitën këtë kurth janë nën… komandën e Fatmiri Limës. Personat të cilët i ndihmojnë këtij grupi vinë prej SHPK-së, TMK-së dhe nipat e Fatmir Limës nga Kleçka”,

“Punëtori i juaj Naseri i din të gjitha se është punëtor në zbulim kundër zbulim”.

“Nuk i përulem askujt se s’i kam borxh askujt, vetëm atdheut ende i kam. Faleminderit për mirëkuptim. Dorëzimi data: 13. 02. 2006, Kadri Veselit”, thuhej në letrën e Zogajt, sipas Indoks.

“E patën kuptuar të gjithë se Fatmiri u zbulua për likuidimin tim që kesh i pastër tek Zoti e i tregova TMK-së, Policisë, Shoqatës së Veteranëve në bazë, Partisë Demokratike në Prishtinë, ku dhe vetë Fatmiri është aty dhe Zyrës së Kadri Veselit në Prishtinë. Te të gjithë kërkova ndihmë që të më mbrojnë nga banda e Fatmirit dhe vetë Fatmiri”, është ankesa e dëshmitarit “X”, jeta e të cilit u mbyll në vitin 2011, pa ia dalur ta mbrojë veten, dhe pa ia dalur që të dëshmojë deri në fund në procesin gjyqësor në Kosovë.

Përputhshmëritë e dëshmive

Një nga rastet e pandriçuara të krimeve në Kosovë, është rasti i atentatit ndaj veprimtarit të LDK-së Fetah Rudit. Që nga atentati ai ka mbetur gjysmë i paralizuar, pasi plagët ia kanë prekur vitalitetin nervos, duke ia pamundësuar ecjen.

Sipas “Dëshmitarit X”, ai me disa të tjerë ishin urdhëruar, sipas kërkesës së Fatmir Limajt, që të kryenin atentat ndaj Fetah Rudit.

“Fatmiri urdhëroi që të vëzhgohej ky person. Më kujtohet se një herë ne kishim një takim në Prizren, në një kafe – bar të vogël afër ndërtesës së TMK-së që ta diskutojmë çështjen”.

“Naser Krasniqi, Enver Hoti, Fadil Gajraku dhe një person tjetër që nuk më kujtohet ishin në mbledhje. Fatmiri nuk ishte aty. Naser Krasniqi dhe Fadil Gajraku ishin të ngarkuar me operacionin. Ata thanë se Fetah Rudi ishte person i rrezikshëm dhe më urdhëruan mua të vëzhgoja dhe studioja lëvizjet e tij në Prishtinë, pasi që Fetah Rudi jetonte diku në “Bregun e Diellit” dhe ta shikoja atë në mënyrë që unë të isha në gjendje ta njihja”, ka thënë dëshmitari në dëshminë dhënë prokurorit special të EULEX-it. Të nesërmen ai ka thënë se e kishin thirrur dhe i kishin thënë se plani kishte ndryshuar. Tek në një takim tjetër në Malishevë ishte vendosur të vritej Fetah Rudin te stadiumi i Prishtinës gjatë një manifestimi që pritej të mbahej aty”.

“Në ditën e operimit së pari u takuam përsëri në Malishevë dhe udhëtuam të gjithë së bashku në Prishtinë. Gjersa ishim në Prishtinë, Naser Krasniqi më dha një pistoletë me zhurmëmbytës… Secili prej nesh ishte në secilën hyrje të stadiumit: Naser Krasniqi, Fadil Gajraku, Enver Hoti dhe një person tjetër që nuk më kujtohet, si dhe unë. Ne duhej ta vrisnim Fetahun gjersa hynte në stadium”.

“Fetahu hyri nëpërmjet portës ku po qëndroja unë. Të tjerët që ishin nëpër portat tjera filluan të më jepnin shenja që të më tregonin se ai djalë ishte yni. Por unë u bëra sikur nuk e njoha dhe nuk shtiva. Fetahu vërejti të tjerët duke bërë me shenjë, sepse i njihte ata. E kuptoi dhe iku nga aty”, ka thënë dëshmitari.

Këtë përpjekje e konfirmon edhe Fetah Rudi, në dëshmitë e tij të bëra publike në media të shkruara dhe televizione. Sipas Rudit, ai i kishte vërejtur disa persona që i kanë bërë me shenjë Zogajt me kokë në drejtim të tij.

Sipas tij, nuk e ka pasur idenë se ishte cak për atentat, por këtë e kishte kuptuar pak minuta më vonë, kur një djalë i ri pasi i i ishte afruar i kishte thënë: “je në rrezik për jetë”.

Rudi, që këtë ndodhi e kishte rrëfyer gjatë kohës sa ishte deputet në Kuvendin e Kosovës, i ishte afruar Presidentit Rugova, dhe i kishte treguar për kërcënimin.

Image
Fetah Rudi duke dalur nga Kuvendi i Kosovës gjatë kohës sa ishte deputet

Këtë gjë, ai e konfirmon edhe nëpërmjet detaji tjetër: “Në radiolidhje te sigurimi i Rugovës ishte dëgjuar fraza: “dikush sot do të vritej, por ai nuk ishte Presidenti Rugova””.

Pas rreth një muaj e gjysmë u bë atentati ndaj tij, me armë zjarri në fshatin Arllat nga një veturë në lëvizje.

Fetah Rudi në ka thënë se ishte sulmuar nga rojet e Rexhep Selimit me urdhër të Fatmir Limajt, dhe se këtë ia kishte thënë dëshmitari Agim Zogaj pas plagosjes së tij, i cili e kishe vizituar 4 herë Rudin deri sa po rehabilitohej në banjën e Kllokotit. Ai thotë se sipas Zogajt urdhrin për vrasjen e Fetah Rudit e kishte dhënë Fatmir Limaj.

Dështimi i mbrojtjes së dëshmitarëve

Sipas një shkrimi të Nju Jork Times, të gjithë familjarët e Zogajt theksonin: “nuk besojmë që ai është vetëvrarë, por edhe nëse e ka bërë ai ka qenë i detyruar". "EULEX-i është përgjegjës për vdekjen e bashkëshortit tim", citonte gazeta gruan e tij Ganimete Zogaj ndërsa kjo e fundit akuzon EULEX-in se "ata nuk e trajtuan mirë dhe nuk i ofruan mbrojtje".

"Sipas vëllait të tij, dëshmitari X u sulmua në shtëpinë e tij gjatë marsit, ku edhe u qëllua në këmbë dhe krah, pasi kishte vendosur të dëshmonte në një proces gjyqësor të EULEX-it. Më pastaj, EULEX-i e dërgoi në Duisburg tek vëllai i tij".

Edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilova, në mars të vitit të shkuar, kishte shprehur brengën se mund të pësonin dëshmitarët e speciales dhe të pengohej puna e kësaj gjykate.

“Kjo sigurisht që do të vërë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës mbi dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë më të dëshmojnë, duke e bërë kështu të pamundur që prokurori i specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, deklaronte ajo para diplomatëve europian në një konferencë konfidenciale në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat