Shkëlqim Pajazitaj: Dyshojmë se Naseri kishte bashkëpunëtor në vrasjen e Donjetës

Aktuale

Shkëlqim Pajazitaj: Dyshojmë se Naseri kishte bashkëpunëtor në vrasjen e Donjetës

Nga: M.L. Më: 23 qershor 2022 Në ora: 11:37
Donjeta Pajazitaj

Naser Pajazitajt iu konfirmua edhe njëherë dënimi me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Ai është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe për mbajtje në pronësi të pautorizuar të armëve.

Naser Pajazitaj, akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat, shkruan "Bota sot".

Image
Naser Pajazitaj

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, ka thënë se familja është e kënaqur me dënimin, por se kanë shpresuar për më shumë.

“Jemi të kënaqur me vendimin e dënimit, po pritshmëria jonë ka qenë më e madhe, për t`u zbuluar edhe ndonjë bashkëpunëtor”, ka thënë Shkëlqimi.

Sipas tij, duke e ditur gjendjen shëndetësore të Naser Pajazitaj, besojnë se ai ka pasur edhe një bashkëpunëtor në krimin e kryer.

“Kur po them bashkëpunëtor nuk po i di emrat, por duke e ditur gjendjen e tij shëndetësore nuk besojmë që ka qenë vet.

Edhe pse nëse na jepet mundësia të zbulohet diçka ndonjë provë ose bashkëpunëtor pa dyshim se do ta njoftojmë drejtësinë, po deri tani nuk kemi diçka konkrete”, ka thënë ai.

Kujtojmë se, ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë. Pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, dhe të tretë ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Por, në të tre rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, dhe Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim për të tretën herë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohej se më parë e deri më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc, Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 dhe 2 karikatorë të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat