​Komisioni Hetimor për energji kërkon dokumente shtesë nga KGJK-ja, kundërshton Vetëvendosje

Aktuale

​Komisioni Hetimor për energji kërkon dokumente shtesë nga KGJK-ja, kundërshton Vetëvendosje

Më: 3 qershor 2022 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 14:20 më 03.06.2022
Foto nga takimi

Komisioni Hetimor për energji kërkon dokumente shtesë nga KGJK-ja

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës sot miratoi planin e veprimit.

Derisa pas kësaj Komisioni e vazhdoi punën pa praninë e mediave, për shqyrtimin e CV-ve të ekspertëve të cilët do të angazhohen nga komisioni.

Në fillim, kryetari i këtij Komisionit, Driton Selmanaj, kërkoi që t’i kenë dokumentet e nevojshme edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe Institucioni i Avokatit të Popullit nëse ka pasur elemente të diskriminimit në kohën kur është marrë vendim për shtrenjtim e tarifave të energjisë elektrike.

Selmanaj: KGJK-ja duhet t’i sjellë vendimet për tarifat e energjisë

Ne s’mundemi tash Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit me iu kërkuar aktgjykimin për masën e përkohshme pse kanë marrë ata vendim për këtë çështje. Por, autoritet mbi ta është KGJK-ja për dhënien e dokumenteve, kështu që jo që ne do t’i thërrasim në raportim ata, por do t’i shfrytëzojmë ne për t’i lexuar me kujdes dhe për të parë se si kanë ardhur deri te vendimi për shtrenjtim dhe pse kanë ardhur deri tek ai vendim. Kështu që me i parë si dokumente nuk na pengon asgjë. Përfshirë këtu edhe avokatin e popullit, ata kanë bërë një analizë, një dokument në lidhje nëse ka pasur elemente të diskriminimit gjatë vendim marrjes apo jo”, theksoi Selmanaj.

Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se dokumentet nga Këshilli Gjyqësor dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të hiqen për hetim në këtë fazë.

Kusari-Lila: Këshilli Gjyqësor, edhe Avokati i popullit duhet të hiqen në këtë fazë

“Sa i përket kërkesës për dokumente tek institucionet të cilat janë të pavarura, besoj që vendimi i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit është vendim publik. Besoj që ne për trajtim në kuadër të asaj çështjes që trajtohet në Komision i kemi të mjaftueshëm përderisa nuk ka trajtim të materies me të cilën është kërkuar të ndalet procesi i tarifës. Pra ne kemi vetëm një vendim që është një ndalesë administrative, por nuk ka trajtim përmbajtjesor të materies. Në situatën aktuale, dhe nga përvojat e më hershme edhe në Komisionet hetimore, besoj që është edhe Këshilli Gjyqësor, edhe Avokati i Popullit duhet të hiqen në këtë fazë”, theksoi ajo.

Përkundër asaj që theksoi deputetja Kusari Lila, kolegu i saj opozitar nga PDK-ja Ferat Shala theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndihmojë procesin hetimor për tarifat.

Shala: Avokati i Popullit mund ta ndihmojë procesin e hetimit

“Avokati I Popullit mund ta ndihmojë këtë proces, sepse ai ka nxjerrë disa opinione sa I përket diskriminimit dhe pikërisht për këtë, konsideroj që Avokati i Popullit do të duhej dhe nuk ka asgjë të keqe të jetë në një prej seancave tona për ta elaboruar vendimet në vazhdimësi, vetëm për element krahasimi”, theksoi ai.

Me iniciativë të opozitës, veçmas të PDK-së, në fillim të muajt maj, Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Sot mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e krizës energjetike

Sot do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës pas konstituimit.

Ky komision do të mund të intervistojë krerët e institucioneve, partive politike, ndërmarrjeve publike e ambasadorë kosovarë.

Gjatë mbledhjes së konstituimit, kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, i kishte kërkuar anëtarëve angazhim maksimal pasi që dinamika e punës së këtij komisioni është shumë më e madhe.

Komisioni përbëhet nga Driton Selmanaj- kryesues, Ferat Shala- zv.kryesues,Eliza Hoxha- anëtare, Besian Mustafa-anëtar, Pal Lekaj- anëtar, Artan Abrashi- anëtar, Enver Haliti- anëtar,Jeta Stratovci- anëtare,Mimoza Kusari- Lila-anëtare, Adem Hoxha- anëtar dhe Fridon Lala- anëtar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat