Vuçiq: Nuk ka dorëzim, targat KM mbesin

Aktuale

Vuçiq: Nuk ka dorëzim, targat KM mbesin

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 13:41
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), duke paralajmëruar "rezistencë" nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat.

"Nuk ka dorëzim. KM mbetet", tha ai pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë - në Beograd më 27 tetor.

Targat KM, janë në mesin e disa lloje targash me akronime serbe për qytetet e Kosovës, që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë, e të cilat konsiderohen ilegale nga Prishtina.

Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrimin e makinave, përkatësisht konvertimit të targave serbe në ato RKS - Republika e Kosovës, do të përmbyllet më 31 tetor.

“Plani i tyre [i Kosovës] është që ato vetura të lëshojnë [Kosovën] duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.

“Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, shtoi ai.

Vuçiq tha se "ne jemi të gatshëm t'i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t'i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje".

Presidenti i Serbisë përsëriti se i pranojnë targat neutrale ndaj statusit - KS, por se, sipas tij, pala kosovare nuk dëshiron të dëgjojë për to.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës. Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat