Ballkani i hapur, po digjet! / Edi Rama se ndihmoi dot ‘dinozaurin’ rus

Aktuale

Ballkani i hapur, po digjet! / Edi Rama se ndihmoi dot ‘dinozaurin’ rus

Nga: Idriz Morina Më: 6 qershor 2022 Në ora: 19:54
Rama merr goditjen e re, i ngushtohet rrethi atij dhe Vuçiqit

Edi Rama nuk arriti t’i ofronte mikut të tij Vuçiqit ndihmë që ta shpëtonte ‘faqebardhë’, para ‘dinozaurit’ rus!

Ai kur Shqipëria, mori ca importe të detyrueshme të Serbisë, ndaj kompanive shqiptare, në fillim të vënies së sanksioneve ndaj Rusisë, dhe fillimit të krizës së produkteve ushqimore, të gjithë meritën ia atribuoi “Ballkanit të hapur”.

Kështu vazhdoi edhe më tej, në shumë raste, duke e paraqitur ‘Ballkanin e hapur’ si një projekt të suksesshëm, por gjithnjë me qëllim, që meritat t’i njiheshin Serbisë, ta paraqiste me imazh paqedashës, në kohën që ajo po e mbështeste Rusinë në pushtimin e paprecedent ndaj Ukrainës!

Kësaj here ai mbet pa fjalë, kur ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrovi, njëri prej eksponentëve më të mëdhenj të regjimit të Putinit, që po kryen krimet më të mëdha kundër njerëzimit në mijëvjeçarin e tretë, dështoi të shkonte në Serbi, për shkak se Bullgaria, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi, ia mbyllën korridoret ajrore Rusisë, të cilat i kanë vënë sanksione asaj dhe zyrtarëve të lartë rus.

Por, çka zbuloi dështimi i kësaj vizite dhe çfarë mund të sjellë!?

Përveç se dështoi vizita e një bashkëpunëtori të Putinit në krime lufte, krime kundër njerëzimit, reagimi i shefit të diplomacisë ruse, Lavrov, mund të çojë në konfirmimin e dyshimeve se “Ballkani i hapur”, ishte një projekt rus, ose më e pakta nën ndikimin rus.

“Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të hapur”, ka deklaruar Lavrov sot.

Image
Vuçiqi e humb edhe një betejë nga Perëndimi

Si duket rusët e kishin menduar, “Ballkanin e hapur”, si opsion apo trampolinë për qarkullim në Evropë dhe nëpërmjet Shqipërisë edhe në vende të tjera, në krizën që ata e mendonin se mund të sillte lufta e Ukrainës, pushtimi rus. Në një mënyrë apo tjetër, Ballkani i hapur, vërtetë do t’i ngjante një Rusie të vogël, veçanërisht me një Shqipëri të robëruar nga Rama-Vuçiq!

Por, kriza e krijuar nga pushtimi rus, shkaktoi një valë shumë më të fuqishme reagimi nga Perëndimi sa që mund ta priste Rusia, duke e izoluar thuajse plotësisht me perëndimin, dhe duke ia bllokuar çdo pasuri shtetërore asaj, drejtuesve të lartë të shtetit dhe disa nga oligarkëve më të njohur prorus!

Po digjet...

Kështu, që së bashku me projektin e pushtimit rus të Ukrainës, po digjet edhe projekti ruso-serb për Ballkanin e hapur, që do të mund ta digjte normalisht edhe të ardhmen politike të Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë!

Edi Rama u mundua boll, që ta fuste Kosovën në Ballkanin e hapur, e po ashtu së fundi edhe Malin e Zi! Sikur Kosova ta kishte pranuar ‘Ballkanin e hapur’, me shumë gjasë Shqipëria do ta kishte provuar, që ta lejonte fluturimin e Lavrovit drejt Serbisë, mbi territorin e Kosovës, edhe pse në atë rast, fjalën kryesore mund ta kishte NATO-ja, e cila ia ka lejuar së bashku me Kosovën, që hapësirën e sipërme ajrore ta kontrollojë Hungaria.

Nëse ai operacion do të mund të kishte sukses, sigurisht Rama do t’i merrte meritat, dhe duke u arsyetuar se thjesht ishte një detyrim ndaj marrëveshjeve të “Ballkanit të hapur”!

Por, tashmë Rama ka mbetur lakuriq, dhe nuk mund të përrallisë asgjë për “Ballkanin e hapur”, përveç se që mund të presë një ‘fije shprese’ dhe ‘zgjidhje’ nga Vuçiqi.

Lavrov nga Moska e ka bërë një deklaratë interesante për qëndrimin, që sipas tij, e kishte Brukseli për Kosovën dhe Donbasin! Sipas tij, BE-ja i ka premtuar Serbisë status special për serbët në veri të Kosovës.

"Brukseli ka premtuar solemnisht se do të mbështesë një status special si për veriun e Kosovës ashtu edhe për Donbasin, i cili do t'i lejojë serbët në Kosovë dhe Metohi të flasin serbisht dhe rusët në Donbas të flasin rusisht, të cilat janë marrëveshje identike për të drejtat e pakicave kombëtare", ka thënë Lavrov.

Ende asnjë autoritet në Kosovë nuk ka reaguar ndaj kësaj deklarate të Lavrovit, dhe askush nga Brukseli, ndaj këtij deklarimi.

Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën nëse vërtetë dikush ka premtuar një status special për serbët, i cili mund të çojë në ndarjen e Kosovës!

Kalorësi apokaliptik

Është Edi Rama, kalorësi i ortodoksisë, i cili nuk po nguron të ‘kalërojë’ në dëm të interesave të shqiptarëve!

Image
Sazani po digjej, ndërsa flota helikopterëve ka dështuar

Ai pa hezitim, po përpiqet në shkatërrimin e strategjive shqiptare, dhe avancimin e atyre serbe, para së gjithash, por edhe greke, jo vetëm në marrëveshjen me detin, por siç po rezulton tani, ai e ka sjellur në buzë të greminës, shkatërrimin e ushtrisë së Shqipërisë, për shkak të pagave të ulëta, pastaj sipas ekspertëve ushtarakë e ka shkatërruar flotën e helikopterëve nga mosmirëmbajtja, dhe ka mbetur njësoj edhe pa flotën detare: “ku asnjë anije luftarake nuk është në gatishmëri...!”,. citonte Berisha një ushtarak, burim anonim!

Pra, Rama përveç se nuk e ndihmoi Kosovën, ai po e katandis shtetin e Shqipërisë, duke e kthyer në një pre, për armiqtë shekullor!

Ai nga një kalorës i ortodoksisë, është kthyer në një kalorës apokaliptik për shqiptarët!

Nëse projekti “Ballkani i hapur”, tashmë po identifikohet si pro-rus, atëherë Edi Rama, pro-kujt paska qenë nëse jo prorus!?

Po ato media dhe analistë, nëse e kanë përkrahur një projekt prorus, në anën e kujt paskan qenë!? A nuk është koha të hetohet paksa seriozisht fondet e tyre?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat