Hisen Berisha përplaset me deputetin e LVV-së për veteranët

Aktuale

Hisen Berisha përplaset me deputetin e LVV-së për veteranët

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 07:35
Hisen Berisha

Çështja e votimit në Kuvend në parim e projektligjit për pagën minimale dhe kundërshtimet nga ana e veteranëve të luftës së UÇK-së ishte tema e një debati të mbëmshëm.

Deputeti i LVV-së, Salih Zyba ka thënë në “RTK Prime” se solidarizohet me nevojat dhe kërkesat e veteranëve të luftës, por nuk pajtohet me materializimin dhe keqpërdorimin e veteranëve për të dalë në protesta nga opozita.

“Konsideroj që është për t’u diskutuar, për të vepruar por jo për t’u ngutur. Kur e them këtë mendoj që nuk duhet ndikuar nga subjekte dhe individë që nuk e kanë angazhimin dhe përkushtimin për këto vlera dhe për ndryshimin e gjendjes së tyre. Ata që e kanë filluar paralajmërimin edhe përmes seancave në Kuvend, më pas kanë nxitur dhe kanë tejkaluar edhe bërjen opozitë dhe përfaqësimin e interesave të shoqatave në këtë rast”, ka thënë Zyba.

Ai ka thënë se ka nevojë për ndryshim të gjendjes së veteranëve, e cila ka qenë në vazhdimësi e rëndë, e jo vetëm në këtë periudhë të qeverisë aktuale.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se solidarizimi qytetar me veteranët është ky që ndodhi në sheshe, derisa solidarizimi politik e ligjor duhet të ndodhë në Kuvend dhe në Qeveri.

“Solidarizim me veteranët nuk është kjo çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Përjashtimi nga Ligji për pagën minimale nuk është solidarizim. Ligji i ri për pagën minimale është shkelje e dy ligjeve të mëparshme. Tendeca për t’u arsyetuar se do ta bëjmë me një ligj të veçantë sepse këta po e pengojnë njëri-tjetrin nuk qëndron. Asnjë logjikë ligjore e financiare nuk mund ta thotë këtë“, ka thënë Berisha.

Në anën tjetër, Time Kadrijaj nga AAK ka thënë se tendenca e deputetit të VV-së për të fajësuar partitë që ishin në pushtet në të kaluarën nuk qëndron.

“Ne asnjë ligj që kërkohen 2/3 nuk e kemi stopuar, por e kemi votuar për. Ndërsa, për shumicë të thjeshtë ju i keni shumicën absolute që mund t’i kaloni”, ka thënë Kadrijaj. Ajo ka theksuar se AAK do ta votonte projektligjin për pagën minimale sikur të mos eliminoheshin prej rritjes së pagës minimale veteranët e luftës, personat e verbët dhe ata paraplegjik e tetraplegjik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat