Kosova për tri vjet doli e para në rajon për sundim të ligjit, ja si qëndron në botë

Aktuale

Kosova për tri vjet doli e para në rajon për sundim të ligjit, ja si qëndron në botë

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 11:35
Foto ilustrim

Pozicionimi i Kosovës si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit tre vjet radhazi dhe si i dytë në botë për përmirësim në këtë fushë nga indeksi vjetor i “World Justice Project”, ka bërë që qeveritarët të lavdërohen se reformat janë duke funksionuar.

Por, sipas këtij raporti në renditjen e përgjithshme Kosova zë vendin e 57-të në botë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme tha se kjo renditje konfirmon se reformat e qeverisjes së tij po funksionojnë mirë dhe me shpejtësi, njofton Klankosova.tv.

“Këtë vit, “World Justice Project” e ka renditur sërish Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Gjithashtu e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, i pasoi fjalët e shefit duke thënë se kjo renditje tregon angazhimin e qeverisë dhe përkushtimin në fushën e sundimit të ligjit.

“Sipas raportit më të fundit të publikuar nga World Justice Project, Kosova radhitet në vendin e dytë në botë sa i përket përmirësimit në fushën e sundimit të ligjit dhe e para në Ballkanin Perëndimor në rankimin e përgjithshëm”.

“Si Qeveri, mbesim të përkushtuar në angazhimin tonë në fushën e sundimit të ligjit. Rikonfirmojmë vlerësimin pozitiv si në vitin e shkuar, nga ky projekt” ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vlerësoi se kjo renditje është hap shumë i rëndësishëm që njeh përpjekjet e kësaj qeverie për realizim të reformës në drejtësi.

“Në Indeksin vjetor për Sundim të Ligjit nga “World Justice Project”, si Republikë e Kosovës radhitemi e dyta në botë si shteti që kemi shënuar përmirësim në këtë fushë. Ky është një hap i jashtëzakonshëm që i njeh përpjekjet tona për realizimin e reformës në drejtësi. Natyrisht që njoftime të tilla na konfirmojnë se synimi është i drejtë dhe jemi në rrugën e duhur në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Por, për dallim nga qeveritarët, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e sheh këtë renditje ndryshe.

Miftaraj vlerëson se renditja e Kosovës në indeksin vjetor të “WJP-së” është më keq prej kohës kur qeverisë Lëvizja Vetëvendosje, madje ai shton se nuk ka haprësirë as për vetëkënaqësi e as për mburrje nga ekzekutivi, njofton Klankosova.tv.

“Renditja e Kosovës sipas Ëorld Justice Project (ËJP) Rule of Laë Index në tre vitet e fundit:

Në vitin 2020, Kosova ishte në vendin e 54
Në vitin 2021, Kosova ishte në vendin e 60
Në vitin 2022, Kosova është në vendin e 57

“Me fjalë tjera, Kosova është me keq në renditje prej kohës kur ka ardh VV në pushtet. Dhe nuk ka hapësire as për vetëkënaqësi e as për mburrje”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas “World Justice Project”, pesë shtetet që kanë bërë përmirësimin më të mirë në sundimin e ligjit janë Hondurasi, Kosova, shteti nga Afrika Qendrore – Belize, Moldavia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat